Duke biseduar me shokë e miq që kanë patur fatin apo edhe hallin të jetojnë jashtë Shqipërisë, kryesisht në vende me demokraci të zhvilluar dhe ekonomikisht shumë më lart se vendi ynë, si fjala vjen Gjermania, Franca, Austria, Zvicra e ndonjë tjetër, shpesh biseda na ka “rrëshqitur” natyrshëm tek përparësitë që të jep jetesa në ato vende, por edhe tek ndëshkimi ligjorë në rastet e thyerjeve të ligjit, që është ku e ku më i ashpër se në Shqipëri. Fjala bie, në Zvicër, më pati treguar dikush, për një paketë boshe cigaresh, hedhur në rrugë pa kujdes, pas kilometrave të tëra larguar nga “vendngjarja”, shkelësi i ligjit ishte ndaluar nga policia dhe kishte marrë një gjobë të majme…
Një tjetër rast, një i afërt imi, ishte gjobitur në Gjermani sepse kishte lëvizur me shpejtësi me makinën e tij në autostradë, shkelje e kontrolluar përmes radarëve dhe fletë gjoba e majme i vjen në Tiranë, ia gjejnë adresën e saktë edhe në rrëmujën e organizuar të adresave tona dhe… - Nuk kam shans mos me e pague, - më thotë, ndryshe nuk mund të lëviz më në asnjë vend të Bashkimit Evropian! Shembuj të tillë ka plot. Dhe nuk bëhet fjalë për shkelje të tipit ndërtim pa leje, zaptim rruge apo çdo prone tjetër publike, dëmtim infrastrukture rrugore e sinjalistike qoftë edhe pa dashje, apo në raste aksidentesh rrugore, vjedhje uji e energjie elektrike, dëmtim i matësave të tyre, e të tjera shkelje, që pavarësisht trendit rënës, në vendin tonë janë masive, të zakonshme dhe shumica të pandëshkueshme
Shkurt, një vend quhet demokratik vetëm në se sundon kultura e ligjit, ndryshe përmes anarshisë, amullisë dhe rrëmujës nuk ka e nuk mund të ketë demokraci! Ndokush me të drejtë mund të më kujtojë sistemin e kaluar ku ligj kishim, ndoshta edhe më të ashpër se sot, e demokraci jo, por në fakt krahasimi çalon në të gjithë elementët e saj. Ligji nuk ishte një ligj demokratik dhe në të mirën e popullit, e ndonëse zbatohej rreptësisht, edhe aty kishte vend politika, e shkallët e rivendosjes të së drejtës nuk është se funksiononin, ndërkohë që nga ana tjetër pretendohej edhe një demokraci fallco, që bëhej pjesë e të njëjtës farsë që vinte përmes ligjit. Kjo dukej si fjala vjen, nga konsultimi publik për ligjet, apo edhe deri tek paraqitja në gjyqet popullore për shumë gjëra, e sipas interesave të kohës të klasës në pushtet. Nuk mund të kuPtohen pa njëri - tjetrIn sundimi i ligjit dhe demokracia. Kush i shkëput këto dy gjëra në konceptim, apo më keq akoma, në zbatim, nuk mund t’i shërbeje ndërtimit të një shoqërie të mirëqenë demokratike.
Kalimi nga sistemi i kaluar në pluralizëm (përsonalisht akoma nuk mund t’a quaj demokraci!), u shoqërua nga mendime, propogandë e veprime që nuk e përfillin ligjin dhe kjo u quajt e vazhdon të quhet demokraci. Kjo bëhej në kuadër të lirisë së individit në mendime, shprehje dhe veprime, ku dominon mendimi se kur je në demokraci mund të bësh ç’të duash dhe të veprosh si të duash. Kështu nisi dhe kështu vazhdon edhe sot. Doni shembuj? Të kundërtat janë vështirë të vërtetueshme me shembuj, ndërsa anarshia e thyerja e disiplinës ligjore të pa ndëshkuara, është normë sjellje. Kështu nisi në vitet 1991 - 1992, duke shembur, plaçkitur e vjedhur çdo gjë të vënë si ekonomi e përbashkët nga djersa e barkuriturve punëtorë e fshatarë që s’morën asgjë prej saj, veç përbuzjes, vazhdoi e njëjtë me privatizimet klienteliste - partiake në vitet 1992 - 1996, me shkatërrimet e organizuara të viteve 1997 - 1998 dhe… Në vend të ndëshkimeve, më aktivët prej tyre u shpërblyen me poste. Në krye të kësaj zullumahije qëndronte Partia Demokratike e Shqipërisë dhe Sali Berisha, që e justifikonin këtë masakër me nevojën e dekomunistizimit të vendit, sipas teorisë së “nivelit zero”. Veprimeve praktike të nxitura prej nevojave politike, u vihej si kurorë një veshje ideologjike, mbështetur edhe nga demagogji të tilla si teoria e “Çekut të Bardhë”, apo “të ushqyerit me lugë floriri”. Thyerja masive e ligjeve të kohës, vinte si një populizëm i tyre, si një çedukim, nga i cili përfitonin vetëm organizatorët e tyre e anarshistët. Natyrisht që pa “rrebelim”, nuk mund të ketë përmbysje sistemesh, por këtu e kam fjalën kryesisht për ato dëmtime e shkatërrime, vjedhje, përvehtësime masive e plaçkitje, që as kishin, e as kanë të bëjnë me “rrebelimet” e nevojën për përmbysjen e sistemit politik monopartiak. Më kujtohet një miku im elektriçist i atyre kohërave, kur unë i paguaja dritat çdo muaj, dhe ai më thoshte:
- Unë këtë detyrë kam, por do të falen të gjitha, e unë të them, mos i paguaj!
Ndoshta dinte diçka më shumë se unë elektricisti, por unë kam qenë e mbetem “frikacak” i lindur i ligjit dhe i tillë mbetem edhe sot. Në fakt, ashtu ndodhi atëherë. U falën me ligj të gjitha detyrimet e prapambetura, jo vetëm të energjisë elektrike e ujit, por edhe dënime të tjera të llojeve dhe masave të ndryshme. Si gjithnjë, kur ka anarki, humbasin gjithmonë të rregulltit, zbatuesit e ligjit, demokratët e vërtetë, dhe fitojnë hajdutët, anarshistët, djegësit, vrasësit e kriminelët gjithfarësh. Format e vjedhjes në vijim erdhën duke u sofistikuar, ashtu edhe faljet e vetvetes erdhën duke u maskuar. U shpik legalizimi, një faqe e zezë e masakrimit urban të vendit, i barabartë me ligjin komunist me nr.7501, “Për Tokën”, veçse tashmë në troje, e jo në toka bujqësore. Dhe nuk u legalizuan shtëpi banimi 1 - 2 katëshe, por pallate 10 katëshe. Në vend që kjo masakër të mbyllej, socialistët në pushtet e zbatuan atë dhe ia hapën oreksin më tej edhe në ujë, se në tokë e rërë po e po. Akoma nuk është gjetur një formulë për zaptimin e pastaj legalizimin e ajrit, por me këtë sens lëvizjeje edhe ajo shpejt mund të bëhet një realitet.
Le të kuptohemi: Unë nuk jam kundër amnistive, veçanërisht në momente kthesash historike kur shkeljet bëhen masive dhe një falje me ligj i shërben edukimit ligjorë, por “faljet” tona vijnë si falje për shkelje të frymëzuara e të piketuara për t’u falur, me prapavija politike e elektorale që edhe dreqit i shërbejnë, veç edukimit ligjorë të shoqërisë e demokracisë në vend jo! Socialistët erdhën në pushtet me “dorë të hekurt” për të vendosur demokracinë përmes sundimit të ligjit. Disa rezultate edhe u dukën në horizont. Disa raste të tjera çuan në ekstremizma të pashoqe e deri në hasmëri, plagosje e vetvrasje. Ndërkohë u “mbyll njëri sy”, herë pas here, për të lejuar shkelje të reja “për ata të nënës”, planifikuar për t’u falur prej tyre, e “për ndonjë të njerkës”, për t’i zënë ata sin ë pusi dhe marrë votën, ashtu si edhe përmes shpërblimeve të pashoqe me karrike shteti apo poste pa karrike, si n’mall të huaj, që socialistët e bënë pa asnjë llogari tjetër, veç votës e sipas parimit makiavelist: Qëllimi e justifikon mjetin!
Tashmë gjendemi përballë një tjetër faljeje, një tjetër fallciteti elektoral e politik të dyanshëm. Që është elektorale kjo falje e projektuar, askush nuk e ve në dyshim pasi tashmë është shpallur data e zgjedhjeve të ardhshme, e balancat elektorale janë në një lëvizje të çuditshme e të pa parashikuara sa e si duhet, që është politike dihet se shkelësit më të mëdhenj, që s’kanë paguar (këta falen!) janë të partisë në pushtet, sipas parimit: i yti mishin t’a han, por kockën t’a ruan!, ose ata kundërshtarë që me një të shkelur syri e shesin partinë e tyre (për ideale e bindje nuk bëhet fjalë!), e i japin votën “magjes” së madhe socialiste. Deri këtu gjithshka sipas “shinave” të shtruara tash 34 vite, por çudia më e madhe qëndron në faktin se falja është e dyanshme. Sali Berisha e kundërshtoi fillimisht “fuqishëm” projektin, sipas stilit të vet: luftë dhëmb për dhënb që kundërshtarit, duke e detyruar “të lehë” si ai, do t’i shpëtoje ndonjë kockë për ta, e tash duke shtuar amandamente projektit të socialistëve që e tejkalojnë edhe vetë atë, për t’u mbushur mendjen të gjithëve se shpëtimi i tyre e ka emrin Sali. Është përsëri në sfond një marrëveshje në distancë mes krerëve pa krye që s’ndodh për herë të parë, as të fundit, që merr në mbrojtje të keqen, thyerjen e ligjit, anarshinë, thjesht për përfitime partiako - elektorale. Në se do ishte ndryshe, pse projektligji nuk u kthen paratë edhe atyre që i kanë paguar? Pse për profesionet e lira u desh vendimi i Gjykatës Kushtetuese t’u ktheheshin pagesat e bëra atyre më të rregulltëve, kur vetë ligji kishte rënë?! Nuk është vetëm ky rasti e problemi. Gjithnjë kanë ndodhur të tilla amnisti (falje), por gjithnjë ato kanë qenë më shumë çedukuese në raport me ligjin e favorizuese në raport me një shtresë të caktuar që, si thyerjen e ligjit ashtu edhe mospagesën e dëmit për thyerjen e tij, e kanë metodë pune. Ndodh kështu me taksat e prapambetura të bizneseve apo individëve, ndodh me dënimet penale, civile e administrative, ndodh me vetë ligjin. Vetë paqëndrueshmëria e ligjeve që sjell pasiguri ligjore e edukon këtë vijë sjelljeje. Edhe në se thyerësit e ligjit nuk janë të lidhur me qarqe e lobime parlamentare e qeveritare, kjo vijë sjellje me ndryshimin e ligjeve herë pas here, shpesh pa e provuar as efektivitettin e tyre real, ndëshkimet me “urra” e selektive, mbyllja e njërit sy para një kategori thyerësish të ligjit e pastaj falja e “të fortëve” ndaj ligjit, po me ligj, është mënyra më e keqe e funksionimit të atij që quhet shtet ligjorë…
Të fortët falen me ligj e pa ligj, ndërsa të drejtët, ata që zbatojnë me përpikmëri ligjin, ndëshkohen me ligj e pa ligj. Shih në rrugë, po deshe. Kalon krimineli, deputeti, kryetari, maskarai, pasunari, dhe polici fshihet, ose bën sikur nuk pashë e s’dëgjova duke shkelir ligjin, e nëse rastësisht e ndalon dhe e gjobit pa e njohur, shkon me vrap dhe gjobën e paguan vetë, ndërsa njeriu i thjeshtë gjobitet me ligj e pa ligj dhe nuk falet edhe në se është me një këmbë, e si i tillë nuk mund të mos e ndalonte mjetin e tij për pak çaste edhe aty ku nuk lejohet. Kështu ndodh edhe me atë që për arësye halli, kërkon të zgjerojë banesën ekzistuese dhe i kishte shtue kasolles së tij në tokën e gjyshërve edhe një dhomë me blloqe betoni sepse kishte martuar djalin, e çifti s’kishte ku të flinte, i cili gjobitet e burgoset, ndërsa ndërtuesit e pallateve shumëkatëshe në bregdet, në qytet dhe në zona turistike e të mbrojtura me ligj, falen. Ky vetëm ligj s’mund të jetë, e falja e atyre që kanë mbetur pas torturave të pësuara nga fukarenjtë, veç falje nuk është!
Edi Rama dhe socialistët rilindas për nevoja të një pushteti absolut dhe të tejzgjatur, nuk shohin rrugë të tjera, veçse të luftojnë kundërshtarin me metodat e mjetet e tij, apo të blejnë “lojtarët” kundërshtarë siç edhe e kanë bërë vijimësisht, por druaj se kanë harruar se Sali Berisha e opozita e vjetër janë kurdoherë një hap përpara në këtë fushë, për shkak të 34 viteve të krimeve të tyre të pandëshkuara, dhe padyshim se edhe kjo falje e projektuar, çon ujë më shumë në mullirin e tyre. Populli kërkon demokraci, që nënkupton barazi e ligj, jo çoka të fortësh, me të cilat nuk mund të shkohet askund, dhe nuk mund të hidhet asnjë hap përpara!
----------------------------------------
)* poet, intelektual e studjues, Lezhë