Derisa Vuçiqi rrahte gjoks dhe e shfrytëzonte rastin, fqinjëve tua tregonte muskujt, Kurti në heshtje, ia ndezi zjarrin.
Albin Kurti detyrohej të shkonte në takime për një marrëveshje me te, Lajcakun e Borrellin, po aq i bënte atij se ç´propozonin ata. Kurti përpiqej t´ua shpjegonte se ç´është demokracia në mënyrë filozofike, kurse ata i tregonin se si funksionon autokracia.
Kurti kthehej nga këto takime dhe tërë ditën punonte për Kosovën dhe tërë natën thurte plane se si t´ia punonte Vuçiqit. Dhe kjo ditë siç po shihet, erdhi.
Do të jetë vështirë që Vuçiqin ta shpëtoi kontrata e litiumit, do të jetë vështirë ta shpëtoi inaugurimi i Trumpit dhe do të jetë po ashtu vështirë ta shpëtoi rikthimi i Grenellit.
Dështimet me sulme në veriun e Kosovës i kanë dështuar, prandaj iu kthye edhe njëherë aksionit me njohjet e ç´njohjet për Kosovën. Si duket si ka mbetur tjetër, përpos të mbahet për rrënjët e kalbura, sepse edhe Pacolli e trembi me njohjet e reja që do të pasojnë.
I fyente shqiptarët, e fyente Kurtin, herë e merrte rolin e viktimës, herë atë të xhelatit dhe nuk dinte as vetë se cili ishte.
Herë bëhej me Rusinë, herë me Kinën, herë me perëndimin, herë me Arabinë, herë me Turqinë, herë me, Lajcakun, herë me Borrelin, herë me Ramën e herë me perëndimin e herë me lindjen. Asnjëherë si prente sharra në një vend.
Populli i tij i zhgënjyer me presidentin e vetë i drejtoi sytë nga Kurti. Ai po ju vjedh, u tha Kurti. Ai po ju gënjen, ai po ju mashtron, ai po ju korrupton, ai po ju armiqëson me të gjithë, ai po ju sundon me dorë të hekurt, ai po ju plaçkitë, ai po ju ndjek, ai po ju burgos, ai po ju shfrytëzon, ai po ju varfëron, ai po ju fut në konflikte me fqinjët, ai po ju frikëson, ai është një diktator dhe çfarë nuk u tha Kurti për Vuçiqin.
Serbët u ndalën dhe shikuan ku ndodhen. Si duket po zgjohen nga gjumi. E vërejtën se ishin të okupuar nga Vuçiqi. U ngritën dhe po kërkojnë liri. Po e kërkojnë revolucionin e Berishës dhe po kërkojnë çlirim.
Çdo ditë po shtohen kërkesat. Çdo ditë masivizimi po merr hov. Çdo ditë po dobësohen pozitat e Vuçiqit. Çdo ditë po e vëren se ç´po e pret.
Po e kërkon fajtorin, po ku ta gjej. Po e kërkon shpëtimin, po ka ta marr. Po e kërkon përkrahjen, po i ka ikur. Ku është zgjidhja, që s´po e gjen dot. As festimin e fund vitit nuk e gëzoi. Nga urrejtja iu kërcënua Prishtinës, Zagrebit e Sarajevës. Nuk do u plotësohet dëshira që t´më rrëzoni, u tha.
Psikologët u morën me postimin e tij. Janë shenja të një paniku ekstrem, deklaruan. Çfarë e ka gjetur Vuçiqin ? Me te po merret Rusia, Kina, EU, SHBA dhe tërë perëndimi. Dikur sfilonte si lider i rajonit. Mburrej e krekosej me armatime, me blerje të aeroplanëve, e lloj - lloj arsenali luftarak, kurse tash iu ka ndezur bishti. Dikush prapa shpine ia ka punuar, erdhën në konkludim.
Tash askush nuk po e do. Po bëhet i sëmuri i Ballkanit. Sa herë e kishte ngushtë, kapej për Kosovën e Kurtin. Si duket tash as kjo nuk po e ndihmon. Nëse nuk e mban Putini, do t´i ketë ditët e numëruara si Asadi, ishte parashikimi i perëndimit.
Megjithatë, Putini ndodhet vetë në vështirësi, prandaj nuk dihet se a do t´i premton koha të merret me Vuçiqin. Kurti mund t´ia ketë përgatitur tërë këtë kaos.