Çfarë kohe ka ardh...?

Opinione

Çfarë kohe ka ardh...?

Nga: Xhevat Mustafa Më: 7 janar 2025 Në ora: 09:41
Xhevat Mustafa

Prej rreth 34 vitesh, me 21 vjet qeverisje nga "e majta" dhe 13 vjet nga "e djathta", pra më së shumti, me mendje dhe duar shqiptare, ka ardhur për Shqipërinë dhe shqiptarët një kohë, që u ka nxirë shumicës së tyre jetë dhe vendlindje...!? 

Në epokën e "pas komunizmit" e të "demokracisë" ka ardhur koha e diplomablerësve askushë, që bëhen dhe bëjnë gjithçka duan; e bosëve në krye të bizneseve dhe të bandave, që vendosin edhe mbushjen e parlamentit, të qeverisë e të zyrave më "të majme" të saj...! E politikanëve turistë nga një parti në tjetrën e që bëjnë biznese me tesera, poste, mandate, flamurë partiakë..., për një tendër, leje ndërtimi, PPP...dhe për përfitime të tjera individuale dhe familjare!? 

E piktorëve-kryeministra; e doktorëve- presidentë; e ministrave në garë të çmendur kush të fitojë me një firmë sa më shumë miliona...e që "nuk njohin" kuptimin e fjalëve, koncepteve, praktikave..."ideal", "ndershmëri", "moral" "përgjegjshmëri", "keqardhje njerëzore", "përkushtim", "seriozitet" "korrektesë", "dorëheqje"...! Por, edhe e zyrtarëve që nuk të bëjnë punë po nuk u mbushe sirtarët, xhepat dhe kuletat me lekë, euro, paund, dollarë...!!!??? E plot gjykatësve dhe e prokurorëve, që kushtetutën dhe ligjet i shikojnë dhe trajtojnë, interpretojnë dhe zbatojnë jo me mendjet, sytë, ndërgjegjet e tyre njerëzore e profesionale, por të SHEFAVE lart e jo larg, veshur me pushtete zyrtare ose ordinere e kriminale si dhe me kostume firmato blerë me para të pista..., shndërruar edhe në kulla e saraje turistike si dhe ruajtur edhe në "parajsat ofshore"...!?

 E plot policëve, që uniformën e kanë më së shumti për të fshehur të shkuarën e tyre plot "njolla" e gjurmë nëpër vende krimesh, nëpër dosje dhe kompjutera gjykatash, nëpër burgje... Por, edhe për të mbuluar me gjethe fiqsh dhe kanabizi edhe të sotmen e tyre, me lidhje të pafshehshme dot me bandat e krimit të organizuar e me SHEFA në majën e piramidës politike dhe qeverisëse...!? 

Prej rreth 34 viteve ka ardhur koha edhe e jo pak mjekëve që i kanë shndërruar disa klinika e spitale në "kasaphana" për shëndetin dhe kuletat e pacientëve; që nuk të prekin me dorë, sa je akoma gjallë, pa u mbushur duart dhe xhepat e përparseve "të bardha" vetëm për nga ngjyra; pa të detyruar të shkosh në klinikat dhe farmacitë private të tyre apo të miqve dhe mikeshave të tyre...!?

Duke mos u zgjatur më shumë e duke menduar t'iu lë të shtoni vetë çfarë mendoni, ka ardhur një kohë që...shumëkush nga qytetarët e thjeshtë, i ndjerë krejt i pambrojtur e pa mundur të dijë se nga kush e nga të mbrohet më parë, të ulërijë, sa të dëgjohet në Surrel, por edhe në Uashington dhe Bruksel!

 - Përse, o ZOT dhe o "rob shqiptar" dhe "miq" apo "aleatë ndërkombëtarë", pa ushtri të armiqve të jashtëm, e katandisët në këtë gjendje lemerisëse këtë vend, që është një nga parajsat më të rralla në botë për nga natyra dhe pasuritë nën e mbi tokësore...e që mund të ishte bërë Zvicër shumë më parë se Zvicra...???

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat