“Kurti nuk e dëshiron pjesëmarrjen e Listës Serbe, deri në përjashtimn fizik nga zgjedhjet, sepse është një faktor i pabindur”
“Përpiqet të kontrollojë shumë parti të tjera, duke përfshirë edhe ato të komunitetit serb, por nuk ka asnjë kontroll mbi Listën Srpska, prandaj është armiku i saj më i madh”, ka thënë Vuçiq në mbledhjen e Qeverisë së Serbisë. (Bota Sot, më 4 janar 2025).
Dhe, deri sa është faktor destabilizues, jo që nuk e njeh Republikën e Kosovës, por e lufton atë, atëhere kjo nuk është pabindje, por është luftë. E në luftë, cili është ai që kundërshtarin nuk e lufton? Kështu, edhe Lista Serbe, e vetmja parti në Kosovë që nuk e njeh Republikën e Kosovës, është parti e tepërt dhe në kushte normale, kjo parti do të çregjistrohej.
Lista Serbe vetëm formalisht është e regjistruar në Kosovë, sepse ajo të gjitha instruksionet i merr nga Vuçiqi. Një parti e tillë do duhej të vepronte në Serbi, jo në Kosovë.
Partitë kanë konceptet e tyre të ndryshme rreth zhvillimit të vendit, por assesi nuk janë kundër shtetit ku bëjnë pjesë dhe garojnë për pushtet. Këtë e di Lista Serbe, se në Kosovë nuk mund të fitojë pushtetin asnjëherë, prandaj përpiqet për të destabilizuar Kosovën, ndërsa për qëllim ka pushtimin e saj nga Serbia.
Listen Serbe askush nuk do ta akuzonte pse përpiqet për të drejtat e serbëve brenda Kosovës, por ajo akuzohet pse është kundër Kosovës shtet. Ajo nuk njeh asnjë nga simbolet e shtetësisë së Kosovës. Prandaj, gjithsesi ka qenë dashur të çregjistrohej që kur mori sulmin në Banjskë të Zveçanit, më 24 shtator 2023. Dhe, këtu është bërë një lëshim tepër i madh pse nuk u çregjistrua, sepse, veç tjerash, është një parti terroriste, madje jo vetëm ndaj shtetit të Kosovës, por ishte edhe ndaj serbëve të Kosovës, të cilët nuk guxonin të vepronin me kokën e tyre, po nga Lista Serbe.
Serbët në Kosovë, sot janë shumë më të lirë me Listën serbe jashtë Kosovës, se sa kur ajo ishte brenda dhe terrorizonte jo vetëm Republikën e Kosovës, por edhe vetë serbët e Kosovës.
Prandaj i themi Vuçiqit se kjo Listë është e padëshirueshme në jetën politike brenda Kosovës. Le ta marri me vete në Serbi.
Nuk është armiqësore Lista Serbe si listë, as pse është e pabindur nga Kurti, sepse nuk është kjo e vetmja që është e pabindur ndaj Kurtit; janë edhe partitë tjera të pabindura ndaj Kurtit, për këtë arse edhe është sistem shumëpartiak, ndryshe, do të ishte sistem njëpartiak, Vuçiq.
Por, dallimi është se tjerat parti nuk e kanë luftuar Republikën e Kosovës, edhe si të pabindura ndaj Kurtit.