35-vjetori i themelit të saj e gjen jo ashtu siç duhet të jetë. Intelektualët e kohës, në krye me Dr. Ibrahim Rugovën, kryetar të Shoqatës së Shkrimtarëve të Kosovës, filluan misionin historik për të drejtat e shqiptarëve të Kosovës. Kjo ndodhi pikërisht në dimrin e ftohtë të 23 dhjetorit të vitit 1989.
Paraprakisht, në shtator dhe tetor të vitit 1989, një grup shkrimtarësh dhe intelektualësh filluan të punojnë për bashkimin rreth një force politike shqiptare, e cila më vonë do të emërohej Lidhja Demokratike e Kosovës, nën moton Liri, Pavarësi dhe Demokraci, mbërthyer brenda kodit të drejtës për shtet të pavarur dhe sovran.
Gjatë periudhës sa ishte Rugova në krye të saj, deri më 21 janar 2006, Kosova bëri miq që iu gjendën në momentet vendimtare. Pas vdekjes së presidentit historik dhe udhëheqësit të LDK-së, fatkeqësisht, LDK-ja përfundoi tek një ish-komunist i rritur, duke vënë në pah metodat e një regjimi partiak dhe shtetëror.
LDK-ja u katandis aq sa humbi besimin e qytetarëve, duke përfunduar në debakël në zgjedhjet e vitit 2021. As pas katër vjetësh debakël, LDK-ja nuk ka arritur të kthehet në rrugën e Rugovës, me qytetarët që e kanë braktisur dikur partinë më të madhe në vend. Rikthimi i LDK-së në gjenezën e saj është i favorshëm për opozitarizmin, skenën politike dhe vetë Kosovën. Fatkeqësisht, LDK nuk ballafaqohet me të vërtetën, vazhdon të kërkojë vota në emër të Rugovës, duke shkelur të gjitha parimet e tij. Në mungesë të reformimit, LDK nuk është parti e parë, por e treta; kështu do të mbetet derisa nuk ballafaqohet me të vërtetën.