Pse (s’) ekziston zoti?

Opinione

Pse (s’) ekziston zoti?

Nga: Lis Bukuroca Më: 8 janar 2025 Në ora: 17:22
Autori Lis Bukuroca

1.Lufta e parë botërore nisi dhe përfundoi kur Kaini vrau vëllanë e tij, Abelin, duke shfarosur një të katërtën e njerëzimit me vetëm një vrasje.

A duhet ta fajësojmë për mosndalimin e vrasjes në një botë ku ekzistonin vetëm katër njerëz — një situatë që, me gjithë pushtetin e tij të pakufishëm, mund ta mbikëqyrte lehtësisht? Apo duhet ta falënderojmë për pafuqinë e tij për të parandaluar vrasjen e një krijese nga një tjetër, kur të dy ishin vepra të tij. Sipas dëshirës së tij. Dhe, nëse zoti e di ardhmërinë, se Kaini do të vriste Abelin, përse e krijoi “dreqin” e parë? 

Çfarë qëllimi mund të kishte në atë skenar tragjik? Por pyetja thelbësore që shtrohet këtu është kjo: Pse zoti, që na përshkruhet si i plotfuqishëm dhe i gjithëdijshëm, nuk ka dhembshuri? Pse lejon që një krim i tillë të ndodhë në fillim të historisë njerëzore? A ka ai përgjegjësi për të keqen që ndodh në botën e tij?

2. Kur zoti merr jetën e qindra njerëzve me tërmete apo vërshime, çfarë duhet të bëjmë? Ta kritikojmë pse u soll ashtu me më të dobëtit? T’i themi: “Faleminderit që nuk na vrave edhe ne”? Apo t’i shprehim urime për këtë vepër madhështore humane? Dilema që shtrohet është kjo: Pse nuk ka zoti ndjeshmëri etike? A ka pushtet?*1. Nëse nuk ka, atëherë pse e quajmë zot? Nëse ka pushtet, atëherë pse lejon — dhe më tej, pse vetë shkakton tragjedi? Dhe, nëse është i gjithëpushtetshëm, si e përkufizon ai të mirën dhe të keqen në veprimet e tij ndaj njerëzimit?

3. Kur Putini dërgon ushtrinë ruse në Ukrainë dhe vret fëmijë, gra, pleq dhe plaka, cila është detyra e zotit? Të ndihmojë, duke ua marrë shpirtin menjëherë pas goditjes me plumb për t’i shpëtuar nga dhimbja dhe vuajtja e madhe? Apo të qëndrojë i pandjeshëm, i pa shqetësuar, ndërsa sheh si i vriten krijesat e tij? A është zoti i pafuqishëm për të ndaluar një gjenocid kaq të tmerrshëm? Cili është roli i zotit në Ukrainë sot?

Kjo është një pyetje etike dhe filozofike, dhe përgjigjja është shumë e thjeshtë: nuk ka zot, e as zota me ato atribute që religjionet u mveshin. Sepse, po të ekzistonin, atëherë duhej t’i mbanin përgjegjësitë që dalin nga veprimet ose mosveprimet e tyre. Në fund të fundit, një fuqi e gjithëdijshme dhe e plotfuqishme që lejon vrasje e vuajtje do të mund të akuzohej për bashkëpunim në krime apo mosofrim të ndihmës.

Ashtu si një gjykatë njerëzore dënon dikë për mosdhënie ndihme në një rast nevoje, po ashtu një qenie me fuqi dhe dije të pakufizuar nuk mund të përligjet duke qëndruar pasiv përballë të keqes. Një zot i tillë, sikur të ekzistonte, nuk mund të shpëtonte përgjegjësia morale. Ose do të duhej të besonim se njeriu është më i mirë se ai.

4. Për ata që thonë se Zoti lejon të keqen për të sprovuar të mirët: 

Sikur zoti (zotat) të ekzistonte dhe të ishte vërtet i drejtë, nuk do ta lejonte të keqen të ngadhënjente. Ai do t’u dhuronte të drejtëve një jetë të mirë, në mënyrë që të ligët të mësonin prej tyre. Por në botën që kemi, jo drejtësia, por fuqia është ajo që siguron dhe garanton pushtet, privilegje dhe mirëqenie! Nëse ngjarjet tragjike dhe aktet e dhunës shpjegohen si pasojë e lirisë që zoti i ka dhënë njeriut për të vepruar, atëherë dilema që lind është kjo: Pse na duhet Zoti? Pse t’i lutemi? Në çfarë mënyre ndikimi i tij është i dobishëm për njerëzimin?

Një zot që kufizohet vetëm në dhënien e shpirtit dhe lirisë së pakufishme, madje edhe për vrasjen e njeriut, por që nuk pengon pasojat tragjike të saj, nuk është as mbrojtës, as ndihmues. Meqenëse ai nuk ndalon vuajtjen dhe dhunën, mungesa e ndërhyrjes së tij përjashton ekzistencën e tij.

Nëse zoti është i gjithëpushtetshëm dhe mund të ndërhyjë, por nuk e bën, atëherë ai është bashkëpjesëmarrës në të keqen që lejon të ndodhë. Nëse nuk ndërhyn për të mbrojtur një fëmijë që vritet, një grua që përdhunohet apo një popull që masakrohet, atëherë ku qëndron ndjeshmëria e tij etike? Në këtë rast, lind pyetja thelbësore: Pse na duhet një zot si ai?

Në fakt, zoti i imagjinuar mund të jetë një ndihmesë psikologjike për disa dhe si një burim fitimi për të tjerët. Edhe për shtetin. Por, në të njëjtën kohë, ai është joreal, jopraktik dhe, mbi të gjitha, me pasoja të mëdha katastrofale për njerëzimin që prej fillimit të historisë. Qysh nga zanafilla. Qysh nga Lufta e Parë Botërore kur Kaini vret Abelin. Një Zot i drejtë, i gjithëdijshëm, i mëshirshëm dhe i plotfuqishëm do të duhej të ndërhynte pikërisht aty ku liria e një individi cenon të drejtën për jetë të një tjetri.

Kjo çon te një pyetje përfundimtare: Nëse zoti nuk e parandalon të keqen dhe nuk ka ndikim real në fatin e njerëzimit, a është ai i nevojshëm për botën? Në fund të fundit, më shumë se një liri që lejon dhunë e masakra, ajo që i duhet njerëzimit është drejtësia dhe mbrojtja nga padrejtësitë, edhe e zotit apo zotave. Nëse shteti lejon vrasjen, nuk është shtet. Nëse zoti përligj vrasjen, nuk është zot. Nëse e lejon, nuk është. Nëse nuk mund ta ndalojë, nuk ekziston.

*1 Përgjigje për Leibniz-it:

Nuk dua të keqkuptohem sikur pretendoj të di më shumë se Leibniz-i — kurrsesi. Por jetoj në një kohë kur disa gjëra dihen më qartë sesa në epokën e tij. As Platoni dhe as Leonardo da Vinci nuk do të dinin të përdornin një celular sot, jo sepse nuk ishin dijetarë të mëdhenj, por sepse ishin edhe rezultat i kohës së tyre.

Pas teorisë së evolucionit të Darwinit dhe përparimeve në shkencë, ne e dimë tashmë se jeta është një proces natyror dhe jo një krijim hyjnor. Për këtë arsye, përgjigjja më e thjeshtë për pyetjen e Leibniz-it — “Pse Zoti nuk e zhduk të ligën?” — është kjo:

Sepse një qenie që nuk ekziston, nuk mund të ndërhyjë në botë për të zhdukur vuajtjet apo të ligën. E liga është një pjesë e natyrshme e botës së gjallë, pasojë e evolucionit dhe luftës për mbijetesë. Të mirat dhe të këqijat që përjetojmë janë produkte të proceseve biologjike dhe shoqërore. Domethënë nuk ka të mira dhe të liga, por vetëm ngjarje! Luani, duke e ngrënë lepurin mbijeton.

Por, për ata që ende besojnë se universi kërkon një mbikëqyrës hyjnor dhe se lpërrallat e lashta duhen marrë si të vërteta, atëherë le të mendojmë për këtë: A do të ishte një zot i drejtë ai që krijon njerëz të ndryshëm, me besime të ndryshme dhe më pas pret që ata të urrejnë dhe të vrasin njëri-tjetrin për shkak të atyre dallimeve?

Nëse dikush beson ende se kafshët flisnin dikur, se gruaja u krijua nga brinja e burrit dhe se Adami martoi vetveten, është i lirë ta shohë atë si një përrallë morale — ashtu si përrallat e La Fontaine-it ku flasin kafshët.

Por mitet nuk duhet të bëhen udhëzues të politikës. Historia na ka dëshmuar se shumë krime janë kryer me arsyetimin se ‘kështu dëshiron Zoti’. Njeriu nuk mund të zgjedhë vendin e lindjes, etninë, ngjyrën e lëkurës apo familjen që i përcjell një fe më të mirë. Njeriu nuk ka faj për atë që është. Nëse zoti ekziston dhe kënaqet kur njerëzit vrasin në emër të tij, atëherë ai nuk mund të adhurohet. Nuk mund ta adhuroj një zot pse më kurseu mua, por diku tjetër vret me tërmet, luftëra apo vërshime.

Por meqenëse zoti nuk ekziston, detyrë e njeriut është të ndërtojmë një botë të drejtë dhe të lirë nga mitet që nxisin urrejtje dhe dhunë. Prandaj, pyetja thelbësore nuk është më nëse zoti mund të zhdukë të ligën. Pyetja është: Si të çlirohemi nga dogmat që përligjin të ligën?

*1

Nëse zoti është mirësia dhe i gjithëfuqishëm, pse nuk na heq qafe vuajtjet? Ato pyetje duhet të jenë nga ithtarët e Epikurit ose nga Epikuri vet. Leibniz-i e quan Teodize dhe shkruan:

„Ose perëndia dëshiron të zhdukë të ligën, por nuk nuk mundet: Atëherë është i dobët, çfarë nuk mund të vlejë për të, ose ai mundet, por nuk dëshiron: Atëherë perëndia është dashakeq, çfarë është e huaj për të: Ose nuk dëshiron dhe nuk mundet: Atëherë është i dobët dhe dashakeq njëkohësisht, pra nuk është perëndi: Ose ai dëshiron dhe mundet çfarë i ka hije vetëm një perëndie; Por atëherë nga vjen e liga dhe pse nuk e zhduk?“

Mos prit nga qielli, vepro! Puno! Kujdesu për shëndetin! Mëso!

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat