Kosova përballë rreziqeve të reja: Kurti paralajmëroi sulme destabilizuese në veri, ja si duhet të reagojnë institucionet

Opinione

Kosova përballë rreziqeve të reja: Kurti paralajmëroi sulme destabilizuese në veri, ja si duhet të reagojnë institucionet

Mimozë Lakna Rogova Nga Mimozë Lakna Rogova Më 29 dhjetor 2024 Në ora: 19:56
Albin Kurti dhe Aleksandar Vuçiq

Kanë mbetur vetëm edhe dy ditë deri në përfundim të vitit 2024.

Viti që po lëmë pas u karakterizua me ngjarje të shumta politike e shoqërore, mirëpo, në qendër të vëmendjes ishte situata e sigurisë, veçanërisht në pjesën veriore të vendit.

Policia e Kosovës përgjatë vitit 2024 ka zhvilluar aksione të shumta duke bërë arrestime, konfiskime armësh e mbyllje të “zyrave paralele” në veri.

Nga ana tjetër, nuk kanë munguar as sulmet dhe veprat kriminale, ndërsa më i rëndi ishte shpërthimi në kanalin e Ibër Lepencit që ndodhi më 29 nëntor.

Aktakuza për sulmin terrorist të 24 shtatorit 2023 në Banjskë të Zveçanit mund të konsiderohet si suksesi më i madh i institucioneve të Kosovës.

Më 11 shtator 2024, Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK) ka ngritur aktakuzë kundër Milan Radoiçiqit dhe 44 personave të tjerë për sulmin terrorist të 24 shtatorit 2023 në Banjskë të Zveçanit.

Të akuzuarit ngarkohen se përmes përdorimit të dhunës me armatim të rëndë, tentuan ta shkëpusin pjesën veriore të territorit të Republikës së Kosovës e t’ia bashkojnë Republikës së Serbisë, me ç’rast si rezultat i dhunës së përdorur ka mbetur i vdekur zyrtari policor Afrim Bunjaku e u rrezikua jeta e zyrtarëve tjerë policorë dhe popullatës civile.

Por, siç duket Serbia me qëllimet e saj destabilizuese nuk do të na hiqet qafe as në vitin që po vjen.

Kështu la të kuptohet, Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ditë më parë, i cili paralajmëroi se priten të ndodhin sulme të reja në veri të vendit, para dhe pas Vitit të Ri.

“Këso metodash të sfidimit të sigurisë në Kosovë, të cilat për pasojë kanë jo vetëm cenimin e dëmtimin e infrastrukturës vitale, shkaktimin e incidenteve ndëretnike të cilat Serbia i nxit fort, pastaj shkaktimin e panikut në mesin e qytetarëve, e krejt në fund, edhe krijimin e një imazhi të një vendi jostabil pritet të ndodhin edhe në të ardhmen e afërt dhe veçmas para dhe pas Vitit të Ri. Këto sulme mund të synohen të realizohen varësisht prej interesave politike të kreut të shtetit serbë, posaçërisht për protestat e vazhdueshme opozitare atje”, ka thënë ai.

Kjo deklaratë e Kryeministrit të Kosovës tregoi një shqetësim të drejtpërdrejtë lidhur me situatën e sigurisë në vend por edhe në rajon.

Pra, mund të konsiderohet edhe si një paralajmërim serioz që ka si objektiv gjendjen e gatishmërisë dhe përkushtimit të institucioneve të Kosovës për të ruajtur rendin dhe stabilitetin, veçanërisht në një periudhë delikate kur tensionet janë të larta, jo vetëm për shkak të situatës në veri, por edhe për shkak të zhvillimeve politike dhe sociale në Serbi.

Gjithë kjo vjen pasi situata në veri të Kosovës ka mbetur e tensionuar për një kohë të gjatë, e ku me gjithë aksionet e Policisë së Kosovës prania e grupeve kriminale vazhdon të jetë e konsiderueshme.

Sulmi në kanalin e Ibër Lepencit tregoi se këto grupe ka mundësi të veprojnë herë pas here për ta destabilizuar situatën.

Megjithatë, është e rëndësishme të theksohet se këto paralajmërime, ndonëse të ndjeshme, janë gjithashtu një mundësi për të aktivizuar mekanizmat mbrojtës dhe për të rritur vigjilencën, veçanërisht në ditët e festave, kur mund të ketë më shumë mundësi për të maskuar aktivitete të tilla.

Edhe protestat masive të ditëve të fundit, kundër Vuçiqit në Serbi, mund të krijojnë një mjedis politik që mund të ndikojë edhe në Kosovë.

Pra, mund të ketë tentativa për të zhvendosur vëmendjen dhe për të shmangur kritikën ndaj qeverisë serbe, përmes veprimeve që mund të ndikojnë në stabilitetin e Kosovës.

Sulmet mund të ndodhin nëse grupet që janë të lidhura me autoritetet serbe në veri të Kosovës vendosin të përfshihen në veprime agresive, siç edhe kanë bërë në të kaluarën.

Pra, në përgjithësi, situata është e ndjeshme, dhe deklarata e Kryeministrit Kurti është një paralajmërim që nënvizon rëndësinë e mbajtjes së një gjendje të lartë gatishmërie.

Është e rëndësishme që institucionet e Kosovës të jenë në koordinim të vazhdueshëm me aleatët ndërkombëtarë dhe KFOR-in, në mënyrë që ta përballojnë çdo veprim destabilizues të Serbisë.

Po ashtu, edhe skena politike në vend, kur bëhet fjalë për veriun duhet t’i lë anash mospajtimet dhe të jetë sa më unike përball.

Kjo nënkupton që, në vend të akuzave kundër kryeministrit Kurti, liderët opozitar do të duhej të kërkonin llogari nga Serbia për veprimet destabilizuese të saj nëpërmjet grupeve kriminale në veri.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat