Vuçiqi po e ha veten!

Opinione

Vuçiqi po e ha veten!

Nga: Sherif Ramabaja Më: 6 janar 2025 Në ora: 14:59
Autori Sherif Ramabaja

Fundin nuk e kishte paramenduar kështu. Vriste e priste kundër shqiptarëve, kundër kroatëve e kundër boshnjakëve. Mendonte se kjo do t´i mjaftonte, ta ruante pushtetin e përjetshëm në Serbi.

Me entuziazëm po e priste inaugurimin e Trumpit, por edhe më me dëshirë e priste rikthimin e Grenellit. Kjo mendonte se do ta ndihmonte, të fitonte maksimumin ndaj Kosovës dhe planet përfundimtare i kishte në ndarjen, apo ta bënte të pa mundur funksionimin e Kosovës si shtet.

Po ashtu plane mbi plane kishte që me Putinin së bashku, të realizonin edhe botën serbe e ruse. Dhe derisa mendonte se ishte pran finalizimit të planeve të tij,  po i ndodh e papritura, dhe nga kush? Nga populli i vetë.

Këtë nuk po arrin ta kuptoi, e as ta përpunoi. Jepte deklarata se as jeta nuk i dhimbset për Serbinë. Serbia është e fuqishme. Do t´i mbrojmë serbët kudo qofshin, deklaronte. Nuk do të lejoj poshtërimin e Serbisë dhe të popullit serb etj.

 Në kohën e luftës po ashtu i kërcënonte boshnjakët se për një serb të vrarë, do t´i pushkatojmë njëqind boshnjak, teori të njejtë, sikurse Goebelsi i Hitlerit.

Kosovën e kërcënonte për çdo ditë me ushtri e luftë, po shqiptarët ishin të mësuar dhe të rryer me Serbinë. Kjo ishte një përditshmëri, apo rutinë për ta.

 Sa herë që i tekej e niste ushtrinë drejt Kosovës. Ai i manipulonte dhe i udhëhiqte ashtu siç donte serbët e Kosovës, duke i akuzuar shqiptarët dhe Kurtin për terror ndaj serbëve. Kurse në realitet me organizimin e tij, kryente sulme paraushtarake e terroriste në Kosovë.

Për rolin e tij në Kosovë pas vetes i kishte disa personalitete duke e përfshirë Lajcakun, Borrellin, Ramën dhe disa shtete evropiane, të cilat ende se kanë njohur pavarësinë e Kosovës dhe mendonte se e tërë bota sillej rreth tij.

Populli thotë se e keqja më e madhe të vjen nga vetvetja, dhe si duket kjo po i ngjan edhe Vuçiqit.

I është ngritur populli i vetë, kundër tij. Po e akuzojnë se Serbinë po e mban peng. Në Serbi e ka sjell Kinën, e ka sjell Rusinë duke u larguar çdo herë e më shumë nga EU e perëndimi. Tash si duket as litiumi nuk po e ndihmon. I kanë mbetur shumë pak opsione, ose ta dorëzoi pushtetin, ose të hyjë në luftë me popullin e tij.

Sipas psikologëve, diktatorët nuk tërhiqen. Pushteti për ta është gjithçka, prandaj janë në gjendje që të hyjnë në luftë, po pushtetin nuk e dorëzojnë. Rreziku është se diktatorët para se ta luftojnë popullin e tij, mundohen që fitilin e luftës ta ndezin te të tjerët.

Në këtë rast Vuçiqi i ka dy opsione: Kosovën dhe Bosnjën, po pyetja është se, a do të guxonte t´i aktivizonte këto vatra. Kjo do të varet tërësisht nga bashkësia ndërkombëtare. Më me dëshirë do të nisej kundër Kosovës e Bosnjës, po nëse ky opsion i dështon, nuk i mbetet tjetër, përpos të niset kundër popullit të tij. Ky do të ishte opsioni më i lehtë. Planet si duket i ka të gatshme, vetëm duhet të presim se si do t´i aktivizoi.

Vuçiqi siç po shihet i ka punët ngushtë, si duket po e ha vetveten.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat