LDK-në edhe në këto zgjedhje do ta mallkojë injorimi që ia bënë diasporës

Opinione

LDK-në edhe në këto zgjedhje do ta mallkojë injorimi që ia bënë diasporës

Nga: Shefqet Dibrani Më: 29 dhjetor 2024 Në ora: 20:33
Hafiz Gagica

Veprimtari HAFIZ GAGICA, ishte strumbullari i të gjitha suksesve diplomatike, ushtarake dhe politike, në periudhën ma të rëndesishme nëpër të cilën kaloi Kosova. Prandaj duhet të dihet se pa diasporën demokratike shqiptare në Evropë dhe Amerikë, Kosova kurrë nuk e kishte fituar Luftën dhe as Paqën Demokratike, nocion në të cilin ka 25 vjet po qirren të gjithë. Të majtit, të qendrës dhe të djathtit, madje të gjithë thirren në aleatët Europerëndimor dhe në Amerikën, (bile edhe klerikë që predikojnë ekstremin fetar!). Tash, të gjithë janë bërë humanist dhe patriot, madje edhe udbashët me damkë, zullimqarët e njohur, informatorët e zellshëm dhe njerëz me plot mëkate. Sa ishin prindërit e dëmshëm, po aq janë bërë neveritës edhe bijtë e tyre, të cilët edhe sot nuk po ia ndërpërejnë zullumin Kosovës. Ata po botojnë libra të famshëm, dhe po merrën edhe me çështje të mëdha, (pa u skuqur gënjejnë se të gjithë i paskan raportuar dr. Rugovës dhe prof. Aganit?!). Në këtë plan nuk po mbesin prapa as gazetarët e njohur komunist që dikur raportonin kundër nacionalizmit dhe irredentizmit shqiptar, duke diferencuar rininë, intelektualët sipas qejfit të punëdhënësve të tyre nëpër Komitete Komunale të Lidhjes Komuniste të Kosovës. Por e keqja e madhe në vendin tonë ka ndodhur në këto 25 vjet, pasi askush nuk mori iniciativen për t’i hapur dosjet dhe për t’ua pamundësuar këtë livadhisje edhe në kohë e tashme të demokracisë.

Është pikërisht kjo tendencë antikombëtare që e dominoi në këto 25 vjet frymën demokratike të politikës kosovare. Fatkeqësisht LDK-ja, shpejt harroi se pa rolin e Degëve të LDK-së në Evropë dhe në Amerikë, kurrë liria dhe as paqja nuk kishte triumfuar në Kosovë. Madje nuk ishte fituar as Lufta e UÇK-së pa ndihmën e aleatëve që LDK-ja në krye me HAFIZ GAGICËN i krijoi në Europë dhe në SHBA.

Pse asnjëherë nuk u tha qartë se të gjitha dyertë e kancelarive në vendet Europiane dhe në Amerikë, që nga viti 1990 e gjerë në përfundimin e luftës, i kanë bërë vetëm Degët e LDK-së në Evropë dhe Amerikë. Pra, pikërisht atëherë kur HAFIZ GAGICA ishte Kryetar i Degës së LDK-së në Gjermani dhe njëkohësisht ishte edhe Kryetar i Kolegjiumit të Degëve të LDK-së kudo në Diasporë, dhe pa vizionin e të cilit, kurrë nuk do të fitohej simpatia e shteteve mike në Evropën Perëndimore dhe as në Amerikë. Vërtetë Degët e LDK-së kudo në Diasporë, atëherë kur Kosova kishte nevojë ma shumë se kurrë, ishin shndërruar në një fuqi propagandistike e cila nuk do të përsëritet më kurrë.

**Pse nuk thuhet dhe nuk pranohet e vërteta se HAFIZ GAGICA, po ashtu ishte ai që i organizoi Dy Grupet e Para Guerile që u ushtruan në Shqipëri në vitin 1992.

HAFIZ GAGICA, si Kryetar i Kolegjiumit të Degëve të LDK-së në Diasporë, ishte i vetëm, pa askend tjetër përreth, që shkoi në Tiranë dhe ka bërë marrëveshje me Qeverinë e Ramiz Alisë që po binte, dhe vuri kontakte edhe me Opozitën Demokratike që po vinte, dhe asnjë njeri tjetër nuk ka kompetencë me i marrë meritat e dikujt tjetër, pra as të HAFIZ GAGICËS, dhe me gënjyer opinionin qe një çerek shekulli me përralla e gënjeshtra që po na turpërojnë.

Natyrisht në takimet e tij HAFIZ GAGICA, me strukturat udhëheqëse në Tiranë, ka pasur edhe mbështejen e strukturave udhëheqëse në Kosovë, nga prof. Ali Aliu dhe prof. Zenel Kelmendi, ta zëmë në takimin me Perikli Tetën, por takimet tjera të shumta, dhe marrëveshjet i ka bërë të gjitha vetëm HAFIZ GAGICA, që nga Presidenti i atëhershëm i Shqipërisë Ramiz Alia, dhe në takimet tjera, veç e veç me dr. Salih Berishen, dhe me struktura të larta udhëheqëse dhe me drejtues të lartë ushtarak të Shqipërisë.

Dhe gati të e gjithë dinë se në dy Grupet e ushtruara në Shqipëri kanë shkuar pos tjerësh edhe Salih Çekaj, i cili ishte Sekretar i Degës së LDK-së në zyrën e HAFIZ GAGICËS në Stutgard, dhe dihet se Salih Çekaj, ishte profesionalisht më i përgatituri, pra me vendim të HAFIZ GAGICËS, është caktuar koordinator i Grupeve, ndërsa për merita veç e veç, janë shquar padyshim Zahir Pajaziti nga Grupi i Parë dhe Adem Jashari nga Grupi Dytë. Sot është e turpshme dhe shumë e dëmshme dhe tejet hileqare, kur alamet akademiku shkruan libra, për qefet e disa dështakëve në Europë, të cilët gjatë luftës e kanë tradhtuar edhe Salih Çekun, dhe kanë tradhtuar edhe idealet e luftës dhe të lirisë.

Në këto 25 vjet të demokracisë, askush nuk ka pasur obligim ma shumë se sa LDK-ja, për t’i ruajtur vlerat e krijuara me mund e sakrifica të mëdha, por fatkeqësisht LDK-ja, ka rrëshqitur nga idealet që i ndërtuan strukturat inteletuale e patriotike të saj, duke u marrë me decentralizimin, demarkacionin e asociacionin, që pa nëshkrimin e zyrtarëve të LDK-së kurrë nuk ishin realizuar. Prandaj margjinalizimi i veprimtarit vizionar HAFIZ GAGICA, është veprim antikombëtar, hileqar dhe i dëmshëm. HAFIZ GAGICA, ishte veprimtari dhe njeriu që ka kontribuar ma së shumti në tërë kohen e ndryshimeve të mëdhe ideologjike. Ai ishte në krah të dr. Rugovës dhe prof. Aganit, por asnjëherë disa që po llomatitin nëpër studiot e porositura televizive.

HAFIZ GAGICA, kuptohet bashkë me dr. Rugovën, prof. Aganin dhe me kryetarët dhe aktivistët e Degëve të LDK-së në Diasporë, e përcaktuan fatin e lirisë së Kosovës, duke i orientuar proceset drejt vendeve demokratike në Europë dhe Amerikë. Prandaj themi se si askush tjetër nga të gjallët, HAFIZ GAGICA ka kontribuar ma së shumti në propagandimin e çështjes së Kosovës, dhe nëse dikush ka ndikuar në Aleancën Verio-Atlantike, është pikërisht largpamësia e këtij vizionari dhe guximtari që diti dhe pati guxim qysh atëherë kur Kosova kishte aq shumë nevojë.

Tash LDK-ja po shkon në zgjedhjet e radhës e kapur nga Kolona e Pestë Antidemokratike, andaj e margjinalizojnë HAFIZ GAGICËN dhe të gjithë veprimtarët e devotshëm, brenda dhe jashtë Kosovës, dhe të mos befasohemi nëse në zgjedhjet e radhës, LDK-ja të bie nën 10%. Sepse mohimi, injorimi dhe margjinalizimi që iu ka bërë veprimtarëve të devotshëm do të kthehet si mallkim me humbje të paevitueshme.

Mikut tim, HAFIZ GAGICA, i uroj shëndet të mirë dhe mbarësi, kurse të gjithë shqiptarëve kudo që janë, GËZUAR VITI I RI 2025!...

St. Gallen, 29 dhjetor 2024.

Shefqet DIBRANI

*Fotografitë janë huazuar nga profili personal në FB i Hafiz Gagicës!

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat