Pothuajse çdo vit të njëjtat fjalë, të njëjtat shpresat e të njëjtat pritshmëri, ashtu siç janë të njëjtat dëshpërime tani e 22 vite. Vrasja e kolonel Tahir Zemajt me 4 janar 2003 është ndër vrasjet më të rënda për arsye të asaj çfarë koloneli përfaqësonte.
Tahiri ishte rreshtuar në anën e institucioneve legjitime të Kosovës, duke njohur presidentin Rugova si komandant të përgjithshëm, çka u pengonte disa të tjerëve. Arsyet e vrasjes së tij sigurisht se kanë të bëjnë me rreshtimin e tij në krah të presidentit Rugova, të cilit edhe i ka shërbyer me nder deri në fund.
Ka pasur fërkime gjatë lufte me disa prej ish komandantëve të UÇK me kolonel Zemaj dhe ata që nën komandën e FARK kishin ardhur për t’u bashkuar me UÇK për një qëllim dhe synim: dëbimin e Serbisë.
Mbase, shkathtësia e kolonelit në luftë ka ngjallur zili tek disa të tjerë, e të cilët në pamundësi për të qenë mbi Tahirin e vranë. Fatkeqësisht, drejtësia e kapur në Kosovë s’ka mundur të zbardhë asnjë nga vrasjet e pasluftës, duke shtuar dhimbjen mbi familjarët e të vrarëve.
Gjykata Speciale ka arrestuar disa nga ish krerët e UÇK me disa nga akuzat edhe për vrasje të pasluftës, nuk dihet a është pjesë e saj edhe vrasja e kolonel Zemajt. Kjo vrasje kishte shkaktuar frikë dhe tmerr tek popullata si dhe kishte lënduar shumë shpirtërisht dr.Rugovën. Uroj dhe shpresoj se kjo vrasje nuk është kryer nga shqiptarët, por akoma më shumë uroj që sa më parë të zbulohet se kush urdhëroi dhe kush vrau Tahirin me djalin dhe kushëririn, tre vrasje me katër janar të 2003. Tahiri është hero i Kosovës, dhe si i tillë ka mbet në zemrat e shqiptarëve.