Republika e “prokurorëve” dhe prokurorët pa “Republikë”!

Opinione

Republika e “prokurorëve” dhe prokurorët pa “Republikë”!

Nga: Llesh Ndoj Më: 5 janar 2025 Në ora: 12:27
Llesh Ndoj

Linçimi publik i kujtdo në vendin tonë, është bërë diçka e modës. Kushdo tek ne merr përsipër të artikulojë akuza të drejtpërdrejta për këdo, edhe pse nuk ka jo vetëm detyrën, por as kulturën minimale juridike, dhe në jetën e tij ndoshta nuk ka lexuar as edhe një ligj nga fillimi deri në fund. Bëhet kjo rëndom për çdo funksionar publik, por edhe për çdo njeri që, edhe pa patur funksione të tilla mbase kurrë në jetën e tij, ka mundur të vërë pak pasuri e bën një jetë pak më të mirë se ne të tjerët. Ky zanat “popullorë”, ka kohë që është “institucionalizuar”, për fat të keq, dhe të krijon përshtypjen se ne jetojmë në republikën e prokurorëve e gjykatësve edhe pse kultura e zbatimit të ligjit në vend është pothuajse inekzistente dhe e pa denjë për një vend që ka hapur negociatat pë t’u bërë anëtare e familjes së madhe evropiane. Shikoni emisionet e televizioneve publike shqiptare në të cilat janë instaluar një grup fytyrash të konsumuara e të pafytyra dhe llomitisin çdo mbrëmbje me akuza ndaj kujtdo, që “s’ua ka njomur fytin” me ndonjë thes me para, duke çorientuar rëndë publikun, edhe pa praninë e tyre i çorientuar në këtë fushë. Janë të njejtët, madje shpesh në dy ekrane njëherësh (vetëm Padër Piu thuhej se gjendej njëkohësisht në dy vendndodhje!), dhe janë lehtësisht të lexueshëm në atë që thonë për publikun: akuza ndaj kujtdo, shpifje, çështje penale të pahapura që lançohen prej tyre, gjykime mbi gjykimet e gjykatave para e pas tyre, mafie, vjedhje, teori konspirative, aq shumë blozë sa që sa herë i shoh, thuajse i detyruar nga koha televizive që mbulojnë, i identifikoj me blozën…

Nuk janë i vetmi “institucion” sterrë që nxijnë gjithshka në këtë vend! Kryeinstitucioni i akuzës publike, i nxirjes së gjithshkaje, i sulmit e denigrimit publik të kujtdo, shtetar ose jo, që s’mban ison e tyre, është Partia Demokratike e Shqipërisë dhe kryetari i saj i saporilegjitimuar Sali Berisha. Monstruoze ngjajnë akuzat e tyre, deri edhe të denja për seriale “James Bond” të xhiruara me skenarin e tyre, si ajo e Salianit e këto të përditshmet që na dëgjojnë veshët… Teatri parlamentar ka kohë që është kthyer në kafenenë e prokurorëve pa din e pa iman, ndaj kujtdo dhe vendi ku paligjshmëria gëlon sheshit. Të dyja këto kuazi “institucione” akuze e gjykimi, bëjnë vetë hetuesin, akuzatorin, gjyqtarin e ekzekutorin, duke spekuluar dukshëm me ndjesitë e publikut, edhe pa to, të infektuara nga dëshira e të qënit prokuror e gjyqtar. Në këtë menyrë ata i hedhin benzinë zjarrit, duke lënë nën hije edhe institucionet reale, që e kanë për detyrë t’a bëjnë këtë punë, e duke i shërbyer, me ose padashje, mbretërimit të paligjshmërisë në vend, edhe pse kemi 34 vite teorikisht shtet ligjorë e kemi investuar edhe “nga buka e gojës” për një sistem të fortë, të pavarur e efektiv drejtësie në vend.

Në këtë “republikë prokurorësh”, vetëm ata që paguhen për prokurorë nuk u dëgjohet zëri, pak u shihet puna e pak i dalin zot vetes e të drejtës. Në këtë “republikë gjyqtarësh”, gjyqtarët që paguhen për këtë punë ndjehen komod nën mantelin e tyre, pasi kanë kuptuar se askush s’i ka në kandar dhe prandaj kujdesen për veten që “të notojnë” në kahjen e rrymës ose të zënë ndonjë qoshe ku s’i përlanë dallga. Më e keqja është se jo pak herë institucionet e vërteta të drejtësisë ligjore (jo asaj popullore), vetë ushqejnë publikun fshehurazi me të dhëna që ai t’a bëjë akuzën e gjykimin i pari e që gjykimi i tyre, kurdo që t’i vije radha, të mos ketë më vëmendje e peshë pasi vjen “si kofini pas të vjelit”. Drejtësia e vonuar, është drejtësi e mohuar! Rastet kur procedime penale, që as prokurorët “s’duhet t’i dinë veç prokurorit të çështjes”, bëhen publike, ndotin opinionin e linçojnë publikisht njerëzit ka plot, por tipik është ky i çështjes “Veliaj”. Jo se unë, duke thënë këtë, e vë dorën në zjarr se Kryetari i Bashkisë së Tiranës nuk e ka “ngjye gishtin” në ndonjë aferë të dyshimtë, por se kurrë nuk e kam kuptuar dualitetin e institucioneve dhe kuazi institucioneve të drejtësisë për këtë çeshtje. Pseudo institucionet e prira e frymëzuara nga Partia Demokratike dhe zëdhënësat e tyre politikë dhe publikë në çdo ekran televiziv, ka mbi një vit që hedhin akuza të rënda e baltë ndaj tij, i japin lloj - lloj pretencash, gjykimesh e dënimesh, protestojnë paradoksalisht para selisë së bashkisë, kur targeti i tyre duhet të ishte Kryeministria, ndërsa institucioni zyrtar i drejtësisë, që fatkeqësisht në këtë rast, për shkak të personit që I atribuohen veprat penale, është SPAK - u, luan lojën e njohur të kungulleshkës me opinionin publik. E thërret atë si përson që mund të ketë dijeni për një çeshtje penale, regjistron procedimin penal me një kallëzim të rremë, por jo në emër të tij për shkaqe afatesh proceduriale, bën kontroll personal e të banesës së tij dhe të afërmve pa vendim gjykate, kontrollon celularin me shpresën “të gjejmë ndonjë element penal” në vend të kontrollit vetëm për objektin në hetim, madje nuk i komunikon atij akuzën e dyshuar për të cilën hetohet, statusin real në raport me çeshtjen dhe mundësinë e mbrojtjes me avokat, dhe vetëm pasi akuza publike merr dhenë shfaqet me një deklarim publik, as mish, as peshk.

Në se kjo është drejtësia që ne duam, kurrë mos ardhtë! Perceptimet publike, opinionet, presionet publike të mjeshtrave të gënjeshtrave e të linçimit të njerëzve, le të mbeten “argëtime popullore”, ndërsa SPAK - u, gjithë prokuroria dhe sistemi i drejtësisë do të ishin të mirëpritura kur na bëjnë ne të thërrasim ”uauuu”, për zbulime që s’kanë qelbur ende tokën dhe kur e gjitha kjo vjen në kohë reale. Gjykime pas publikut, edhe në se janë reale dhe të drejta, nuk kanë asnjë efekt. Rasti në fjalë e ka dëmtuar punën e Bashkisë së Tiranës, ka cënuar paligjësisht deri më sot edhe personalitetin dhe integritetin e kryetarit Erion Veliaj dhe, sido që të jetë rezultati final e ligjorë, zor se mund të riparoje gjë nga këto pasoja. Prokurori që vepron kështu, me gjithë respektin ndaj kujtdo prokurori, vetëm institucion drejtësie s’mund të jetë. Ai prokuror mundet të zëvendësojë mrekullisht Dash Sulën në listat e ardhshme për deputet të Sali Berishës (jo Partisë Demokratike, se ajo thuajse nuk ekziston!), por nuk mund të sjellë asnjë shpresë për drejtësi, e nuk mund ta kanalizoje këtë “lojë popullore” me drejtësinë në kanalet e drejtësisë ligjore.

Thashë që s’është rasti i vetëm ky që përmenda më sipër. Mund të numërojmë të tilla raste pa fund. Merrni gjykimin mbi inceneratorët e famshëm. Drejtësia zyrtare vjen pas asaj popullore dhe me masa që nuk shuajnë asnjë kuriozitet, jo më të rivendosin realisht drejtësinë, rasti i Salianjit u la të sjell aq shumë lizhdër në publik, dëmtoi figurën e personalitetin e njërit nga deputetët dhe shtetarët më skrupulozë të gjithë kohërave në Kuvendin e Shqipërisë, i kushtoi publikut demostrata të dhunshme e para pa fund për riparimin e pasojave, aq sa dënimi i Salianjit ngjet tashmë jo si dënim, por si kauzë politike e dhuruar për të e për partinë e tij. Edhe loja e kungulleshkave me Sali Berishën e tillë është! E futën gjasmë në izolim me një urgjencë të pa justifikuar dhe, duke e mbajtur zvarrë çështjen dymbëdhjetë muaj, i dhanë një kauzë për t’u ringritur e riluajtur rolin e kryeprokurorit të kësaj republike prokurorësh, por jo drejtësie ligjore. Unë, si të gjithë ata që mendojnë si unë, ndaj opinionin tim, se ai e meriton një dënim, por kurrë nuk bashkohem me mënyra të dënuari “sa për sy e faqe”, e për çoka politike ndaj askujt, por për dënime me ligj dhe vetëm me ligj, në kohë e vetëm me procedurë ligjore. Vetëm Sali Berishës i shërbyen veprime të tilla të drejtësisë zyrtare, pa përmendur paradoksin e “ndalimit të udhëtimit të tij jashtë shtetit” kur e kishin dënuar me arrest, duke i ngritur lart kuotat e tij politike, që kishin prekur dukshëm fundin e tyre. Me “urra” u arrestua edhe Meta. Edhe ai ishte në kuotat e veta më të ulta politike, bashkë me pjellën e tij, Partia e Lirisë. Vetëm një veprim i nxituar, me show publik, vetëm zvarritja pa akuzë publike akoma e çeshtjes së tij, janë ilaçi më i vyer për t’a ringritur nga balta ku e ka zhytur veten prej kohësh. Madje, as dënimi i tyre dhe i kujtdo keqbërësi në nivelin maksimal, edhe me “vdekje” (largqoftë!) po t’a lejonte ligji, kur i kanë kryer të gjitha zullumet ndaj vendit, nuk ka më vlerë. Nuk mund të ketë vlerë as pafajësia juridike e kujtdo, pasi e ke denigruar publikisht edhe me ndihmën e prokurorëve zyrtar e kuazi prokurorëve gjobvënës, me fytyra opinionistësh të pafytyrë. Vetëm gjykimi në kohë e proporcional me shkeljet, me procedura ligjore të rregullta, sekuestrimi i pasurive të vëna në menyrë të jashtëligjshme, ndalimi i ushtrimit të funksioneve publike në të ardhmen, proporcionalisht me përdhunimin e shtetit si letër higjienike prej tyre, mund e do të quhen drejtësi. Pse nuk kapet e sillet me çdo mjet ligjorë Ahmetaj për gjykim, ndërkohë që një nga këta quazi prokurorët pa portofol e gjen dhe e interviston pa asnjë vështirësi dhe helmon edhe më tej opinionin publik me të thëna e të pathëna prej tij? Apo edhe historia më horror politike, vetëm tri ditë zgjat!

Sa kohë që organet zyrtare të drejtësisë nuk ngrihen në rolin e tyre, duke vepruar as ngutshëm, e as përgjumshëm dhe vetëm me ligj, jashtë çdo subjektiviteti e vetëm në emër të Republikës së Shqipërisë, sa kohë që monstra si shumica e këtyre “prokurëve e gjyqtarëve” nëpër ekranet e televizioneve publike dhe private dhe kudo mejhaneve tona, ndotin mjedisin shoqërorë me akuza e kundërakuza që kanë frymëzim dukshëm politik të njëanshëm, sa kohë që vrasës, vjedhës, përdhunues pushteti e të drejtash njerëzore ose lihen të lirë, ose dënohen për kafe e pa procedura të ligjshme e transparente, vetëm drejtësi s’mund të kemi e as përparim shoqëror nuk mund të realizojmë. Dukshëm jemi shndërruar në republikë prokurorësh, ku gjithkush jep pretenca sipas mendjes dhe interest apo dirigjentit të tij, deri edhe dënime publike, ndërkohë që prokurorët e gjyqtarët, fatkeqësisht akoma nuk flasin në emër të republikës.

Si do të arrihet të tejkalohet kjo situatë?

Kjo do të arrihet vetëm kur secili të bëj punën e tij në lartësinë e detyrës dhe të ligjit, përfshirë edhe opinionin publik e partitë politike, kur ai që meriton pushtetin do të jetë në karrige e ai që shkel ligjin në qeli, kur opinionistët - prokurorë e gjyqtarë të “shtrëngohen” t’i kanalizojnë aty ku duhet e t’i argumentojnë akuzat e tyre përbaltëse dhe kur prokurorë e gjyqtarë të mos kenë by…ët në karriget e drejtësisë e shpirtin tek Saliu, Rama apo Meta, kur drejtësia të mos jetë as popullore, as mall tregu, as mollë e ndalueme, vetëm atëherë mund të ngjallet shpresa.

Po… a do jemi ne atëhere?

Nuk di akoma t’a them këtë, por e di se pa arritur këtë nuk ka të ardhme për fëmijët tanë!

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat