Ndarja e 100 eurove që kryeministri Kurti bëri për fëmijët dhe pensionistët u pa nga opozita si "blerje votash" në kohën kur fushata veç sa nuk ka nisur. Derisa pushteti e lavdëron duke arsyetuar se kjo ndodh çdo vit që nga ardhja e Albinit në krye të qeverisë, praktikisht nuk mund të them se kush ka më shumë apo më pak të drejtë. Si lajm është i mirë, por jo i mjaftueshëm; duhet bërë më tepër se kaq.
Prioritet duhet të jenë rritja e pagave dhe sigurimet shëndetësore si dy nga arsyet që emigrojnë shqiptarët, rrjedhimisht që Kosova zbrazet. Pavarësisht se qeveria ka rritur pagat, nga janari përsëri do të rriten, por ato janë të pamjaftueshme. Rritja e çmimeve ka shënuar ngritje, ndërkohë që pagat janë të pamjaftueshme për të kaluar muajin.
I takon qeverisë që të gjejë zgjidhje për të rritur pagat pa dëmtuar balancën financiare të shtetit, ndryshe qytetarët do të vazhdojnë të ikin. Në vendet e rajonit, Kosova ka pagën mesatare më të ulët dhe, sipas të dhënave të Agjencisë së Statistikave, është 570 euro. Vendet e tjera e kanë mbi 700, ndërsa Mali i Zi ka pagën mesatare 832 euro. Andaj, edhe Kosova duhet të bëjë "revolucion" duke ngritur pagat.
Pagat bruto për sektorin publik duhet të jenë 1000 euro minimumi, pensionet mbi 400 euro; kështu rritet mirëqenia dhe parandalohet deri diku ikja e të rinjve. Çdo gjë tjetër, pavarësisht sa mirë qeveria punon apo sa e pa korruptuar të jetë, nuk e frenon ikjen e qytetarëve. Rritja e pagave dhe sigurimi shëndetësor janë urgjente dhe duhet të bëhen.
Të tjerat janë fjalë që qytetarëve nuk u interesojnë derisa nuk arrijnë të dalin në fund të muajit. Kosova është në një situatë ku duhet të dalë nga varfëria, derisa nuk është vonë. Mbase më vonë kjo do të ndodhë, por qytetarë nuk do të ketë.