Historiku dhe rrënjët e krizës energjetike në Kosovë

Opinione

Historiku dhe rrënjët e krizës energjetike në Kosovë

Nga: Agim Vuniqi Më: 8 janar 2025 Në ora: 22:00
Agim Vuniqi

Problemi energjetik dhe mungesa e rrymës elektrike në Kosovë është një çështje komplekse që buron nga kombinimi i faktorëve politikë, ekonomikë, teknikë dhe organizativë. Kjo situatë ka krijuar një mjedis të paqëndrueshëm për furnizimin me energji, duke ndikuar negativisht në jetën e qytetarëve dhe funksionimin e bizneseve. Mungesa e energjisë elektrike në Kosovë nuk është thjesht një çështje teknike, por një problem i ndërlikuar sistemik që kërkon zgjidhje gjithëpërfshirëse dhe afatgjate. Përgjegjësia ligjore dhe funksionale e të gjithë aktorëve duhet të jetë më e qartë, dhe dështimet e vazhdueshme nuk duhet të kalojnë pa pasoja. Duke investuar në infrastrukturë, duke forcuar rregullatorët dhe duke përfshirë ekspertizën vendase dhe ndërkombëtare, Kosova mund të kapërcejë këtë krizë dhe të ndërtojë një sistem energjetik të qëndrueshëm dhe funksional.

Përfshirja e prokurorisë dhe gjykatave në zgjidhjen e problemeve energjetike në Kosovë është një hap i domosdoshëm, duke pasur parasysh që shumë nga sfidat janë të ndërlidhura me keqmenaxhimin, mungesën e transparencës dhe shpesh edhe me korrupsionin. Ky angazhim do të mundësonte vendosjen e përgjegjësisë ligjore për aktorët që dështojnë të përmbushin detyrimet e tyre. Për të adresuar problemin, duhet krijuar një qasje gjithëpërfshirëse që përfshin jo vetëm aktorët teknikë dhe politikë, por edhe institucionet e drejtësisë, me rolin e secilit subjekt të qartë dhe të monitoruar.

 Historiku dhe rrënjët e problemit

Politikat dhe projektet energjetike të dështuara

Problemi energjetik dhe mungesa e rrymës elektrike në Kosovë është një çështje e ndërlikuar politike, e cila ka vazhduar të mbetet problematikë ndërmjet subjekteve politike që nga koha kur ministri Et’hem Çeku nisi projektin Kosova C. Më vonë, emri i këtij projekti u ndryshua në Kosova e Re, por dështimi në realizimin e tij, si dhe projektet e tjera, përfshirë projektet për gaz, janë bërë pengesë për zhvillimin ekonomik të vendit. Situata rëndohet edhe më tej me mungesën e rindërtimit dhe modernizimit të termocentraleve të vjetra.

Edhe pse ka pasur kritika të shumta lidhur me shpërndarjen e energjisë elektrike nga KEDS, mendoj se mungesa e energjisë elektrike është më shumë pasojë e reorganizimit të dobët dhe mosfunksionimit të sistemit në tërësi. Institucione si Ministria e Ekonomisë, ZRRE (Zyra e Rregullatorit të Energjisë), KESCO, KEDS, dhe KEK nuk mbajnë përgjegjësi të qartë ligjore, duke krijuar kaos dhe mungesë përgjegjësie.

Pse duhet të mbesin pa energji bizneset dhe qytetarët, ndërsa askush nuk përgjigjet?

Nëse qytetarët dhe bizneset paguajnë faturat me rregull, atëherë është detyrë ligjore që furnizimi me energji të jetë i garantuar gjatë gjithë kohës. Në rast të ndërprerjeve të energjisë, ata që dështojnë të përmbushin përgjegjësitë e tyre duhet të mbajnë përgjegjësi ligjore dhe të përballen me penalitete. Në Kosovë ka pasur kuadro me përvojë të jashtëzakonshme, që kanë kontribuar në ndërtimin e bazës së zhvillimit energjetik. Fatkeqësisht, këta ekspertë tani nuk konsultohen dhe potenciali i tyre mbetet i pashfrytëzuar.

 Projekti Kosova C dhe privatizimi i distribucionit (KEDS)

 Projekti Kosova C (Kosova e Re) ka qenë pra një premtim i madh për zhvillimin e sektorit energjetik në Kosovë, por dështimi i tij për shkak të politikave të paqarta, mungesës së financimit dhe presioneve ndërkombëtare ka lënë një boshllëk të madh në infrastrukturën energjetike. Përkundër mundësive për diversifikimin e burimeve energjetike, përfshirë energjinë e ripërtërishme dhe gazin natyror, këto projekte janë neglizhuar ose kanë ngecur për shkak të pengesave politike dhe institucionale. Nderkaq privatizimi i KEDS-it në vitin 2012 u prit me shpresa për përmirësime në menaxhimin dhe shpërndarjen e energjisë, por rezultatet kanë qenë të kufizuara. Mungesa e investimeve të mjaftueshme dhe e përmirësimeve teknike ka çuar në dështime të vazhdueshme në shpërndarje. KESCO (furnizimi) dhe KEDS (shpërndarja) kanë përgjegjësinë direkte për furnizimin me energji. Dështimet e tyre në investime dhe mirëmbajtje kanë krijuar ndërprerje të shpeshta. Ndërsa, Termocentralet aktuale, si Kosova A dhe Kosova B, janë ndërtuar gjatë viteve 1960-1980 dhe funksionojnë me teknologji të vjetruar që kërkon mirëmbajtje të shpeshtë dhe ka efikasitet të ulët. Mungesa e investimeve në modernizim ka bërë që këto termocentrale të mos përmbushin kërkesën për energji.

Meqë KEK (Korporata Energjetike e Kosovës) është përgjegjëse për prodhimin e energjisë elektrike, KEK ballafaqohet me probleme të thella teknike dhe financiare, të cilat pengojnë kapacitetin e saj për të siguruar energji të mjaftueshme. Rindërtimi i Kosovës A dhe B dhe investimi në teknologji më moderne për këto termocentrale mund të rrisë efikasitetin dhe të ulë ndërprerjet. Të rrisë kapacitetet prodhuese duke përmirësuar teknologjinë dhe të bashkëpunojë me sektorin privat për të nxitur diversifikimin e burimeve energjetike. Diversifikimi i burimeve dhe përfshirja e burimeve të ripërtërishme (si era dhe dielli) dhe gazit natyror janë si një alternativë afatgjatë.

 ZRRE (Zyra e Rregullatorit të Energjisë): Si rregullator i sektorit, ZRRE ka përgjegjësinë për të monitoruar funksionimin e tregut të energjisë dhe për të mbrojtur konsumatorët. Mungesa e ndëshkimeve për dështimet e operatorëve është një pengesë e madhe.

 Edhepse Ministria e Ekonomisë dhe Energjetikës është përgjegjëse për hartimin e politikave energjetike dhe zbatimin e projekteve madhore. Dështimi në koordinimin e aktorëve dhe në realizimin e projekteve strategjike është një nga problemet kyçe, pra ka munguar reformimi i menaxhimit të KEDS dhe KESCO. Përmes presionit rregullator nga ZRRE, KEDS dhe KESCO duhet të detyrohen të investojnë më shumë në përmirësimin e rrjetit dhe të rrisin përgjegjësinë për ndërprerjet e energjisë. Konsultimi me ekspertë energjetikë të Kosovës, përfshirë ata në diasporë, do të ndihmonte në zhvillimin e strategjive më të qëndrueshme.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat