Ish-ministri i Jashtëm i Republikës së Kosovës, Enver Hoxhaj, ka publikuar një video, në të cilën thotë se “ka filluar lufta hibride kundër Albin Kurtit”! Në fakt ky paralajmërim jepej për të ironizuar fjalën e zotit Kurti para ambasadorëve, ku ai fliste për luftë hibride të Serbisë dhe Rusisë kundër Kosovës. Paralelizmi i luftës hibride ruso-serbe dhe luftës hibride kundër Kurtit ka një përqasje. Gjatë qeverisjes së Kurtit ne kemi parë vërtet një luftë hibride të koordinuar, njësoj siç Serbia dhe Rusia koordinohen kundër Kosovës. Fatkeqësisht ne kemi parë edhe një koordinim tjetër të vullnetshëm ose të pavullnetshëm: - Atë të aksionit opozitar në përshtatje pak a shumë me aksionin anti-Kosovë të Serbisë.
“Lufta për pushtet te shqiptarët nuk njeh limite”. Për të qëndruar në pushtet disa liderë të afërt me Enver Hoxhajn u përcaktuan jo shumë larg në kohë për ndarjen e Kosovës dhe faljen Serbisë të pasurive të saj. Ndërsa etja për pushtet e nxiti kryeministrin e Shqipërisë të bashkëpunojë me Serbinë gjoja për paqen në rajon, por që reziltoi si paqe kundër Kosovës. Kësisoj edhe lufta hibride kundër Albin Kurtit përfshin shumë personazhe me emra shqiptarësh, në përqasje me luftën hibride të Serbisë kundër Kosovës. Zoti Hoxhaj shkruan madje se Kurti “e meriton” luftën hibride. Ndështa kjo shpreh thellësisht përmbajtjen e kësaj lufte.
Opozita e Kosovës kënaqet kur disa ndërkombëtarë kërcënojnë Kosovën në emër të Serbisë, sepse kërcënimet e masat kundër saj “dobësojnë” qeverisjen e Albin Kurtit. Syri është gjithnjë te pushteti. Nuk ka rëndësi nëse Ursula von der Leyen fyen Kosovën, duke e paraqit në hartë si pjesë të Serbisë. Nuk ka rëndësi nëse ambasadori i BE-së në Prishtinë flet me nënkuptime për një status të ri sipas projekteve serbe për veriun e Kosovës! Nuk është gjithashtu e rëndësishme nëse shtrihet ose jo sovraniteti i shtetit në veri të vendit! Mjafton që dikush në Perendim të rrjeshtohet kundër këtyre akteve të qeverisë dhe institucioneve të Kosovës dhe kjo mjafton që lufta hibride të justifikohet!
Por miku im, Enver Hoxhaj, ka thënë një të vërtetë. Përveç faktit se lufta hibride kundër Kurtit nuk ka filluar tani. Tani është sofistikuar. Hibridizimi i kësaj lufte shprehet në përdorimin e mjeteve të ndryshme, të shumta e të sofistikuara kundër kryeministrit të Kosovës dhe qeverisë së tij. Dhe shprehet gjithashtu në diversitetin e personazheve që marrin pjesë në këtë luftë. Në mungesë të ish-presidentit të Kosovës, tani udhëheqësit e luftës hibrde kundër Albin Kurtit janë dy liderë të rajonit, Aleksandër Vuçiq Rama. Secili në mënyrën e vet. Secili me metodat dhe armët që posedon. Vetëm një armë ata kanë të njëjtë, përdorimin e parasë. Ndërsa Vuçiq paguan shuma marramendëse te autoritete të caktuara perendimore për lobim kundër Kosovës e njëkohësisht kundër qeverisë Kurti, sipas disa burimeve të sigurta Edi Rama në dy muajt e fundit ka grumbulluar miliona euro nga bizneset e Shqipërisë për të lobuar për përmbysjen e qeverisë Kurti dhe lirimin e sjelljen në skenën politike të Hashim Thaçit.
Shumat e majme për ta rikthyer Thaçin dëshmojnë jo vetëm angazhimin për ta penguar rizgjedhjen e Albin Kurtit në zgjedhjet e 9 shkurtit, por edhe për mosbesimin që personazhet e luftës hibride kanë te ish-bashkëpunëtorët e Thaçit,përfshirë zotin Hoxhaj. Lufta hibride kundër Albin Kurtit është dëshmuar njëkohësisht edhe si luftë hibride kundër Kosovës. Nëse Banjska dhe akti terrorist i Iber-Lepencit ndodhën kundër Kosovës, lufta e qeverisë së Kosovës për ta mbrojtur vendin nga këto akte, krijoi armatën kundër Albin Kurtit. Ka një lidhje të padiskutueshme midis luftës hibride serbe kundër Kosovës dhe asaj shqiptare kundër Kurtit dhe qeverisë së tij.
Se shumë shqiptarë në rajone të ndryshme ballkanike janë të pozicionuar dhe bashkuar në këtë luftë hibride, zoti Hoxhaj mund të pyesë p.sh Berat Buzhalën, pse u mblodhën para disa javësh në a Nju Jork nja 20-30 personazhe nga Shqipëria dhe Kosova? Në çfarë përfundimi arritën për koordinimin e luftës hibride kundër Albin Kurtit. Buzhala duhet ta dijë edhe sa miliona euro u shpërndanë atë kohë për të finskionalizuar sa më mirë e sa më shumë këtë luftë.
Shqiptarët dhe qytetarët e tjerë në Kosovë duhet ta dinë gjithashtu se lufta hibride kundër Kurtit, për të cilën flet me entusiazëm ish ministri i Jashtëm, opozitari Hoxhaj, nuk drejtohet vetëm kryeministrit aktual. Ajo luftë drejtohet në radhë të parë kundër Kosovës. Kundër territorit të saj! Mjafton t’i jepet përgjigje vetëm një pyetjeje: - Pse po ndodh një luftë e tillë shumëdiemsionale kundër qeverisë Kurti? Çfarë ka bërë keq ai në dëm të vendit të tij, Kosovës së martirizuar? Dhe nëse bëjmë krahasimin me atë që ka bërë Kurti dhe paraardhësit e tij keq për Kosovën, duhet pyetur secili në ndërgjegjen e tij: - Kush i ka bërë keq këtij shteti të ri, që mezi përpiqet të mbijetojë në këtë det të luftës hibride që nuk vjen vetëm nga armiqtë e shqiptarëve, por edhe nga vetë shqiptarët?!