Para pak ditësh Gjykata Themelore në Prishtinë, ka dënuar me 39 vjet burgim në total e 300 mijë euro gjobë të akuzuarit në rastin “Toka”. Por, i lirë është lënë njeriu kryesor i rastit, ish-deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Azem Syla.
E habitshme se si gjykata liron Sylën, derisa dënoi me shtatë vjet burgim e 50 mijë euro gjobë Shaban Sylën. Dënim të njëjtë i shqiptoi edhe Shpresim Ukës. Të kujtojmë se, në vitin 2019, Ambasada e SHBA-ve në Kosovë kishte njoftuar se ka vendosur mos t’u japë viza disa të akuzuarve për rastet më të rënda korruptive në Kosovë.
Në mesin e atyre personave janë: Adem Grabovci, Ukë Rugova, Azem Syla, Sami Lushtaku, Besim Beqaj, Zenun Pajazit dhe Astrit Haraqija së bashku me dhjetëra të tjerë. Kështu, u konfirmua edhe një herë sistemi i dështuar i drejtësisë me nevojën e madhe të reformimit rrënjësor. Mungesa e drejtësisë pa krijuar padrejtësi të mëdha në favor të pushtetarëve dhe të oligarkëve të pasur të lidhur me politikën. Dënimi i disa të tjerëve në rastin "Toka", por jo i njeriut kryesor, është skandaloze duke dëshmuar kështu seleksionimin e drejtësisë brenda të njëjtit rast.
Sistemi i drejtësisë në Kosovë është produkt i kapjes së saj nga politika, andaj ky sistem ka degraduar aq shumë sa s’ka më asnjë relevancë për drejtësinë e vërtetë. Si nevojë urgjente duhet rrënuar komplet ky sistem fillimisht duke miratuar ligjin e lustracionit. Pra, pa miratimin e ligjit të lustracionit, i cili do të verifikonte të kaluarën e secilit pjesëtarë të drejtësisë, nuk ka gjasa që Kosova të çlirohet nga e keqja që e ka kapluar përmes njerëzve të kalbur në sistemin e dështuar të drejtësisë.
Prokurorët e sotëm janë produkt i flirtimit të tyre me politikën, disa kanë futur aty edhe familjarë të tyre, duke ndërtuar një lloj perandorie dhe e cila kontrollohet nga pak njerëz, të lidhur me pushtetin e kriminalizuar. Prandaj, Kosova duhet të insistojë që të miratohet ky ligj, si e vetmja shpresë se në këtë vend njëherë e përgjithmonë do të vendoset drejtësia e munguar.
Lirimi i Azem Sylës nxit më shumë nevojën urgjente për reforma të thella në drejtësi.