Reduktimet e energjisë në Kosovë: Burim i arrogancës politike, mos dijes dhe papërgjegjësisë ndaj shtetit!...

Opinione

Reduktimet e energjisë në Kosovë: Burim i arrogancës politike, mos dijes dhe papërgjegjësisë ndaj shtetit!...

Nga: Gazetari Ismail Muçiqi Më: 29 dhjetor 2024 Në ora: 15:43
Foto ilustrim

Kosova ka resurse nëntokësore të cilat garantojnë zhvillim ekonomik, me hapa më të shpejtuara se vendet e tjera të rajonit. Kështu, rezervat e thëngjillit që ndodhin nëntokën e Kosovës, sipas hulumtimeve më të ndryshme të brendshme dhe të jashtme, parashihen në vlerë prej 500 miliardë dollarësh. Por jo vetëm këto, pasuritë nëntokësore me të cilat disponon toka e Kosovës, duke filluar nga minierat ekzistuese dhe pasuritë e tjera minerale, paraqesin një shumëlartë, marramendëse, në vlerë prej 1000 miliardash asete kombëtare.

Për shkak të kësaj pasurie natyrore, Serbia nuk heq dorë nga Kosova, jo që nuk mund të jetojë pa shqiptarët, por dëshiron t’i shfrytëzojë (gllabërojë) pasuritë natyrore që i ka toka e Kosovës. Mjerisht, edhe pas 25 viteve në liri, Kosova ballafaqohet me mungesë të energjisë elektrike për shkak të papërgjegjësisë totale politike, njerëzore dhe morale të atyre që udhëhoqën me politikën e pasluftës. Kapacitetet ekzistuese që prodhojnë energji elektrike, vit pas viti, janë amortizuar deri në atë masë që nuk garantojnë sasi të mjaftueshme të prodhimit të energjisë elektrike.

Duhet theksuar se kohë pas kohe pati iniciativa nga kompani të ndryshme amerikane dhe gjermane për ndërtimin e termoelektranave me thëngjill, të cilat dështuam për shkak të pengesave dhe bllokadave nga grupe të interesit, nga njerëz pa dinjitet dhe integritet, të cilët lobuan gjithandej Perëndimit kundër ndërtimit të ri të sistemit të energjisë me kapacitet prej 1300 megavatësh, ose më shumë. Këtij lobimi i ndihmuan edhe disa organizata të ashtuquajtura të Shoqërisë Civile, të cilat nuk kanë asgjë të përbashkët me ambientin e natyrës apo zhvillimin ekonomik të vendit. Nuk ka dyshim se Kosova mbeti pa energji në vazhdimësi gjatë stinës së dimrit, ku po pësojnë bizneset dhe kapacitete të tjera të industrisë. Tani reduktimet kanë filluar edhe nëpër fshatra, qytete dhe vendbanime gjithandej Republikës së Kosovës. Kjo është e pafalshme dhe nuk ka asnjë justifikim për të gjitha qeveritë e pasluftës, të cilat dështuan dhe do të mbahen mend nga qytetarët vetëm për mos punë dhe papërgjegjshmëri ndaj popullit.

Po të kishte vetëdije dhe përkushtim ndaj qytetarëve dhe shtetit, sot Kosova do duhej t’i kishte ndërtuar kapacitete të reja energjetike prej 2000 megavatësh, të cilat do të garantonin stabilitet të përgjithshëm për vendin. Kështu, 500 megavatë do t’i shtoheshin burimeve që tani i ka në shfrytëzim Kosova A dhe ajo B, gjithsej 1500 megavatë, të cilat do të ishin të mjaftueshme për nevojat e vendit. Në anën tjetër, 500 megavatë Kosova do t’i eksportonte (do t’i shiste) vendeve të reja, duke krijuar bazën e të ardhurave financiare për zhvillimin e përgjithshëm ekonomik dhe shoqëror me hapa shumë më të shpejtë. Krizat ekonomike dhe situata globale në botë kanë ndikuar edhe në shtetet më të zhvilluara si janë Gjermania, Franca, Austria dhe shumë të tjera, që po i rikthejnë në funksion termoelektronat me thëngjill, të cilat dikur ishin dalur nga sistemi i prodhimit.

Të kesh burime të dhuruara nga natyra me të gjitha resurset që i duhen vendit dhe mos t’i shfrytëzosh, nuk do koment. Kjo mund t’i ndodhë vetëm një shoqërie të kalbur, të padijshme, të papërgatitur, e cila nuk ka vizion as strategji për ta udhëhequr shtetin. Andaj, në fund po theksojmë se reagimet e qytetarëve gjithandej Kosovës për reduktimin e energjisë elektrike janë plotësisht të drejta dhe të arsyeshme në prag të festave të Vitit të Ri. Për fat të keq, nuk kemi analiza të trendeve zhvillimore as të amvisërive private. Pothuajse në çdo vendbanim, ndërtimet janë katërfishuar që nga paslufta, duke imponuar nevojën e vazhdueshme të shpenzimit të energjisë elektrike. Kjo është e vërteta.

 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat