Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) nuk e ka certifikuar Listën Serbe – partinë më të madhe të serbëve në Kosovë – për pjesëmarrje në zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit.
Ky vendim erdhi pasi përfaqësuesit e Lëvizjes Vetëvendosje (LVV) në KQZ dolën kundër me arsyetimin se Lista Serbe nuk e njeh shtetin e Kosovës dhe atij nuk i referohet me emrin zyrtar, por si "Kosova Metohia".
Lista serb në vazhdimësi ka qenë e dirigjuar nga Serbia për veprimet e saj brenda institucioneve të Kosovës. Madje, ky subjekt politik ka mbështetur vazhdimisht veprimet e strukturave kriminale kundër shtetit dhe sovranitetit të Kosovës, por edhe kundër pjesëtarëve të KFOR-it.
Javë më parë, Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla deklaroi se pjesëtarë të Listës Serbe, isihin të përfshirë në trazira të vazhdueshme në veri.
“Nuk mund të thotë Lista Serbe se nuk ka qenë e përfshirë në sulmin ndaj pjesëtarëve të KFOR-it, kur asistentë, shoferë, truproje, zyrtarë të Listës Serbe, kanë qenë pjesë aktive e sulmit, janë identifikuar dhe tash një pjesë e tyre janë në arrati”, kishte deklaruar Sveçla.
Andaj, ky vendim i KQZ-së për mos-certifikimin e Listës Serbe është plotësisht i drejtë.
Që nga themelimi i saj, Lista serbe në vazhdimësi kishte mbajtur qëndrime kundër shtetit dhe institucioneve të Kosovës, por deri sot asnjë përfaqësues i subjekteve politike në KQZ nuk shfaqi gatishmërinë që të ndërmerrte ndonjë hap konkret për “penalizimin” e saj, ani pse mundësia ekzistonte dhe kjo u vërtetua sot.
Juristët, madje shfaqeshin të bindur se Lista serbe e dirigjuar nga Beogradi duhej të shpallej edhe subjekt antikushtetues dhe terrorist.
Mbase, do ta kishim më të lehtë të “habiteshim” me qëndrimet e partive të tjera përfaqësuese në KQZ, që absetenuan në vendimin për mos-certifikimin e Listës Serbe, por e vërteta është se ky qëndrim i tyre nuk na habit edhe aq.
Anëtarët e tjerë në mbledhjen e KQZ-së kanë thënë se Lista Serbe ka të drejtë të ankohet ndaj një vendimi të tillë, pasi Zyra për Regjistrimin e Partive Politike tashmë ka konfirmuar se kjo listë i plotëson të gjitha kriteret.
Por, kjo nuk do të duhej të ishte arsye për përfaqësuesit opozitarë në KQZ që të abstenonin me votën e tyre për mos-certifikimin e këtij subjekti politik.
Mjaftonte ta kujtonin sulmin terrorist në Banjskë dhe vrasjen e policit Afrim Bunjaku, mjaftonte ta kujtonin sulmin terrorist në Ibër Lepenc që ndodhi para pak javësh, por nuk e bënë!
E konsideruan si pjesë të fushatës parazgjedhore të VV-së ndëshkimin e Listës serbe, qoftë edhe simbolik.
Ata po harrojnë se shteti dhe sovraniteti qëndrojnë mbi çdo fushatë elektorale dhe se është pikërisht Lista serbe që nën direktivat e Beogradit cenon shtetin dhe sovranitetin.
Dhe kjo është për keqardhje!