A do ta shoqërojnë Rama e Vuçiq, Asadin në Moskë!

Opinione

A do ta shoqërojnë Rama e Vuçiq, Asadin në Moskë!

Nga: Sherif Ramabaja Më: 23 dhjetor 2024 Në ora: 16:22
Autori Sherif Ramabaja

Ikja e Asadit në Moskë ishte e papritur dhe e paplanifikuar, po ajo ditë sa hapë e mbyllë sytë erdhi. Ky do të jetë fillimi i një jete të re, pas diktaturës të cilën e vazhdoi Asadi, të trashëguar nga babai i tij. Kuptohet që ky moment i ikjes ishte dëshpërim i rënjes nga pushteti, po në fund të fundit ky është fati i diktatorëve.

 Asadi, sa herë që i vinte rasti, ishte mësuar ta vizitonte Putinin në vizita të rregullta. Kësaj radhe biletën e kishte njëdrejtimëshe.

Me të dëgjuar për rastin e Asadit, Vuçiq deklaroi se ai nuk do të ikte nga Serbia, ashtu siç veproi Asadi. Unë nuk lejoj poshtërimin e Serbisë dhe të popullit serb, e përdori thënjen e tij tashmë embematike. Këta janë (protestuesit) të paguar dhe të nxitur nga perëndimi, u mundua të arsyetohej nga akuzat klasike të diktatorëve.

 Shprehjet e tij ndaj rivalëve, kundërshtarëve dhe protestuesve psikologët do ti zbërthenin me frikën, e cila e ka kapluar Vuçiqin. Tentimin e tij të fundit, për të shpëtuar, do ta ketë organizimin e sulmeve terroriste në Kosovë, apo inskenimet se Serbia, apo populli serb ndodhet në rrezik nga shqiptarët.

Skenarët me siguri i ka të gatshëm: Kosova apo Lugina do të jenë cak i sulmeve të tij, për të shpëtuar nga populli i tij. Një skenar të gatshëm e ka edhe nxitjen e serbëve brenda Kosovës, kryesisht përmes Listës Serbe.

Fundi nuk i dihet, po nëse asgjë nuk i funksionon, mundësinë e fundit e ka t´i bashkohet Asadit në Moskë.

Asadi i ka blerë më se 16 apartamente në një lagje të privilegjuar të Moskës. Më me dëshirë do t´ua ndante miqve të tij diktatorë, që t´i qajnë hallet e tyre të diktaturës dhe privilegjeve që i kishin, pa pasur mëshirë për krimet që i kishin bërë.

Vuçiqi po ashtu këto ditë e kujtoi kohën kur rusët ishin në Kosovë filloi të vajtonte se pse dhe si ishin larguar. Po t´i kishte pasur në Kosovë, më lehtë do ta kishte sot. Apo nuk do të ballafaqohej me ikjen e cila duket se do të jetë e pashmangshme

Para se ta marr vendimin e ikjes, me siguri se hallet do t´i qaj edhe me vëllaçkon e tij në Tiranë, Ramën. Do të bisedojnë për takimet e tyre vëllazërore. Do t´i kujtojnë tentativat e Ballkanit të Hapur, ndarjen e Kosovës, Asociacionin, hartimin e draft statutit, përkrahjen dhe mbrojtjen që ia afronte Rama nga presionet ndërkombëtare, iniciativat e përhershme dhe të përbashkëta nga dy qeveritë vëllazërore etj.

 Brengosja më e madhe edhe për Ramën do të jetë frika nga vargu zinxhiror i cili mund të përsëritet, pas asaj që i ndodhi Asadit. Protestat dhe pakënaqësitë po vijnë duke u rritur edhe në Shqipëri. Nëse ndodh ikja e Vuçiqit edhe Rama do t´i ketë ditët e numëruara. Asadi ndoshta është duke ua mobiluar apartamentet. Në rast paniku ata duhet shpejt e shpejt të arratisen, ashtu siç veproi edhe Asadi. Në Moskë që të tretë i pret një jetë e re. Instruksione dhe planet për të ardhmen, do t´i marrin nga Putini.   

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat