Pothuajse s’ka mbetur asgjë pa u thënë, është shkruar dhe vazhdon të shkruhet shumë. Vlerësohet si një rregull i pashkruar: aty ku nuk lexohet, shkruhet shumë, mbase për të mbushur boshllëkun e leximit. S’ka dyshim se për kokë banori jemi të parët në shumë fusha, kryesisht në ato ku nuk duhej të ishim. Të parët në korrupsion, krim të organizuar, të parët për nga optimizmi, ndonëse punët i kemi më keq se çdo popull tjetër. Jemi të parët dhe mbase të vetmit që festojmë 1 Majin, atë ditë kur bota proteston; si për ironi, populli me numrin më të lartë të të papunëve, ne festojmë ditën e punëtorëve. Festojmë çdo festë që përmendet, edhe pse disa nuk i kuptojmë; s’ka rëndësi përmbajtja, më e rëndësishme është të kemi arsye për të festuar.
Satisfaksioni i të qenit të varfër është lumturia; sa më i varfër, aq më i gëzuar është shqiptari. Kjo shpikje e popullit tonë nuk ka pse të mos konkurrojë për kuriozitetin e shekullit. Festojmë 14 shkurtin, jo për ndonjë gjë, por për t’u vërsulur në motele, duke anashkaluar motivin e saj të vërtetë, atë për dashurinë; ndonëse dashuria dhe motelat nuk janë aq të përafërta. Mjafton një trëndafil, një përqafim, për të bërë të lumtur dikë, pa qenë nevoja e motelit.
Nuk harrojmë rutinën e përditshme: të zgjohemi në orën 12 të drekës, t’u vërsulemi kafeneve, të përgojojmë të gjithë, nga i madhi tek i vogli, dhe në mbrëmje të shajmë politikën. Jo që politika është e mirë, por asnjë kontribut nuk jep askush për të larguar këta (politikanët) nga pushteti. Më kujtohet kur dikush doli në protestë kundër varfërisë, dhe askush nuk iu bashkangjit; të tjerët bënin sehir dhe shtrembëronin lugën e makiave nën tymin helmuese të cigareve. Pas kafeneve, destinacioni i dytë mbetet fakulteti, kryesisht privat, aty ku rinia është e dendur, sa për të thënë se po bëjmë diçka. Duke mbartur mbi vete mëkatin e politikës së gabuar shtetërore, të rinjtë, ashtu si hyjnë, edhe mbarojnë fakultetin, dhe në fund marrin një diplomë që legjitimon analfabetizmin e tyre.
Pastaj ata zënë vende pune (ata që japin lekë ose kanë të njohur), marrin paga, sikur të shpërblejmë padijen e tyre, dhe pastaj PISA na nxjerr në vendin e parë për cilësi të dobët. Sikur jemi të betuar që vendin e parë mos ta lëshojmë dot, sikur ngremë kokën lartë dhe themi: shikoni kush jemi. Mos dhashë Zoti të sëmuresh, sepse duhet ta kesh xhepin me para, ndryshe do vdesësh nëpër korridoret e spitaleve. Mantilbardhët më parë do të sjellin vdekjen se të shpëtojnë jetën, disa nga padituria, disa nga mosngopësia me korrupsion. Edhe këtu jemi të parët për nga cilësia e dobët, vendi i parë në Evropë për vdekje të foshnjave dhe të rriturve nga mungesa e shërimit.
Po i them edhe dy fjalë për artin, aty ku padyshim jemi të parët. Jo për cilësi, por për kokë banori jemi të parët në Evropë (mbase edhe në botë), pasi 10% e popullsisë janë artistë, VIP-a, njerëz që skenën e gjetën si vatër strehimi. Njerëz që s’munden të gjejnë veten askund, e shkolla "nuk iu ec" dhe u përplasën në skenë, me fjalë banale dhe veshje skandaloze, duke prodhuar "art". Në këtë vend tallava, s’ka rëndësi që jemi të varfër, të izoluar e të mjerë, mjafton që po kënaqemi që jemi të parët.