Interesat kombëtare të Kosovës, marrëdhëniet ndërkombëtare dhe konteksti më i gjerë gjeopolitik

Opinione

Interesat kombëtare të Kosovës, marrëdhëniet ndërkombëtare dhe konteksti më i gjerë gjeopolitik

Nga: Agim Vuniqi Më: 22 dhjetor 2024 Në ora: 19:45
Agim Vuniqi

Fjala e kryeministrit Rama në parlamentin e Kosovës, që dialogu me Serbinë  duhet të ngrihet, do të nënkuptonte që të gjitha rezultatet në terren të anulohen, ashtuqë Kosova të merrte përsipër që të gjitha pikat e dakorduara të marrëveshjeve me Serbinë të zbatohen në mënyrë të pabarabartë, është e diskutueshme. Ai nga foltorja e Kuvendit të Kosovës kërkon që dialogu të përqëndrohet në atë me BE-në dhe SHBA, edhepse një gjë e tillë nuk është kërkuar në Asamblenë e Përgjithshme në OKB, as nga BE, as nga SHBA, andaj në mungesë të garancive konkrete, deklaratat e tilla duken si përpjekje për të ulur tensionet, por nuk përputhen me realitetin praktik.

Këto deklarata mund të interpretohen si minimizim i shqetësimeve të Kosovës dhe si një përpjekje për të shtyrë Prishtinën drejt lëshimeve të njëanshme. Në vend që të japë siguri të pabazuara, Shqipëria duhet të luajë një rol më aktiv në lobimin për garanci ndërkombëtare në favor të Kosovës.

Pasojat e ngrirjes së dialogut me Serbinë

Ngrirja e dialogut mund të dërgojë një mesazh politik të fortë, duke sinjalizuar pakënaqësinë e Kosovës ndaj moszbatimit të marrëveshjeve nga Serbia. Megjithatë, kjo do të sillte disa rreziqe duke përfshirë presionin ndërkombëtarë. Pra, Kosova mund të përballet me presion të shtuar nga BE-ja dhe SHBA-ja, të cilët e shohin dialogun si një mjet të domosdoshëm për stabilitet rajonal. Do të sillte izolimin diplomatik. Duke ndërprerë dialogun, Kosova rrezikon të humbasë mbështetjen në skenën ndërkombëtare, veçanërisht në një moment kur dinamika brenda BE-së po ndryshon.

 Ngrirja e dialogut mund t’i sillte avantazhe i Serbisë, sepse Vuçiqi mund ta përdorë si kartë për ta portretizuar Kosovën si palë destruktive, duke minuar më tej pozicionin e saj ndërkombëtar.

Pranimi i kërkesave ndërkombëtare pa garanci konkrete nga BE-ja ose Serbia është i rrezikshëm, sepse dobëson pozicionin e Kosovës. Një qëndrim i tillë e bën Kosovën më të prekshme ndaj kërkesave të reja dhe të njëanshme, duke krijuar një precedent të rrezikshëm për të ardhmen, ngase Kosova ka nevojë për normalizim jo vetëm formal por real. Andaj çfarëdo marrëveshje që nuk respektohet nga Serbia nuk garanton stabilitetin e qëndrueshëm, duke e bërë procesin vetëm një formalitet pa përfitime reale.

 Garancitë dhe ndryshimet brenda BE-së

Në një periudhë kur BE-ja po përballet me ndryshime të brendshme politike dhe shumë qeveri po humbasin pushtetin, garancitë e saj për zbatimin e marrëveshjeve janë të dobëta. Për Kosovën, kjo do të thotë: rrezik i paqartësisë politike. Mungesa e një udhëheqjeje të qëndrueshme brenda BE-së dobëson kredibilitetin e saj si ndërmjetës, prandaj Kosova duhet të fokusohet në forcimin e marrëdhënieve bilaterale me shtete kyçe si Gjermania, Franca dhe SHBA-ja për të siguruar një mbështetje më të qëndrueshme.

Çfarë fiton Kosova në këtë situatë?

Nëse Kosova vazhdon të pranojë kërkesat ndërkombëtare pa reciprocitet nga Serbia, përfitimet janë minimale, ndërsa humbjet potenciale janë të mëdha dhe mungesë përfitimesh konkrete. Në mungesë të zbatimit të marrëveshjeve nga Serbia, Kosova nuk përfiton as njohje ndërkombëtare dhe as integrim më të shpejtë në BE. Përveç kësaj do të sillte edhe dobësimin e sovranitetit. Pranimi i njëanshëm e bën Kosovën të duket si një palë e dobët, duke krijuar një pabarazi të vazhdueshme në procesin e dialogut.

Kosova duhet të ndjekë një politikë më të balancuar, duke kërkuar: - Garanci ndërkombëtare të qarta dhe të detyrueshme për zbatimin e marrëveshjeve; reciprocitet në veprime dhe asnjë hap përpara pa përmbushje të detyrimeve nga Serbia. Forcimi i mbështetjes diplomatike dhe aleancat strategjike me shtete që mbështesin pavarësinë e Kosovës, është fokusimi i Qeverisë së Kosovës dhe kryeministrit Kurti.

Në mungesë të këtyre elementeve, vazhdimi i dialogut apo pranimi i njëanshëm i kërkesave është një strategji e rrezikshme që mund të cenojë interesat kombëtare të Kosovës.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat