Në përditshmëri ka shumë gjëra dhe sende të cilat u duhen dhe u gjenden në jetën e qytetarëve. Disa prej tyre, por më të rralla, janë origjinalet, ndërsa shumica e tyre janë kopje. Gjërat origjinale janë më të bukura dhe më të vlefshme, por janë shumë të shtrenjta për t’i blerë dhe për t’i poseduar qytetarët. Prandaj, këto nuk mund t’i ketë çdo kush. Ndërsa gjërat kopje janë më të lira dhe për këtë arsye edhe më të shpeshta. Por të njëjtat i kanë dy mangësi: janë më pak të bukura dhe kanë më pak vlerë.
Edhe në politikë ka fenomene origjinale dhe imitime, apo fenomene të kopjuara politike. Do të theksoj se fenomeni më shpesh i kopjuar politik është demokracia. Kështu, prej të gjitha modeleve të demokracisë, ai substanciali apo burimori është modeli më origjinal i saj, ai që i kënaq nevojat qenësore dhe jetike të qytetarëve. Variantet e tjera, apo modelet e shumta që kanë dalë prej saj, janë kopje më të zbehta të demokracisë. Lirisht mund të thuhet se prej modeleve të tjera të demokracisë, modeli i demokracisë elitare është më i keqi variant i mundshëm i demokracisë. Ky jo në aspekt teorik, por më shumë në aspekt praktik, gjatë zbatimit të tij. Kjo për shkak të keqpërdorimeve dhe manipulimeve që i bëjnë disa elita politike. Këto keqpërdorime dhe manipulime i kanë bërë dhe i bëjnë elitat politike të shteteve me nivel më të ulët të demokratizimit të shtetit.
Domosdoshmërisht, duhet theksuar se demokracia elitare, kur zbatohet keq dhe mbrapsht, nuk është vetëm një kopje e zbehtë e demokracisë, por është një surogat i saj. Emri "Demokraci" ka gjithsej nëntë shkronja dhe të gjitha këto e përfaqësojnë atë në mënyra të ndryshme.
Në demokracitë origjinale, shkronjat e saj japin fjalë me kuptime më të bukura dhe më pozitive. P.sh., shkronja e parë D e jep kuptimin "Drejtësi", shkronja e dytë E, nëse fjala përkthehet nga disa gjuhë të jashtme, ka kuptimin "Barazi", shkronja M e jep kuptimin e "mirqenies së përgjithshme", shkronja O e jep kuptimin e "Organizimit të mirë", ashtu siç duhet të jetë politika në një demokraci të mirëfilltë, shkronja K e jep kuptimin e "koordinimit" apo dhe të "konsensusit", ashtu siç duhet të jenë veprimet dhe punët e institucioneve shtetërore dhe të njerëzve në një shtet të vërtetë demokratik. Shkronja R ka kuptimin e "rendit" dhe të "rregullit". Me demokracinë duhet të sigurohet rend dhe rregull në shtet dhe në shoqëri. Shkronja A ka kuptimin se duhet të luftohet sa më tepër "anarkia" në shtet dhe në shoqëri. Anarkia duhet të luftohet sepse është pengesë kryesore e rendit dhe rregullit. Shkronja C ka kuptimin e "eliminimit të centralizimit të pushtetit" dhe zbatimit të procesit të decentralizimit. Ky i fundit është faktor i rëndësishëm i demokratizimit të shtetit.
Për dallim prej faktit se shkronjat e demokracisë japin kuptime të bukura në demokracitë e mirëfillta, një gjë të tillë nuk e bëjnë shkronjat e demokracisë në shtetet dhe shoqëritë me demokraci vetëmse formale. P.sh., shkronjat e demokracisë në këto shtete dhe shoqëri, nëse të njejtat shtjellohen, i japin këto kuptime të mbrapshta: Shkronja e parë D e jep kuptimin "Diktaturë", shkronja e dytë E "Elitarizëm", shkronja e tretë M "Mireqenie vetëm për politikanët dhe për askënd tjetër", shkronja e katërt O e jep kuptimin "Oligarki", shkronja e pestë K "Komunizëm", shkronja e gjashtë R "Rend dhe rregull i kontrolluar nga pushtetarët", shkronja e shtatë A "Anarki", shkronja e tetë C "Cinizëm" dhe shkronja e nëntë e jep kuptimin e "Irracionaliteteve që ekzistojnë në disa shtete dhe shoqëri me nivel të ulët demokracie".
Prandaj, prej të gjitha modeleve të demokracisë, zgjidhni ato të mirëfilltat dhe origjinalet, sepse me to eliminohen keqpërdorimet dhe manipulimet nga ana e politikanëve. Uji është më i pastër dhe më i ftohtë nga burimi, por bëhet më i ngrohtë dhe më i papastër kur rrjedh nëpër gypa rrjedhës.