Duke qenë se VV e ka pasur shumicën në zgjedhjet e fundit, edhe ministrat i ka pasur nga koalicioni me Guxo, ashtu siç është edhe tani në zgjedhjet e 9 shkurtit. Përveç disa ministrive për komunitete, siç parashikohet me ligj, VV ka pasur ministritë kryesore nga radhët e saj. Kështu që, besoj se Vetëvendosje, së bashku me Guxo, do të duhet të konkuronin me kabinetin e ardhshëm qeverisës.
Këtë duhet ta bënte VV, sepse pretendon të jetë ajo që qeverisë me vendin edhe për katër vjet me parashikimet e mira në drejtim të saj. Andaj, bërja publike e kabinetit të ardhshëm qeverisës do të jetë praktikë e mirë edhe për të tjerët, sepse qytetarët do të mund të votojnë më tepër për njerëzit më të duhur.
Secili kandidat, për shembull, për ministër të Arsimit apo të Ekonomisë, do të ballafaqohej për programet dhe vizionin e tij në atë sektor. Do të ishte një garë më e fortë e cilësisë mes kandidatëve sesa të votohet për liderin e partisë në qendër. Ministrat nuk duhet të jenë vetëm pjesë e shijes personale të kryeministrit, por njerëz të aftë që meritojnë pozitën që e marrin.
Ky model i paraqitjes së kabinetit qeverisës dhe garës mes kandidatëve, duke paraqitur planin e partive të tyre, besoj se është më i mirë, më garues dhe, mbi të gjitha, i mundëson qytetarit të zgjedhë më të mirën.
Këtë duhet ta bëjnë të gjithë, por sidomos partitë kryesore që mëtojnë të dalin të parët. Duke qenë e para dhe me gjasa më të mëdha për fitore, VV duhet të jetë nismëtarja e kësaj ideje për t'u ndjekur edhe nga të tjerët.