Procesi gjyqësor në Hagë ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit ka shumë mundësi të përfundojë në fund të këtij viti. Sipas parashikimit të prokurorisë, ajo do të përfundojë marrjen në pyetje të dëshmitarëve deri në prill të këtij viti. Pas kësaj, i takon mbrojtjes të thërrasë dëshmitarët, dhe në fund do të jepet vendimi final nga gjykata. Kjo mund të përfundojë në fund të këtij viti, por nëse ka ndonjë zvarritje, mund të ndodhë në fillim të vitit tjetër.
Është ende herët të dihet se çfarë mund të ndodhë në fund të këtij procesi të zgjatur, pasi varet edhe nga dëshmitarët e mbrojtjes, se sa do të jenë të besueshëm dhe sa do të mund të sjellin dëshmi që mund të ndihmojnë të akuzuarit. Epilogu ende nuk dihet, por nëse kjo gjykatë vepron me tendenca politike, sigurisht se do të ketë dënime të mëdha për katër të akuzuarit. Nëse është vetëm pjesë e drejtësisë, e kam të vështirë të them nëse do të dënohen apo jo. Gjithësesi, më duket pak e besueshme që të mund të lirohen të katër të akuzuarit, aq më tepër Thaçi, i cili i janë shtuar edhe 11 akuza të reja për pengim të drejtësisë.
Dënimi i tyre eventual mund të shtojë përpjekjet e Serbisë që ta përdorë këtë si argument se luftëtarët e UÇK-së kanë qenë terroristë, edhe pse këta katër nuk e përfaqësojnë as luftën çlirimtare të njohur botërisht.
Le të presim fundin e vitit për të parë se si do të mbyllet ky proces dhe nëse do të ketë dënime për katër të akuzuarit në rastin Thaçi dhe të tjerët. Kosova meriton vetëm të vërtetën dhe asgjë tjetër.