Kosova pa veriun nuk është shtet

Opinione

Kosova pa veriun nuk është shtet

Nga: Agim Aliçkaj Më: 9 janar 2025 Në ora: 06:31
Agim Aliçkaj

Sulmi terrorist serb i 29 nëntorit në kanalin ujor të sistemit Ibër-Lepenc ishte drejtuar konkretisht kundër popullit të Kosovës. Kjo tregon qartë fytyrën kriminale të regjimit serb të Vuçiqit. Edhe skeptikët më të mëdhenj më në fund duhet ta kuptojnë se me Serbinë fashiste nuk mund të arrihet asgjë me dialog. Ata duhet të kuptojnë se nëse veriu futet në kontrollin e serbëve, Kosova do të shuhet si shtet.

Ata duhet të kuptojnë se pa veriun nuk ka Kosovë.

Cilido politikan i Kosovës që guxon ta krijojë asociacionin serb, do të zenë “vendin e nderit” në murin e turpit të historisë kombëtare. E njejta gjë i pret ata që bëjnë pazare me tokat shqiptare në çdo formë. Le ta kuptojnë të gjithë tradhtarët, frikacakët dhe shpirtat e shitur. Jo asociacion serb, jo shkëmbim territori, jo përshtatje kufijsh, dhe pikë. 

Për hegjemonistët serbo-rus, kërkesa për asociacion serb është vetëm edhe një parakusht, një hap tjetër në drejtimin e duhur për të vazhduar me kërkesa të tjera më radikale. Qëllimi i tyre përfundimtar është të shkatërrojnë Kosovën, të marrin nën kontroll të gjitha trojet shqiptare dhe të kenë dalje në det. Kosova është pengesa kryesore dhe e fundit për realizimin e dëshirave të tyre të errëta. 

Pretendimet e regjimit kriminal serb për kinse persekutim dhe shkelje të drejtave të minoritetit serb në Kosovë janë të pavërteta dhe absurde. Kosova është nën mbikëqyrje të rreptë ndërkombëtare nga të gjitha anët, nga KFOR-i, UNMIK-u, EULEX-i, opozita, shtypi dhe shumë organizata joqeveritare. Shtojini asaj edhe shërbimet e huaja miqësore dhe armiqësore të inteligjencës si CIA, MI6, BND, KGB, MSS, BIA dhe shumë të tjera. Edhe po të donte t’i shkelte, e ka të pamundur.

Po ashtu, deklaratat e disa politikanëve të opozitës se kinse Kosova po e sundon pakicën serbe me forcë si Milosheviqi, Rankoviqi etj. janë të pavërteta, të rrezikshme dhe idiotike. Akoma më keq, ata që thonë se Serbisë duhet t'i jepet diçka për të marrë njohjen, janë budallenjtë më të mëdhenj të këtij shekulli.

Kushtetuta e Kosovës i garanton pakicës serbe më shumë të drejta se kudo tjetër në botë. Ata kanë nevojë për mbrojtje nga bandat e Vuçiqit, jo ndonjë asociacion që i izolon nga shteti i tyre. Natyrisht, qeveria e Kosovës duhet të bëjë gjithçka që është e mundur për të fituar besimin e tyre pa cenuar interesat shtetërore. Garancitë ndërkombëtare për krijimin e një asociacioni serb “të padëmshëm” për Kosovën janë qesharake.

Nga ana tjetër, Serbia po shkel të drejtat njerëzore dhe kombëtare të shqiptarëve që jetojnë në trojet e tyre stërgjyshore në Serbi, Preshevë, Bujanoc, Medvegjë dhe Sanxhak. Pasivizimi i adresave dhe spastrimi etnik i shqiptarëve nga Serbia po vazhdon pa u penguar nga askush. Qeveria e Kosovës duhet ta ngrejë këtë çështje në çdo moment dhe të insistojë që ky problem të diskutohet në dialog me Serbinë. 

Urrejtja paranojake e klikave të ndryshme serbe, përfshirë Kishën Ortodokse Serbe dhe Akademinë e Shkencave për kombin shqiptar nuk ndalet kurrë. Në platformën e tyre të evidentuar me shkrim në pamfletin e shovinistit serb Vaso Çubriloviq, të provuar nga krimineli i luftës Millosheviq dhe të përshtatur nga ndjekësi i tij i verbër Aleksandar Vuçiq thuhet qartë: "Ekzistenca e kombit serb varet nga mosekzistenca e kombit shqiptar".

Lirinë e fituam me gjak dhe me sakrifica të panumërta ndër shekuj. Pavarësinë tonë e fituam me luftë kundër okupatorit serb. Liria dhe pavarësia nuk mund të negociohen dhe të dorëzohen përmes dialogut në tryezë. Këtë nuk e lejon gjaku i komandantit Adem Jashari dhe familjes së tij, dëshmorëve të tjerë, heronjve të lirisë dhe mijëra civilëve të pafajshëm, viktima të gjenocidit serb. Veçanërisht nuk e lejon gjaku i 1432 fëmijëve të masakruar nga ushtria terroriste serbe.

Përpjekjet e dështuara të Evropës për ta tërhequr Serbinë fashiste nga kthetrat e Rusisë fashiste në kurriz të Kosovës janë të pashembullta. Emisarët evropianë shfrytëzuan liberalizimin e vizave për t'ia dhënë Çakorrin Malit të Zi, Këshillin e Evropës për t'i dhënë tokat turistike Manastirit të Deçanit dhe po përpiqen të përdorin dialogun për t'i dhënë Serbisë kontroll mbi veriun e Kosovës. Presioni i tyre fillestar u kthye në mashtrim, shantazh dhe sanksione të padrejta ndaj Kosovës.

Të gjitha këto të dhëna tregojnë se disa politikanë evropianë mund t'i kenë premtuar Serbisë veriun e Kosovës. Duket se ata duan që Kosova e pavarur të kontrollohet nga Serbia. Të njëjtën gjë kërkon edhe kryeministri i Shqipërisë Edi Rama.

Ata ia dolën të frikësojnë dhe nënshtrojnë qeveritë e mëparshme. Por qeveria e guximshme, e aftë dhe e pakorruptuar e Kosovës e dalë nga zgjedhjet e 14 shkurtit 2021, e kryesuar nga presidentja Vjosa Osmani, KM Albin Kurti dhe kryeparlamentari Glauk Konjufca e nxori veriun nga kthetrat serbe. Ata e shpëtuan Kosovën nga shkatërrimi i sigurt.

Akuzat ndaj qeverisë së Kosovës për ftohje të marrëdhënieve me miqtë ndërkombëtarë janë absurde dhe të pabaza. Miqtë u kthyen në tregtarë të trojeve shqiptare për interesat e tyre të përkohshme gjeopolitike. Ata ishin mësuar të jepnin urdhra dhe të kontrollonin klasën e korruptuar të Kosovës. Nuk është çudi që ata janë të befasuar dhe të zemëruar me vendosmërinë e KM Albin Kurti për të mbrojtur interesat e vendit të tij.

Fajtorë edhe më të mëdhenj janë opozita e Kosovës, KM i Shqipërisë Edi Rama dhe mediat e shitura që po nxisin agresivitetin serb. Përpjekjet e tyre për të fajësuar qeverinë e Kosovës janë të kota. Populli i Kosovës e di shumë mirë këtë çështje, nuk mund të mashtrohet.

Prandaj Vjosë, Albin dhe Glauk. Të nderuar! Merreni nga unë dhe mijëra votues të pavarur, të cilët nuk kanë asnjë interes personal në jetën politike të Kosovës, përveç interesit kombëtar. Mos u përçani! Jeni të sulmuar nga të gjitha anët vetëm se po punoni mirë për shtetin dhe kombin. Serbia ka derdhur miliona në Kosovë dhe po përdor çdo mjet për t'ju përçarë dhe përmbysur. Ju lutemi mos u përçani!

Kosova ka arritur shumë nën udhëheqjen tuaj. Mos i lëndoni këto arritje sepse të gjitha përpjekjet tuaja të mëparshme do të shkojnë kot. Mundohuni t'i kapërceni mosmarrëveshjet privatisht me mençuri dhe respekt. Mos e sulmoni njëri-tjetrin sepse bëheni me karakter të ulët si të tjerët. Ju jeni të veçantë dhe si të tillë do të keni mundësinë të lini gjurmë në historinë kombëtare shqiptare. 

Kosova dhe mbarë kombi kanë nevojë për ju, për punën tuaj të përbashkët dhe për unitetin tuaj. Jeni shumë të aftë për postet që mbani. Ju ende konsideroheni treshja e ndryshimit dhe shpresës së Kosovës.

Gjëja më e rëndësishme është që ju e keni mbështetjen e shumicës së popullit të Kosovës. Politikanët dhe diplomatët ndërkombëtarë vijnë e shkojnë. Të gjithë ata janë të përkohshëm. Vetëm populli është i përhershëm. Jeta juaj politike varet nga populli i Kosovës, jo nga ndërkombëtarët. Qëndroni së bashku për të fituar të paktën edhe një mandat me më shumë se 50% vota. Vetëm kështu miqtë dhe armiqtë do t'ju respektojnë ju dhe vendin që përfaqësoni.

Ju gëzoni respekt dhe mbështetje të veçantë nga veprimtarët e shquar për të drejtat e njeriut dhe kombëtare shqiptare, legjendat e gjalla të lobimit në Washington Joe DioGuardi dhe Shirley Cloyes DioGuardi, shumica e Bordit të Ligës Qytetare Shqiptaro Amerikane, si dhe shumica dërrmuese e mërgimtarëve në SHBA.

Mos lejoni që politikanët të cilët janë të gatshëm të shesin shtetin dhe kombin për interesa personale e partiake, për vjedhje e korrupsion, të marrin në dorë qeverisjen e Kosovës.

Partitë opozitare të Kosovës duhet ta kuptojnë njëherë e mirë se për të fituar besimin e popullit duhet të bëhen më të mira se pozita. Kërkesat e tyre ndaj komunitetit ndërkombëtar në interes të shtetit duhet të jenë më të mëdha, jo më të vogla se ato të qeverisë. Pritshmëria minimale për ta është uniteti kundër Serbisë. Mbështetja e popullit nuk mund të arrihet me ofendime, shpifje dhe kritika të pavend, por duke ofruar zgjidhje konkrete.

Mediat në hapësirën shqiptare dhe analistë të ndryshëm janë bërë aq të neveritshëm me komentet e tyre saqë është e pamundur të ndiqen. Ata po gënjejnë aq shumë kundër qeverisë, sa nuk mund t'u besohet as kur thonë të vërtetën.

Ndonëse e sulmuar nga të gjitha anët, qeveria e Kosovës ka bërë një punë të madhe, veçanërisht në planin ndërkombëtar. Presionin ndërkombëtar e ka përballuar me dinjitet dhe në mënyrën më të mirë të mundshme, duke bërë lëshime për gjëra të vogla, por jo për ato që cënojnë sovranitetin dhe integritetin e shtetit.

Marrëveshja e BE-së Macron-Scholz, e refuzuar nga Serbia, duhet të jetë kompromisi i fundit që Kosova bënë ndaj bashkësisë ndërkombëtare. Dialogu ka dështuar për shkak të Serbisë. Problemi është në Serbi dhe mund të zgjidhet vetëm atje. Nuk do të ketë paqe dhe siguri në Evropë derisa Serbia të dekriminalizohet.

Kosova nuk ka rrugë tjetër veçse të qëndrojë dhe të përgatitet për mbrojtje derisa bashkësia ndërkombëtare të lodhet nga destruktiviteti dhe agresiviteti serb. Prandaj shteti i Kosovës duhet të jetë gati me të gjitha mjetet diplomatike, ekonomike dhe ushtarake sepse kriminelët serbë kuptojnë vetëm presionin e vërtetë dhe gjuhën e forcës. Të gjithë ne duhet të kontribuojmë në Fondin e Sigurisë. 

Ky është vetëm fillimi. Pasi që Rusia është pas Serbisë, Kosova ka nevojë për një fuqi më të madhe për t'u përballur me të. Kjo mund të bëhet vetëm me ndihmën e Amerikës dhe askujt tjetër. Bashkëpunimi dhe koordinimi me Amerikën është i nevojshëm për të mbijetuar. E drejta është në anën tonë.  Serbia është me Rusinë dhe nuk do të jetë kurrë me Amerikën. Kosova është Amerikë, dhe pikë.

Është e nevojshme të gjendet një mënyrë për të bindur administratën e presidentit të ardhshëm Donald Trump që t'i ngrit marrëdhëniet ekonomike dhe diplomatike në një nivel më të lartë dhe të arrihet një marrëveshje për mbrojtjen e shtetit të Kosovës deri në sigurimin e anëtarësimit në NATO. 

Ekziston mundësia që në dialogun me Serbinë të ketë rol edhe emisari i propozuar nga presidenti Trump për misione speciale në Korenë e Veriut dhe Venezuelë, Richard Grenell. Askush nuk e di me siguri, por shpresoj se jo. Arsyeja kryesore është njëanshmëria e tij e hapur ndaj Kosovës dhe afërsia ekstreme me kriminelin Vuçiq, nga i cili mori edhe dy dekorata.

Megjithatë, nëse Grenell angazhohet në Kosovë dhe nuk ndryshon qasjen e tij, ai mund dhe duhet të kundërshtohet, së pari nga mbështetësit shqiptaro-amerikanë të Presidentit Trump, së dyti duke lobuar në Kongresin Amerikan përmes përfaqësuesve të të dyja partive dhe më pas me diplomaci të bazuar në fakte nga qeveria e zgjedhur e Kosovës, por vetëm në mënyrë private. Këtë mund ta bëjë vetëm një kryeministër i aftë dhe i vendosur me mbështetje të madhe popullore dhe ky është KM Albin Kurti. 

Shovinistët serbë presin që administrata Trump t'i mbështesë për të bërë gjëra të këqija, për të shkatërruar Kosovën dhe për të destabilizuar Evropën. Populli i Kosovës dhe i gjithë kombi shqiptar pret mbështetjen për të bërë gjëra të mira, për paqen dhe sigurinë, marrëdhëniet e mira me fqinjët dhe forcimin e Evropës. Zgjedhja duhet të jetë e lehtë. Lëshimet e mëtutjeshme ndaj Serbisë dhe komunitetit ndërkombëtarë nuk jan një opsion.

Në fund të fundit gjithçka varet nga ne, nga puna, përkushtimi, uniteti dhe qëndresa jonë. Nuk ka fuqi në botë që mund ta detyrojë Kosovën të bëjë lëshime në dëm të shtetësisë së saj, nëse kjo nuk pranohet nga populli trim dhe liridashës i Kosovës.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat