A është rastësi publikimi i hartës së Ballkanit pa Kosovën shtet?

Opinione

A është rastësi publikimi i hartës së Ballkanit pa Kosovën shtet?

Prof.Dr.Enver Bytyçi Nga Prof.Dr.Enver Bytyçi Më 3 janar 2025 Në ora: 14:04
Harta

Publikimi i hartës së Ballkanit Perendimor ose të shteteve jo anëtare të Shëngen nga ana e Komisionit Europian pa Kosovën si shtet, është skandali i radhës i Brukselit. Shpesh herë këto akte simbolike, por që shprehin përmbajtjen e qëndrimeve, i vlerësojmë pa u thelluar. Ndoshta nuk duam që të nxisim ndonjë konflikt midis nesh dhe autoritetit që bën gafën e radhës. Ndoshta se nuk e vlerësojmë sa duhet të rrezikshëm aktin. Ndoshta se nuk e dimë se simbolikat ushqehen nga qëllime të këqija ose nga provokime të caktuara! Por në fakt simbolikat në qëndrimet dhe veprimet politike thonë shumë.

Ne mund të eksplorojmë rreth kësaj ngjarjeje, nëse kthejmë kokën pas dhe shohim se si sillet BE me Kosovën. Por ajo që shqetëson ka të bëjë me faktin mos Brukseli po i jep mesazh Serbisë se BE “pajtohet me kushtetutën serbe, në të cilën Kosova paraqitet si pjesë e këtij vendi”?! Në fakt Europa jo vetëm e njeh Serbinë e bashkë me të edhe kushtetutën e saj. Por i ka dhënë asaj të kuptojë se është pro-Beogradit në konfliktin e tij me Prishtinën. De facto Komisioni Evropian mban anën e Serbisë sa herë vetë lidershipi dhe shërbimi sekret serb krijon probleme deri te aktet terroriste në Kosovë. Aq të dukshme janë qëndrimet pro-serbe të këtij komisioni, sa në momentin kur serbët plagosën 90 ushtarë të KFOR-it, BE me propozim të Komisionit i vendosi masa shtrënguese Kosovës dhe jo Serbisë.

Qëndrimet e njëanshme e pro-serbe të Brukselit janë dëshmuar vazhdimisht gjatë dialogut midis dy vendeve. Joseph Borrell dhe Miroslav Laçak nuk lanë rast pa goditur palën e Kosovës në këtë dialog, edhe kur atë e bllokonte pala serbe. Kjo njëanshmëri ishte e dukshme në të gjitha vendimmarrjet e Brukselit. Prandaj dhe duhet besuar se harta e KE pa Kosovën shtet brenda saj, ose harta e këtij komisioni me Kosovën pjesë të Serbisë, nuk ishte krejt pa vetëdije. Nuk ishte një lapsus. Kush beson se në politikë ka lapsuese të tilla, ai gabon. Ajo hartë është promocion i një qëndrimi të caktuar dhe dyshoj se mund të jetë edhe preludi i një qëndrimi të hapur kundër shtetësisë së Kosovës.

Nëse ndodh kjo, nëse përsëriten sërishmi veprime të tilla, nëse Brukseli nuk do t’i kërkojë me urgjencë Serbisë që ta ndryshojë kushtetutën dhe ta heqë Kosovën nga përkatësia e sovranitetit të saj, atëherë rajoni shkon drejt një konflikti të ri të armatosur. Shumë evropiane e shohin madje me xhelozi armatosjen e Kosovës. Kur para shumë vitesh në një veprimtari në Gjermani pata kërkuar që Kosova duhet ndihmuar të forcojë ushtrinë dhe mbrojtjen e saj, autoritete të larta gjermane mu përgjigjën se “Ne duhet të zhvillojmë ekonominë dhe mirëqenien e qytetarëve, duhet të forcojmë bashkëjetesën e popujve në Kosovë, pa patur nevojë për ushtri të fortë”!

Ky qëndrim është dhe çështje formimi e perceptimi. Por ja që ndodhi lufta në Ukrainë dhe përgatitja për mbrojtje qenka e domosdoshme. Ja që Serbia kryen vazhdimisht akte terrorizmi në Kosovë dhe për këtë arsye është e domosdoshme të rriten aftësitë mbrojtëse të saj. KFOR-i nesër mund të largohet nga Kosova. Atëherë kush do ta ndalonte Serbinë të kryente agresion ushtarak kundër saj në modelin rus kundër Ukrainës?! Me këtë përkrahje të Komisionit Evropian, Beogradi vetëm se inkurajohet edhe për veprime ushtarake për aneksimin e Kosovës, gjë për të cilën i autorizon vetë kushtetuta e vendit.

Nga ana tjetër, ajo hartë duhet konsideruar edhe si provokim dhe kërcënim për autoritetet e Kosovës. Mesazhi është i qartë: “Nëse ju nuk na bindeni ne, atëherë jo vetëm masa ndëshkuese, por mund t’ju fshijmë nga harta e Europës”! Ndryshe nuk shpjegohen edhe përpjekjet e munguara të Komisionit dhe Këshillit Evropian për të detyruar pesë shtetet anëtare për ta njohur shtetësinë e Kosovës. Ndryshe nuk ka si shpjegohet fakti se po këto shtete anëtare të BE-së bllokuan pranimin e Kosovës në KiE! Pas kësaj harte Kosova duhet të presë më shumë presion për të pranuar opsionet anti-kosovare e pro-serbe të projekteve të Bashkimit Evropian. Historia ka dëshmuar se padrejtësia çon në arrogancë dhe arroganca është gjithmonë burimi i konflikteve! Evropianet po sillen me arrogancë ndaj Kosovës! Harta ishte shprehje e arrogancës kryeneçe të Brukselit!

Qeveria e Kosovës duhet t’i çojë një notë protestë presidentes së Komisionit Europian, Ursula von der Leyen dhe t’i kërkojë jo vetëm ndjesën publike, por edhe shpjegime pse ndodhi ky skandal. Gjithashtu duhet të kërkohet që rasti të mos përsëritet më në të ardhmen. Ndërkaq ajo hartë duhet të shërbejë edhe si sinjal, se integrimi i Kosovës në BE është shumë larg.

Zoti bëftë hajr! 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat