Ambasador Rhode, kam besimin e plotë në ju dhe Gjermaninë se doni Kosovën të integruar në BE, por disi këtë besim e kam të zbehur te Bashkimi Europian. Po, sepse, po të ishte ashtu, BE-ja nuk do të ishte e njëanshme nga Serbia, duke i vënë masa Republikës së Kosovës, krejt padrejtësisht. Këto masa, realisht, nëse do duhej vënë dikujt, do duhej vënë Serbisë për gjithë proceset terroriste e shoveniste ndaj Kosovës dhe mosdëgjimin e BE-së në vënien e sanksioneve ndaj Rusisë. Edhe ju, po edhe ne, jemi dëshmitarë të sulmeve nga huliganët serbë sipas dirigjimit të Vuçiqit mbi ushtarët paqësorë të KFOR-it në maj të vitit 2023 në Zveçan.
Sikur BE të donte ta shihte Kosovën në BE, ajo nuk do të ishte kundër shtrimit të sovranitetit të saj edhe në veri të Kosovës, nuk do ta ndëshkonte Kosovën për hir të Serbisë, e cila vazhdimisht ka thënë haptas se nuk do e njohë pavarësisnë e Kosovës, dhe sërish asgjë, askush nuk i tha një fjalë të vetme se për normalizimin me Kosovën duhet të bëhet dhe se ai normalizim do të vije vetëm atëhere kur ajo do ta njihë Kosovën e pavarur.
Të them se ju nuk e njihni Vuçiqin, mund të gabojë, se ju i njihni proceset diplomatike e politike më mirë e më shumë nga ne, prandaj dhe jeni Ambasador. Por, ju vetë do duhej t’ia thoni troç Vuçiqit se serbët e Kosovës jetojnë më mirë se serbët në Serbi, se serbët e Kosovës nuk janë të sulmuar nga askush, se ata kanë lirinë dhe të drejtat më të mëdha në Europë, se serbët e Kosovës duhet ta pranojnë Kosovën për shtet të tyre, se serbët e Kosovës duhet të pranojnë simbolet e Kosovës, se serbët e Kosovës janë serbë, por nuk janë shtetas të Serbisë, se serbët e Kosovës duhet të resektojnë gjithçka, pra edhe Kushtetutën e ligjet e Kosovës.
E, sa i përket zbatimit të njëanshëm të marrëveshjeve, ka disa marrëveshje që nuk prekun në shtetësinë e Kosovës, por nuk mund të zbatohen edhe aso marrëveshje që prekun shtetësinë e Kosovës. Dhe, marrëveshja që prek drejtpërdrejtë shtetësinë e Kosovës është Asociacioni i kërkuar nga Serbia për komunat me shumicë serbe. Pikërisht për këtë, Serbia kërkon me ngulm formimin e tij.
Zotëri Ambasador, ju nuk i njihni serbët sa duhet dhe besoni në ta, por ata pranojnë nganjëherë gjithçka në letër, por nuk zbatojnë asgjë konkrete.
Nisuni nga Marrëveshja e Konçulit në Kosovën Lindore pas Luftës së Ushtrisë Çlirimtare për Preshevë, Medvegjë e Bujanoc (UÇPMB). Ata kanë nënshkruar për të gjitha të drejtat e shqiptarëve me ndërnmjetësimine ndërkombëtarëve, por pikërisht pas këtij nënshkrimi shqiptarët janë zhveshur nga të gjitha të drejtat, sa edhe adresat ua shuajnë që të mos llogariten banorë të Kosovës Lindore të shpërngulen dhe të mos kenë të drejtën e votimit në zgjedhje. Kështu do të veprojë ajo edhe me Kosovën po u themelua ai farë asociacioni aq shumë i kërkuar nga Serbia dhe nga ndërkombëtarët.
Serbia mendon dhe do të kërkonte që, përmes këtij asociacioni të ndajë të paktën veriun e Kosovës dhe t’ia bashkangjesë Serbisë. këtë hall e ka Vuçiqi për hir të Trepçës, jo për serbët e veriut e as të Kosovës.