Pse përkrahet përcaktimi i Rankoviçit për Kosovën, si “Kosovo-Metohi”?!

Opinione

Pse përkrahet përcaktimi i Rankoviçit për Kosovën, si “Kosovo-Metohi”?!

Prof. Dr. Enver Bytyçi Nga Prof. Dr. Enver Bytyçi Më 26 dhjetor 2024 Në ora: 10:00
Foto ilustrim

Për tri ditë radhazi u bë debat i madh për mos-regjistrimin e Listës Srbska në Kosovë për zgjedhjet e 9 shkurtit 2025. Reaguan vetë përfaqësuesit e kësaj partie. Pastaj reagoi presidenti në ikje i Serbisë, Aleksandër Vuçiq. Më tej ishin tre-katër ambasadorë të Perëndimit që e dënuan aktin e mos-regjistrimit dhe i bënë thirrje Listës Srpska që të ankimonte vendimin e KQZ-së në PZAP. Lot krokodili nxorën jo pak analistë në mediet kosovare. Dhe të gjithë këta patën një model: - Të dënojnë mos-regjistrimin e partisë së Vuçiq dhe të Radoiçiq, pra të një partie serbe dhe jo të serbëve të Kosovës. Të dënojnë Albin Kurtin dhe Vjosa Osmanin, e cila e përkrahu vendimin e KQZ-së. Por, të mos flasin asgjë për faktin se kjo parti edhe kur kërkon të regjistrohet për t’u votuar, e bën këtë bazuar në kushtetutën e Republikës së Serbisë dhe jo në kushtetutën e Kosovës. Nuk e di nëse KQZ dhe përfaqësuesit e Vetëvendosjes, pra zoti Kurti, e provokuan qëllimisht këtë debat me vendimin që ata morën. Ndoshta dhe po.

Pavarësisht kësaj unë mendoj se i bënë mirë opinionit publik. Herë tjera Lista Srpska është regjistruar pa zhurmë dhe pa e marrë vesh askush se po përcaktohej si parti e Kosovo-Metohisë, si në kohën e Rankoviçit! Kësaj radhe, duke e refuzuar regjistrimin e saj me këtë logo, opinioni publik së paku mori vesh se në Kosovë garojnë jo parti kosovare të një shoqërie multietnike, por parti të Serbisë, të qeverisë serbe dhe të presidentit të Serbisë.

PZAP të mërkurën e pranoi kërkesën e Listës Srpska dhe urdhëroi regjistrimin e kandidatëve të saj për deputetë për të garuar në zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit. Ishte i paralajmëruar ky vendim i KZAP-së që kur diplomatët kërkuan ankimimin e Listës Srpska në kë këtë institucion zgjedhor më të lartin. Unë besoj se këta diplomatë kishin marrë kontakt me kryetarin e KZAP-së, ishin siguruar se Lista Srpska do të certifikohej në zgjedhje dhe më pas bënë deklaratën, me të cilën dënuan veprimin “politik” të KQZ-së dhe mbrojtën logon “Kosovo Metohija” të Listës Srpska.

Pra, ata janë plotësisht në pajtim me Aleksandër Vuçiq, kur ai flet me diplomatët perëndimorë me termin “Kosovo-Metohija”! Që do të thotë, se diplomatët perëndimorë, së paku formalisht, pajtohen me statusin e Kosovës të kohës së Rankoviçit nën Serbi! Pra, janë dakord që Serbia të mos e zbatojë Marrëveshjen e Brukselit dhe aneksin e Ohrit! Çdo interpretim tjetër nuk është i saktë, është zvarritje pas më të fortit! Kujtoj se edhe Milosheviçi në shumicën e rasteve në bisedat me ndërkombëtarë u drejtohej atyre me termin “Kosovo”!

Ky pajtim i ndërkombëtarëve qoftë dhe në formë me terminologjinë serbe dhe të partive të Serbisë në Kosovë nuk është i rastësishëm. Kush e njeh diplomacinë, kupton qartë se gjuha e saj ka përmbajtje dhe përmbajtja e reagimit të ambasadorëve në Kosovë është pajtimi me presidentin e Serbisë, qeverinë e Serbisë dhe Listën Srpska për të mos u pajtuar pavarësinë dhe shtetësinë e Kosovës! Megjithatë KZAP për momentin shmangu një ngërç tjetër midis ndërkombëtarëve dhe qeverisë Kurti. Opozitarët e qeverisë Kurti nisën ta trajtojnë mos-regjistrimin e Listës Srpska për zgjedhjet edhe si konflikt midis Kurtit dhe aleatëve perëndimorë. Kështu do të përfundonte me siguri. KZAP i dha fund shpejt këtij konflikti, që sapo filloi të konstruktohet.

Por nëse e analizojmë në pikëpamje të së drejtës, atëherë ne shkojmë në përfundimin se ndërkombëtarët janë për statusquo-në e gjendjes në Kosovë dhe kërkojnë një konflikt të ngrirë midis saj dhe Serbisë. Pra, kërkojnë që veriu i Kosovës të mbetet nën sundimin e bandave të Aleksandër Vuçiq dhe Milan Radoiçiq. Ndryshe do t’i kërkonin me insistim presidentit serb që ta dënponte kryeterroristin Radoiçiq! Këndej thonë se “po hetojnë”, se “kemi shkruar raporte për atë që ndodhi dhe përgjegjësitë e aktit terrorist të Banjskës”e nga ana tjetër përkrahin de facto pikërisht terrorin dhe krye-kryeterroristin serb, Aleksandër Vuçiq, edhe pse ky i fundit ka marrë tatëpjetën e tij politike të pakthyeshme.

Unë e kuptoj pozicionin e atyre analistëve që marrin anën e të fortit (Aleatëve) edhe kur ata i bëjnë fresk krimit dhe terrorit në veriun e Kosovës. Por nuk i kuptoj në faktin që sulmojnë kryeministrin Kurti, për të cilin së paku duhet të thonë se “Albini ka të drejtë, por duhet t’i qaset më me diplomaci aleatëve ndërkombëtarë”! Jooo! Këta opozitarë analistë, thonë se Aleksandër Vuçiq ka të drejtë, vetëm që të mos pranojnë veprimet pro-Kosovë të Albin Kurtit! Ky është turpi i retorikës së sotme në Kosovë e për Kosovën.

U bë mirë që Lista Srpska u regjistrua më në fund. Me siguri me logon “Kosovo-Metohi”! Por regjistrimi i saj shmangu edhe një përplasje tjetër me diplomatët pro-serbë, së paku për momentin, të Prishtinës dhe Beogradit. Por vetëm kaq. Kosova në këto zgjedhje do të vazhdojë të mbajë në parlament partitë e emëruara nga Beogradi në vendin e saj. Do Zoti që serbët e Kosovës e kuptojnë se vota e tyre duhet të shkojë për partitë serbe, të cilat e njohin shtetin dhe simbolet e Republikës së Kosovës. Por edhe për këtë shoh pak shanse. Megjithatë balanca do të ndryshojë pak.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat