Ngritja e politikanëve në nivel kulti u sjell shumë dëme jo vetëm qytetarëve, por edhe kombit në tërësi

Opinione

Ngritja e politikanëve në nivel kulti u sjell shumë dëme jo vetëm qytetarëve, por edhe kombit në tërësi

Nga: Ejup Berisha Më: 6 janar 2025 Në ora: 12:36
Autori Ejup Berisha

Për të pasur një politikë të mirëfilltë, që do të jetë në interes dhe në të mirë të të gjithë qytetarëve shqiptarë, këta të fundit duhet të eliminojnë kultin e liderit ndaj politikanëve kryesorë udhëheqës, të cilët janë pjesëmarrës aktivë në skenën politike shqiptare. Kjo është një gjë reale që është praktikuar dhe praktikohet shumë shpesh nga ana e qytetarëve shqiptarë në raport me politikanët e tyre. Pra, ka qenë praktikë dhe vazhdon akoma të praktikohet veprimi që politikanët kryesorë, të cilët ndodhen në pozita udhëheqëse politike, të vendosen në nivelin e kultit nga ana e qytetarëve shqiptarë. Nuk e di pse është bërë dhe bëhet një gjë e tillë, por ajo që e di shumë mirë është se nuk është dashur dhe nuk duhet të bëhet asesi kjo gjë. Atë që e di më së miri është se nuk ka pasur dhe nuk ka politikan shqiptar të pastër, pa mëkate dhe pa gabime në politikë. Do të them lirisht se kush futet në politikë është jo vetëm i gabueshëm, por edhe mëkatar potencial. Apo më tej, lirisht do të theksoj se politikanët janë njerëz të anshëm e jo të paanshëm. Këtë që e them, e dëshmon edhe praktika e jonë politike.

Kjo duhet të jetë tregues se nuk duhet të vrapohet verbërisht pas politikanëve pa i analizuar mirë dhe me shumë vëmendje të gjitha lëvizjet, sjelljet, veprimet apo dhe akcionet e tyre që i bëjnë të njëjtët në skenën politike. Ripërsëris, në ambientet politike shqiptare deri tani nuk ka pasur politikan të paanshëm, pra gati të gjithë politikanët shqiptarë, të cilët kanë pasur pozita udhëheqëse, kanë ditur të anojnë nga individë dhe nga grupacione të caktuara të afërta me ta. Apo gati asnjëri prej tyre nuk është munduar që t’i përfaqësojë dhe t’i mbrojë me përpikmëri interesat e qytetarëve shqiptarë në përgjithësi, por ata i kanë përfaqësuar dhe i kanë mbrojtur interesat e veçanta në politikë. Dhe kjo gjë vazhdon të praktikohet akoma edhe tani nga ana e disa politikanëve shqiptarë.

Atëherë kam një pyetje logjike: Si mund të llogariten politikanë të tillë, të cilët nuk mbajnë llogari për interesat e të gjithë qytetarëve shqiptarë, si tepër të ngritur, të përkryer apo dhe të denjë për të marrë me përfaqësimin e interesave kombëtare shqiptare? Në fund të fundit, ne jetojmë në sistem politik partiak dhe ky sistem politikanët i bën, apo i tërheq më shumë, që të orientohen nga pjesa e organizimit të vet partiak politik e jo nga tërësia e qytetarëve shqiptarë. Vetë fjala "parti" do të thotë një pjesë e qytetarëve të organizuar politikisht, të cilët kanë si synim kryesor arritjen e pushtetit apo edhe ndikimin mbi të gjatë marrjes së vendimeve të rëndësishme politike. Këtu, pra, nuk ka hapësirë për të menduar se ndonjë lider politik shqiptar do të ketë vullnetin për t’i mbrojtur interesat e të gjithë qytetarëve shqiptarë.

Më tej, nëse analizohet realiteti i deritanishëm politik i shqiptarëve në rajonin e Gadishullit të Ballkanit, del se gabimi më i madh i tyre është se, deri tani, këta vazhdimisht kanë krijuar kulte për liderët e tyre, dhe këta të fundit me asgjë nuk i kanë merituar ato. Duke i trajtuar politikanët si tejet të përkryer dhe shumë të suksesshëm, apo dhe tepër të domosdoshëm, qytetarët shqiptarë i kanë ngritur ata në piedestalin më të lartë të mundshëm, jo vetëm në hierarkinë politike, por edhe në atë shoqërore. Ndërsa politikanët e tillë, nga ana e tyre, kanë ditur që të largohen nga orbita e vëmendjes dhe vëzhgimit të qytetarëve, aq shumë sa që ata kanë arritur të shmangen jo vetëm nga interesat e qytetarëve, por gjithashtu i kanë lajthitur dhe u janë shmangur edhe interesave kombëtare shqiptare në përgjithësi.

Prandaj, duke pasur parasysh të gjitha këto rrethana dhe ngjarje, qytetarët shqiptarë duhet domosdoshmërisht t’i shmangin krijimin e kulteve të liderëve dhe ndaj tyre të sillen më me kujdes dhe më me tepër vëmendje, sepse ata, siç thashë më lartë, mund të ngriten shumë lartë dhe t’u kthejnë shpinën qytetarëve. E, më krijimi dhe ndjekja e kultit të liderëve, tek shqiptarët, na ka sjellë shumë probleme, vështirësi, dëme dhe telashe, apo na ka sjellë në gjendjen më të keqe të mundshme si komb. Lirisht mund të thuhet se kjo na ka dërguar edhe buzë greminës.

Prandaj, qytetarët shqiptarë duhet të vetëdijesohen e të kthjellen, dhe ata në krye të politikës shqiptare duhet të sjellin liderë politikë të ndershëm, të ndërgjegjshëm dhe të përgjegjshëm, e jo liderë pa karakter, të paarsimuar dhe të paedukuar, të cilët nuk e dinë se çfarë është përgjegjësia dhe përgjegjshmëria, dhe më pas këtyre tu njihet privilegji i politikanëve të kultit. Dhe, krejt në fund, politikanët duhet të vendosen në nivelin e kultit pas përfundimit të veprimtarive të tyre politike, apo pas penzionimit të tyre nga politika. Më saktë, pasi të bëhet analizimi dhe vlerësimi i veprimeve të tyre, se a kanë vepruar mirë dhe drejtë, jo vetëm me qytetarët, por edhe me çështjet e përgjithshme kombëtare, sa kanë qenë aktivë në krye të politikës shqiptare, e jo gjatë kohës sa ata politikanë merren akoma me politikë, sepse gjatë kësaj kohe të gjithë janë mëkatarë dhe gabimtarë potencialë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat