Zgjedhjet janë demokratike kur ato realizohen nga vetë populli. Ato pasqyrojnë dhe dëshmojnë disponimin e qytetarëve, edhe përkundër presioneve nga jashtë dhe opozitës së pavëmendshme “vullnetare,” shpesh të ndikuar nga mediat klienteliste. Ndikimi nuk mungon as nga diplomatët, të cilët shpesh përpiqen të “ndajnë popullin nga përfaqësuesit e tij” për të ndjekur karrierën e tyre përmes rrugës më të shkurtër, duke dobësuar qeverisjen demokratike dhe duke e paraqitur si sukses shitjen e ideve të vjetra si të reja. Një gjendje e tillë ushqehet nga oligarkë “antishtet” që synojnë interesa personale dhe të grupeve që përfaqësojnë.
Kjo formulë ka qenë e njohur më parë dhe është implementuar nga matrapazë të pangopur (të panjohur për komunitetin) dhe azilkërkues të papunë, të cilët arritën majat e pasurisë përmes shkatërrimit të kadastrës së Kosovës. Ky proces është realizuar nëpërmjet gjykatave të të gjitha niveleve dhe autoriteteve komunale, ku krimi i përmasave galopante ka gjetur strehë.
Pika kulmore e këtij krimi është prona, që fillimisht zhvlerësohet dhe më pas i rritet çmimi përmes procesit të shpronësimit. Kapitali dhe investimet publike drejtohen larg prioriteteve të një Kosove ekonomikisht të paqëndrueshme. Thërrmuesit e gurëve nuk përfaqësojnë zhvillim ekonomik pa një ekonomi dinamike dhe prodhuese. Prandaj, zgjedhjet mbeten e vetmja zgjidhje, por ato kërkojnë kujdes të madh për të shmangur politizimin e sistemit. Balanca mes pavarësisë dhe përgjegjshmërisë është një model i suksesshëm i aplikuar në vendet me demokraci të konsoliduar dhe mund të jetë një zgjidhje e përshtatshme edhe për Kosovën.
Sistemi prokurorial dhe gjyqësor
Sistemi prokurorial dhe gjyqësor në Kosovë funksionon mbi bazën e ndarjes së pushteteve, që synon të garantojë “pavarësinë” e gjyqësorit dhe prokurorisë nga pushtetet e tjera, si ai ekzekutiv dhe legjislativ. Ky sistem bazohet në Kushtetutën e Republikës së Kosovës dhe ligjet përkatëse, por në praktikë ballafaqohet me sfida që shpesh ngrejnë shqetësime për pavarësinë dhe legjitimitetin e vendimeve.
Vendime “në emër të popullit”
Kushtetuta e Kosovës dhe Ligji për Gjykatat përcaktojnë se vendimet e gjykatave shpallen “në emër të popullit”. Kjo reflekton legjitimitetin e dhënë nga populli përmes institucioneve shtetërore që miratojnë ligje dhe garantojnë drejtësi. Parimi themelor është që gjyqtarët dhe prokurorët të veprojnë mbi bazën e Kushtetutës dhe ligjeve, duke mbrojtur interesin publik dhe të drejtat e qytetarëve.
Megjithatë, pavarësia nuk nënkupton fragmentim të sistemit dhe ndarje, por përkundrazi, plotësueshmëri dhe mirëkuptim institucional. Nuk duhet të ketë luftë të brendshme ku kryeprokurori përplaset publikisht me kryeministrin apo presidentin e zgjedhur nga populli. Për stabilitetin dhe të ardhmen e Kosovës, është e domosdoshme që të zgjidhen gjyqtarë dhe prokurorë të besueshëm, që nuk janë “kaubojë” të vendit, të pakontrolluar nga askush përveçse nga interesat e bosëve të krimit.
Përgjegjshmëria duhet të matet me numrin e rasteve të zgjidhura dhe efikasitetin e procedurave, jo me zvarritjen e rasteve derisa të skadojnë afatet ligjore. A nuk janë këto sjellje të korruptuara?
Këshilli Gjyqësor i Kosovës (KGJK)
KGJK është organi përgjegjës për emërimin, promovimin, disiplinimin dhe shkarkimin e gjyqtarëve. Anëtarët e këtyre këshillave zgjidhen kryesisht nga radhët e vetë gjyqtarëve dhe prokurorëve, me qëllim mbrojtjen e pavarësisë nga ndërhyrjet politike. Megjithatë, kjo ka krijuar një perceptim të “vetëzgjedhjes,” që mund të dobësojë përgjegjshmërinë dhe të forcojë klientelizmin.
Përfshirja publike dhe transparenca
Publiku nuk merr pjesë drejtpërdrejt në emërimin e gjyqtarëve dhe prokurorëve, por përfaqësohet përmes institucioneve demokratike (Kuvendi dhe Presidenti). Në praktikë, kjo përfaqësim nuk është realizuar siç duhet. Vendimet e gjykatave supozohet të jenë publike dhe të bazuara në ligj, por mungesa e transparencës në procedurat disiplinore dhe emërimet ka rritur skepticizmin publik.
Çfarë mund të përmirësohet?
1. Përmirësimi i përgjegjshmërisë: Krijimi i mekanizmave më efektivë për mbikëqyrjen e KGJK dhe KGJKP-së, si dhe rritja e transparencës përmes publikimit të kritereve dhe procesit të emërimeve.
2. Reforma në procesin e emërimit: Rishikimi i balancës mes pavarësisë dhe përgjegjshmërisë për të shmangur perceptimin e “vetëzgjedhjes”.
Sistemi ekzistues synon të garantojë drejtësi të paanshme, por suksesi i tij varet nga mënyra se si zbatohet në praktikë dhe se sa i pavarur është jo vetëm nga ndërhyrjet politike (pozitë-opozitë), por edhe nga interesat e brendshme të sistemit.