Vërshimi i mediokriteteve

Opinione

Vërshimi i mediokriteteve

Nga: Lis Bukuroca Më: 26 dhjetor 2024 Në ora: 16:22
Lis Bukuroca

Një doktor i shkencave në fushën e gjeologjisë, pak para ose pas daljes në pension, vendos të pendohet për profesionin e tij fillestar dhe merr vendimin të bëhet albanolog – pa kaluar në një proces të mirëfilltë specializimi. Dhe, bëhet. Për të ndërtuar profilin e ri në fushën e re, ai e sheh të domosdoshme të poshtërojë Akademinë e Shkencave.

Ndërprerja e karrierës në një fushë shkencore dhe kalimi në një tjetër, veçanërisht pa një studim të thelluar, ngre dyshime për integritetin psikologjik të tij. Në këtë kontekst, mund të lexohen edhe arsyet pse përpiqet të delegjitimojë autoritetet ekzistuese.

Ai nuk do të kërkojë më minerale, por thesare albanologjike. Dhe, sigurisht, do t’i gjejë kudo. Zotëria i dalldisur kishte arritur në përfundimin se Krishti kishte folur gegërisht dhe se Shën Pali predikonte në Skrapar. (Natyrisht, ku tjetër mund të përhapej fjala e shenjtë më mirë?) Kjo është një përzierje mes dalldisë dhe fantazisë së pakontrolluar, apo thjesht humbje e aftësisë për të dalluar realitetin nga halucinacionet.

Dhe, befasi! Bëhu gati! Citat: “Emrat Maria dhe Krisht janë shqiptarë të kulluar,” paska  deklaruar ai, ndërsa izraelitët paskan qenë ilirë. E para, Krishti nuk quhej Krisht, por Jeshua. Isai. Jezu. 

(Emri Krisht vjen nga fjala greke Christos (Χριστός), që do të thotë "I vajosuri". Kjo fjalë greke, nga ana e saj, është përkthimi i termit hebraik Mashiach, ose "Mesia", që gjithashtu do të thotë "I vajosuri. "Krisht" nuk është një emër, por një epitet ). 

Sipas Biblës, hebrenjtë dhe arabët kanë një origjinë të përbashkët që lidhet me Abrahamin. Hebrenjtë rrjedhin nga Isaku, djali i Abrahamit me bashkëshorten e tij, Sarën, ndërsa arabët nga Ismaeli, djali i tij me shërbëtoren e Sarës, Hagarën. Por kushdo që nuk pajtohet me këto “zbulime” mbi origjinën tonë të përbashkët me hebrenjtë dhe arabët, me siguri nuk ka lexuar ndonjë “enciklopedi” nga hoxha ose zbulimet e fundit mbi gjenetikën e homo sapiensit nga inxhinieri!

Për inat të gjeologut, sapo mbetet pa punë, apo sapo del në pension, pendohet edhe inxhinieri për profesionin e tij. Ky i fundit vendos të rimodelojë jetën, duke u marrë me katër "specializime" të reja: albanologjinë, gjenetikën, arkeologjinë dhe historinë, jo vetëm atë të një epoke, por edhe historinë e zanafillës. I pëlqen ta quajnë “profesor,” një titull që nuk e ka fituar kurrë.

 

Dhe çfarë zbulon inxhinieri në kërkimet e tij? Me një piskamë triumfale ai shpall: “Roma ka folur shqip,” “romakët ishim ne,” dhe “Kleopatra ishte bija e të parëve tanë.” „Koptët e Egjyptit ishim ne.“ Por ai nuk ndalet këtu. Duke i dhënë fantazisë edhe më shumë hov, ai zbulon se Stonehenge – Tempulli i Gurëve në Angli – paskësh qenë ndërtuar nga pellazgët ose ilirët, të cilët, sipas tij, janë “të parët e të parëve tanë në historinë e Britanisë.“

 

Ky “profesor,” që nuk ka studiuar kurrë as histori, as arkeologji, as gjenetikë dhe as gjuhë, ofron një ilustrim të gjallë se si mungesa e një metodologjie serioze dhe e një arsimimi të mirëfilltë mund të çojë në krijimin e histerive moderne. Këto zëvendësojnë shkencën e vërtetë me fantazi dhe dalldi personale, shpesh të ngjyrosura me tone nacionaliste. Apo kryesisht me tone nacionaliste.

Por, historia e inxhinierit nuk mbaron me kaq! I zhytur gjithnjë e më thellë në fantashkencën e tij, ai shkon aq larg sa ta shpallë latinishten gjuhë artificiale. Sipas tij, një popull analfabet paska pasur profesorë me inteligjencë artificiale, që e paskan krijuar latinishten artificiale dhe ata, atë latinishte, ia paskan mësuar analfabetëve romakë. E si?  Me email apo duke ua dërguar me SMS. Në këtë mënyrë, qytetarët romakë (që sipas tij ishim ne) u latinizuan, u asimiluan. Me një fjali, inxhinieri i shpall injorantë gjuhëtarët më të mëdhenj të botës.

Por "zbulimet" e tij nuk përfundojnë këtu. Me krenari të pashtershme, ai pohon se ka shkruar 10 libra për pellazgët dhe, duke iu drejtuar një pyetje lexuesve në Facebook, shkruan: “A t’i botoj?” Duhen donacione. Lexuesi thotë po, por pyetja është: kush do t’i blejë ato, jo kush do t’i financojë e kush do t’i botojë?

Zotëria, me vetëdije të plotë, manipulon. Ai mashtron publikun dhe përhap teori që nuk mbështeten as në burime shkencore, as në logjikë të shëndoshë. Edhe kur përballet me fakte që tregojnë gabimet e tij, ai refuzon t’i pranojë. I fshin menjëherë komentet që e demantojnë. Dëmi që shkakton ai është i shumëfishtë, pasi kundërshton dijen e mirëfilltë duke promovuar një tallava-shkencë.  

Edhe ky e lufton akademinë pa lexuar veprat e akademikëve. Edhe ky për të kristalizuar një profil në fushat e reja, që nuk i ka studiuar kurrë, e sheh të domosdoshme të poshtërojë dhe delegjitimojë Akademinë e Shkencave.. Edhe ky beson se duke eliminuar Akademinë, ngrihet vetë. Ai e dëshiron një Akademi nacionaliste si ajo serbe, që e shkatërroi ish Jugosllavinë dhe ia shkaktoi Serbisë katër disfata të mëdha.

Edhe te inxhinieri, si te gjeologu, vlen ky mendim: ndërprerja e karrierës në një fushë shkencore dhe kalimi në një tjetër, pa një studim të thelluar, ngre dyshime për integritetin e tij psikologjik. Aty mund të kuptohen edhe arsyet pse përpiqet të delegjitimojë autoritetet ekzistuese në tërësi, pa përmendur as së paku një përjashtim nga dhjetëra akademikë. 

Nëse nuk e shpall Akademinë si tradhtare, si mund ta luftojë atë? Për ta asgjësuar, ai duhet fillimisht të minojë integritetin e saj, duke e bërë më të lehtë që më pas të promovojë marrëzi. 

Nuk përfundon këtu. Ndërkohë, operatori i makinerive dhe pajisjeve në Gjermani, i cili nuk ka pasur asnjë pendesë për profesionin e tij, siç kishin bërë të parët, i ka shtuar vetes tre "specializime" të tjera për kohë të lirë: Gjuhëtar, historian dhe arkeolog.

Ai ka zbuluar se emri Bavari nuk e ka origjinën nga fjala gjermane, siç e shpjegojnë profesorët gjermanë, por nga ilirët dhe fjala "Bujar." Dhe për të mos mbetur pas, ai zbulon se, sipas tij, “Familja Cristoforo Colombo besohet të ketë origjinën nga qyteti shqiptar i Durrësit, ku njiheshin si ‘Kolombi’ ose ‘Kolompi.’” Sipas tij, mbiemri ‘Colombo‘ rrjedh nga fjala shqipe “kolomb,” që do të thotë “pëllumb.”

Problemi i vetëm është se fjala “kolomb” nuk ekziston në shqip, ndërkohë që “Colombo” vjen nga latinishtja columbus, që në italisht “colombo” do të thotë pikërisht pëllumb. Ky operator është edhe arkeolog virtual, jo me kazmë, por duke groposur nëpër internet në shkrimet e huaja të vjetra. I lexon ato me shqipen e sotme, jo me atë të shekullit kur janë shkruar, pa pasur asnjë ide se gjuhën shqipe të para 13 shekujve sot nuk do ta kuptonte me profesionin që ka. Operatori, për më tepër, i quan akademikët “akdemykë.” Edhe ky beson se për të ndërtuar një profil në fushat e reja, është e domosdoshme të delegjitimojë Akademinë e Shkencave. Të shkatërrohet ajo. 

Tjetri, Sharr Latani, shfaqet në televizion dhe thotë se në Gjermani nxënësit gjerman mësojnë në klasën e katërt për ilirët apo për pallavra tjera, që na pëlqejnë neve të jenë të vërteta. Askund në botë historia nuk mësohet në klasën katërt, por kjo stuhi nxori në sipërfaqeje si llavë morinë e sharlatanëve. Ata po ftohen dhe pallavrat e tyre po i ligjërojnë në televizion. 

Dhe pastaj? Siç e dini, edhe hoxha është penduar për profesionin e tij dhe tani nuk shkruan më libra fetarë, por enciklopedi për shkrimtarë. Ja periudha në të cilën ndodhemi: hoxha shkruan enciklopedi, gjeologu merret me gjuhësi dhe histori, inxhinieri me albanologji, histori, gjenetikë dhe arkeologji, ndërsa operatori i makinerive me etimologji, histori dhe arkeologji.

Ky nuk është „vërshim i budallenjve“, siç i quan Umberto Eco, por te ne është një vërshim epidemik i mediokriteteve. Budallenjtë nuk mund të dëmtojnë shumë, por gjysmakët, po. Kapoja i tyre më shkroi: “Edhe ti po shkruan romane e poezi.” Shihej qartë se ai nuk e kuptonte dallimin mes letërsisë si art dhe albanologjisë, si disiplinë shkencore.

Sulmi, si i tyre, ndaj Akademisë së Shkencave, si institucioni më i lartë i inteligjencës shqiptare, përbën një akt armiqësor. Pse? Polemika me ndonjë akademik apo disa prej tyre, duke kundërshtuar veprat e tyre, tezat e tyre, është jo vetëm e pranueshme, por edhe e nevojshme. Sulmi i Akademisë në tërësi është akt tradhtar ndaj kombit.

Në Akademi ka jurist, ekonomist, biolog, kimist, letrar, gjuhëtar, historian, filozof, specialist nga fusha e bujqësisë dhe shumë ekspertë të tjerë. Akuzat që e shpallin krejt Akademinë një institucion në shërbim të huaj synojnë asgjësimin, defaktorizimin e saj tërësor dhe rikthimin e kombit shqiptar në periudha pushtimi, kur një institucion i tillë nuk ekzistonte. 

Ato ide, në themel, janë antishqiptare, pasi kanë për qëllim zëvendësimin e intelektualëve të mirëfilltë (jo ndonjë, por të gjithë) me sharlatanë, me mediokritete të mirëfilltë. Si e bënte dje Serbia me shqiptarët e saj të ndershëm që i quante „pošteni albanci“.

 

Mbështetja ose ofrimi i platformës për të promovuar aberracionet e tyre mund të sjellë pasoja serioze për zhvillimin e dijes shqiptare në përgjithësi. Megjithatë, disa vazhdojnë t’i përkrahin këto iluzione, sepse parapëlqejnë të kapen pas një krenarie të shpifur, jo të përballen me të vërtetën.

I gjithë ky fenomen është një festival absurd teorish mediokre, një cirk ku çdo kufi logjik dhe shkencor është shembur. Këta individë nuk prodhojnë shkencë, por një koktej manipulimesh që ushqejnë një krenari kombëtare të rreme. Në të vërtetë, ata përhapin pseudoshkencë, nacionaliste, duke abuzuar naivitetin e njerëzve dhe madje u kërkojnë para për të botuar libra me ato budallallëqe.

Prandaj, le të përgatitemi për edicionin e ardhshëm të tallava-shkencës, ku do të zbulojnë se zoti vetë është pellazg. Dhe, ndoshta, do ta zbulojnë atë diku ulur, galuc me plis në kokë.

 

Me ekstremizëm dhe krenari fetare, e kopjuan Serbinë, tani përpiqen të prodhojnë një pseudo-shkencë nacional-fashiste, të ngjashme me atë të Akademisë Serbe. Ajo „shkencë“ nacionaliste e tkurri Serbinë brenda kufijve të vet. Shkenca nacional-fashiste ka dëmtuar edhe Gjermaninë. 

Tek ne, tallava-shkencëtarët armik kryesor e kanë shpallur Akademinë e Shkencave, jo padijen e vet. Dëshirë e tyre është të armiqësojnë kombin shqiptar me të gjithë dhe të rrezikojnë shtetet shqiptare. Ndoshta jo me vetëdije, por po punojnë për të prodhuar pasoja të tilla. Ata të gjitha kombet në Europën juglindore i kanë shpallur kombe artificiale. Këto janë teori fashiste. Njerëzit nuk janë çfarë dëshirojnë racistët tanë, pro çfarë ata ndihen vetë.

Nëse është e drejtë t’u thuhet njerëzve se Zvicra është kryeqytet i Kinës, atëherë edhe mendimet e tyre mund të quhen të vlefshme. Faji nuk është aq i këtyre mediokriteteve, por i atyre që u japin platformë për banalitetin dhe halucinacionet e tyre. 

Çdo intelektual që nuk e demaskon këtë tallava-vërshim, do të dëmtojë. Pse? Sepse këta duan të tregojnë se pa studime, njeriu mund të bëhet linguist, albanolog, etimolog, historian i çdo epoke, apo edhe arkeolog.

Dua t’u rekomandoj atyre të lexojnë librin e gjuhëtarit dhe shkrimtarit Ardian Vehbiu, ‚Përralltarët e gjuhës shqipe‘. Në këtë vepër, autori, me një nivel shumë të lartë shkencor dhe profesional, ka trajtuar përrallat e tyre dhe dëmet që ato shkaktojnë. Madje, ai i ka nderuar “turboalbanologët” – siç i quan ai – duke i përmendur me emër e mbiemër, por edhe duke i zhveshur lakuriq në “kontributet” e tyre. Druaj se për disa lexues libri mund të duket tepër i trashë dhe shumë shkencor. Suksesi më i madh që ata, “turboalbanologët,” kanë arritur është se emrat e tyre do të mbijetojnë në librin e tij. Kaq. Asgjë më shumë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat