Në vend të përmirësimit të infrastrukturës së prodhimit vendas, Kosova vazhdon të mbështetet në importet e energjisë elektrike

Opinione

Në vend të përmirësimit të infrastrukturës së prodhimit vendas, Kosova vazhdon të mbështetet në importet e energjisë elektrike

Nga: Agim Vuniqi Më: 6 janar 2025 Në ora: 21:14
Agim Vuniqi

Problemi energjetik dhe mungesa e rrymës elektrike në Kosovë bëhet edhe më i pakuptueshëm kur merret parasysh fakti se Kosova disponon me resurse të konsiderueshme natyrore, veçanërisht me rezervat e mëdha të thëngjillit. Në vend që kjo pasuri të shfrytëzohet në mënyrë strategjike për të garantuar stabilitetin energjetik dhe zhvillimin ekonomik, ndërkambëcat politike dhe mungesa e vizionit afatgjatë kanë çuar vendin drejt një krize të thellë energjetike, duke rrezikuar defunksionalizimin e shtetit.

Situata bëhet më alarmante duke marrë parasysh se kriza globale energjetike ka bërë që çmimi i energjisë elektrike në tregun ndërkombëtar, sidomos për rajonin e Evropës Juglindore (me - Mesdheun dhe Ballkanin), të arrijë nivele astronomike. Ndërkohë që shtetet e tjera po kërkojnë zgjidhje përmes diversifikimit të burimeve dhe përdorimit të pasurive vendore, Kosova vazhdon të mos shfrytëzojë potencialin e saj të thëngjillit si një zgjidhje afatmesme dhe të qëndrueshme për krizën energjetike.

Kosova ka një mundësi të artë për të transformuar sektorin energjetik përmes shfrytëzimit strategjik të pasurive të saj natyrore dhe përmirësimit të infrastrukturës ekzistuese. Politika afatshkurtra dhe mungesa e koordinimit institucional po e shtyjnë vendin drejt një krize të thellë, në një kohë kur stabiliteti energjetik është jetik për zhvillimin ekonomik dhe mirëqenien e qytetarëve. Për të dalë nga kjo situatë, nevojiten vendime të guximshme, të bazuara në të dhëna konkrete dhe plane afatgjata që vënë interesin kombëtar mbi çdo kalkulim politik.

Menaxhimi i dobët i burimeve natyrore

Thëngjilli, i cili mund të përdoret për të fuqizuar prodhimin vendas të energjisë, nuk është shfrytëzuar si duhet për shkak të pengesave administrative, korrupsionit dhe mungesës së planifikimit afatgjatë.

Ndikimi i politikës dhe presioneve ndërkombëtare kanë influencuar që vendimet për sektorin energjetik të jenë shpesh rezultat i ndërhyrjeve politike, duke lënë pas dore interesat kombëtare dhe nevojën për zhvillim të qëndrueshëm.

Në vend të përmirësimit të infrastrukturës së prodhimit vendas, Kosova vazhdon të mbështetet në importet e energjisë, të cilat janë të kushtueshme dhe të pasigurta, sidomos në periudha të krizave globale, duke shkaktuar varësi nga importi i energjisë elektrike.

Kriza energjetike ka efekte të shumta negative si rritja e kostove të jetesës për qytetarët, për shkak të tarifave më të larta të energjisë elektrike si dhe dëmtimi i konkurrencës së bizneseve. Ndërprerjet e energjisë elektrike dhe çmimet e larta e bëjnë të vështirë për bizneset të funksionojnë dhe të jenë konkurruese në tregjet rajonale dhe ndërkombëtare. Gjithashtu mund të shkaktojë rritjen e papunësisë si pasojë e mbylljes së bizneseve që nuk mund të përballojnë kostot e energjisë.

Zgjidhjet konkrete për shfrytëzimin e burimeve dhe menaxhimin e krizës nënkuptojnë modernizimin e termocentraleve ekzistuese dhe ndërtimin e kapaciteteve të reja; investime në teknologji më efikase për të përdorur thëngjillin në mënyrë më miqësore ndaj mjedisit dhe më të qëndrueshme; nxitjen e ndërtimit të termocentraleve të reja që mund të plotësojnë kërkesën për energji.

Përveç thëngjillit, Kosova duhet të shikojë mundësinë e zhvillimit të burimeve të rinovueshme si energjia diellore dhe e erës për të krijuar një sistem më të balancuar.

Është i nevojshëm gjithsesi reformimi i sistemit të menaxhimit të sektorit energjetik dhe hartimi i një plani kombëtar të energjisë, që përcakton qartë objektivat afatshkurtra dhe afatgjata. Kjo do te rriste transparencën dhe përgjegjësinë në institucionet publike dhe në ato private që merren me prodhimin, shpërndarjen dhe furnizimin me energji.

Përqendrimi në prodhimin vendas do të shmangëte varësinë nga importet për të mbrojtur ekonominë vendore nga çmimet e luhatshme globale. Ndërsa për të siguruar investime nga jashtë është e nevojshme përfshirja e sektorit privat dhe ekspertëve të pavarur vendas dhe nga diaspora për të përfituar nga përvoja ndërkombëtare në menaxhimin e krizave energjetike.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat