Kush është patriot?

Opinione

Kush është patriot?

Nga: Lis Bukuroca Më: 30 dhjetor 2024 Në ora: 11:04
Lis Bukuroca

Nuk është atdhetar ai që hedh plehrat në rrugë, por rrënues i imazhit të atdheut.

Nuk është atdhetar ai që korruptohet dhe që vjedh, por armik i atdheut.

Nuk është atdhetar politikani që nuk e respekton ligjin, por është rrënues i shtetit, domethënë i atdheut.

Nuk është atdhetar ministri që dëmton shtetin duke vjedhur, por është shfrytëzues dhe rrënues i shtetit dhe atdheut.

Nuk është atdhetar prokurori që nuk ndjek krimin, por njeri që vepron aktivisht kundër shtetit, domethënë kundër atdheut.

Nuk është atdhetar gjykatësi që nuk dënon kriminelin, por ndihmon në zhbërjen e shtetit, domethënë të atdheut.

Nuk është atdhetar polici që shkel ligjin, por rrënues i shtetit.

Nuk është atdhetar zyrtari që shpërdoron pushtetin për interesat personale, por tradhtar i atdheut.

Nuk është atdhetar mësuesi, profesori, që nuk vlerëson drejt nxënësin, studentin, por vepron dëmtues i atdheut dhe së ardhmes.

Nuk është atdhetar ai që përhap krenari të rreme, por manipulues dhe dëmtues i atdheut.

Nuk është atdhetar mjeku që nuk e ushtron detyrën me ndërgjegje, por dëmtues i jetës së qytetarëve.

Nuk është atdhetar sipërmarrësi që nuk paguan tatimet si duhet, por dëmtues aktiv i shtetit dhe atdheut.

Nuk është atdhetar qytetari që hesht përballë padrejtësive, por bashkëpunëtor i dëmtuesve të atdheut.

Nuk është atdhetar gazetari që përhap lajme të rreme, por armik i së vërtetës dhe atdheut.

Nuk është atdhetar çdokush që përfiton nga dobësitë e popullit të tij, por një dëmtues që rrënon të ardhmen e tij.

Nuk është atdhetar ai që paguhet për pjesëmarrje në luftë për çlirim, pa qenë kurrë luftëtar aktiv, por një hajn i atdheut.

Nuk është atdhetar ai që përdor burimet natyrore pa përgjegjësi, duke shkatërruar mjedisin, por është armik i brezave të ardhshëm.

Nuk është atdhetar ai që nxit ndasitë, mosdurimin mes njerëzve të kombit të tij, por është përçarës dhe rrënues i lumturisë kolektive.

Nuk është atdhetar punëdhënësi që shfrytëzon punëtorët, por ndihmues i migrimit dhe një pengesë për zhvillimin dhe mirëqenien në atdhe.

Nuk është atdhetar intelektuali që neglizhon arsimimin e mëtutjeshëm të tij, sepse ai dëmton të ardhmen e shtetit dhe atdheut.

Nuk është atdhetar shkrimtari që përdor fjalën për të nxitur urrejtje apo për të fshehur të vërtetën, por tradhtar i humanizmit.

Nuk është atdhetar besimtari që përdor fenë për përçarje, por është armik i harmonisë dhe bashkëjetesës.

Nëse ka shumë të tillë, atëherë Serbia nuk ka nevojë për aleatë apo ushtarë më të mirë në Kosovë kundër pavarësisë së Kosovës.

Sepse të gjitha ato veprime nuk janë shenja dashurie ndaj atdheut, por plagë që i shkaktohen atij dhe që lehtësojnë dhe nxisin shpopullimin e vendit.

Atdheu nuk mbrohet me fjalë të bukura, por me vepra të ndershme, të drejta dhe të përgjegjshme.

Atdheu nuk është thjesht një tokë apo një truall, por një vend ku duhet të vazhdojnë të jetojnë të lumtur fëmijët dhe nipërit tanë, pasardhësit tanë. Atdheu pa shtet të drejtë është tokë e humbur.

Dashuria për atdheun nuk matet me fjalë, me valëvitjen e flamurit, apo me fotografi pranë përmendoreve të heronjve, por me veprime që i japin vlerë të sotmes dhe që ndërtojnë një të ardhme më të mirë.

Patriot është VETËM ai që respekton ligjin:

dinjitetin e njeriut,

barazinë gjinore,

lirinë e besimit,

lirinë e mendimit,

të orientimin seksual,

me pak fjalë, patriot është VETËM ai që punon për të mirën e përbashkët dhe që mbron të mirën e përbashkët!

Dashuritë e tjera janë thjesht pallavra folklorike, të nevojshme për keqbërësit që t'i përdorin për të fshehur aktet kriminale kundër atdheut.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat