Trashëgimia e Lidhjes Demokratike të Kosovës në 35 vjetorin e saj!

Opinione

Trashëgimia e Lidhjes Demokratike të Kosovës në 35 vjetorin e saj!

Prof. Dr. Enver Bytyçi Nga Prof. Dr. Enver Bytyçi Më 23 dhjetor 2024 Në ora: 13:54
Presidenti historik Ibrahim Rugova në një tubim të LDK-së

Lidhja Demokratike e Kosovës sot feston 35 vjetorin e krijimit të saj. Ishte partia e parë anti-komuniste e Evropës Lindore dhe Juglindore. Ishte partia e parë opozitare e ish-Jugosllavisë. U bë brenda pak kohësh partia më e madhe në ish-Jugosllavi me 700 mijë anëtarë. Thuajse të gjithë anëtarët shqiptarë të Lidhjes Komuniste Jugosllave e lëshuan atë dhe iu bashkuan Lidhjes Demokratike të Kosovës. Ishte jo një parti, por një lëvizje mbarë-popullore e Kosovës. Ishte një uragan, që mori përpara dhe struki në qoshe edhe anti-shqiptarët më të egër në Kosovë e përtej saj. Krijoi para së gjithash frymë, por edhe u dha ndjenjë frike e armiqve të Kosovës.

Kryetar i Lidhjes Demokratike të Kosovës u zgjodh shkrimtari, poeti dhe studiuesi i letrave shqipe, Dr. Ibrahim Rugova. Fillimisht ai e konsideroi këtë detyrë si kalimtare. Pati dilema, nëse duhej ose jo të ishte në krye të kësaj partie. Ndërkohë që të tjerë patën frikë prej regjimit të Milosheviçit ta merrnin drejtimin e saj. Më pas Ibrahim Rugova pa se i duhej Lidhjes Demokratike dhe Kosovës. Krijoi kauzën e tij. Liri-Demokraci-Pavarësi! U bë misionar I lëvizjes! Përcaktoi shinat e politikës nëpër të cilën do të kalonte Kosova dhe Lidhja Demokratike e saj. I dha partisë dhe lidrshipit të saj dimensione të reja në luftën kundër okupatorëve. Krijoi aleancën më të fuqishme në historinë e shqiptarëve me Fuqitë e Mëdha Perëndimore!

Ibrahim Rugova, në krye të Lidhjes Demokratike, ndërtoi skemën e arritjeve të qëllimeve të tij për Kosovën e pavarur, të hapur për Serbinë e Shqipërinë dhe në miqësi të përhershme me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Skema ishte e qartë: - Të artikulonte në çdo rast qëllimin final – pavarësinë e Kosovës. Të luftonte pa kompromis për këtë qëllim. Prandaj dhe refuzoi regjimin okupues dhe të jashtëligjshëm të Serbisë së Milosheviçit. Ndërtoi institucionet e shtetit. Shpalli deklaratën kushtetuese. Miratoi kushtetutën më 7 shtator në Kaçanik. Zhvilloi referendumin për pavarësi. Pas tij ndërtoi institucionet e shtetit të Kosovës. Prandaj Ibrahim Rugova dhe Lidhja Demokratike ishin dhe mbeten arkitektët ndërtues të shtetit të Kosovës. Gjithçka tjetër është fasadë. Është tentativë për të rrëmbyer trofetë e pamerituara!

Sot Lidhja Demokratike feston 35 vjetorin e saj. Ajo ka të drejtë të jetë krenare për aktet e mëdha historike të saj për shtetësinë e Kosovës. Ka meritën se as atë kohë, as sot, nuk është ngatërruar me ëndrra, por ka bërë realpolitikë, kur është fjala për shtetësinë. Nuk ka humbur kohë psh të merret me bashkimin kombëtar, sepse e ka ditur se kjo nuk mund të ndodhë. Nuk ka bërë populizëm me ndjenjat e shqiptarëve. Synoi pavarësinë dhe e arriti atë. Predikoi aleancë me perëndimin dhe e realizoi atë. U përcaktua për NATO-n dhe BE-në që atë kohë dhe shkon drejt anëtarësimit në këto dy unione.

Shumica dërmuese e anëtarëve të Lidhjes Demokratike e duan shumë atë parti dhe kanë arsye për këtë! E duan dhe e respektojnë gjithnjë liderin historik të LDK-së dhe të Kosovës, Dr. Ibrahim Rugovën. Dhe ky është e do të mbetet virtyt e krenari e tyre. Por ka pasur pas vdekjes së Rugovës jo pak nga lidershipi i Lidhjes Demokratike, të cilët kanë devijuar nga idetë dhe vizioni i Ibrahim Rugovës. Thënë troç, nuk e kanë dashur Rugovën as në të gjallë të tij, as pas shkuarjes në amshim. Kanë spekuluar me emrin e Rugovës, sidomos në kohë fushatash elektorale, por jo se janë orientuar nga vizioni që ai kishte për Kosovën. Këta liderë, për interesa personale, kanë bërë kompromise të dhimbshme. Prandaj e lëshuan Lidhjen Demokratike nga 50 përqind të elektoratit në kohën e Rugovës, në 15 përqind të këtij elektorati në zgjedhjet e fundit parlamentare para katër vitesh.

Lidershipi i sotëm kërkon praktikisht të shkëputët nga trashëgimia e Rugovës, deri në atë pikë sa nuk u pëlqen as portreti I tij në zyrë! Megjithatë janë këta që sot bëjnë protagonistin në festimin e 35 vjetorit të Lidhjes Demokratike. Kur dalin me fitore e duan LDK-në e Rugovës. Kur shohin se prishen interesat, atëherë heqin dorë prej trashëgimisë së LDK-së dhe të Ibrahim Rugovës! Megjithatë duhet të shpresojmë se së paku kur festojnë të orientohen nga ajo trashëgimi!

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat