Ende pa u inauguruar zyrtarisht si president i SHBA, botën po e tronditin me deklarata si zoti Trump, ashtu dhe Elon Musk. Çdo ditë po i shpalosin planet e tyre që shumë kënd po i lënë pa mend, të tjerët i ka kapluar frika se çdo ngjet me vlerat e demokracisë botërore, kurse disa kanë paramendimin se Trumpi dhe Putini, po punojnë në përcaktimin e kufijve të ri Botëror.
Zoti Trump tash po i përsërit disa nga kërkesa e tij të mëhershme, që nga mandati i tij i parë, për blerjen e Groenlandës, e që atëherë merrej si shaka, kurse tash po deklaron se nuk e përjashton mundësinë e intervenimit ushtarak, që ta rrëmbej Groenlandën.
Megjithatë, zoti Trump tashmë erdh duke i zgjeruar kërkesat dhe po kërkon që ta marr nën kontroll edhe kanalin e Panamasë, i cili e lidh oqeanin Paqësor me atë Atlantik (për shkurtimin e rrugëve tregtare) dhe sikur nuk i mjafton kjo: Gjirin e Meksikës, do ta riemëroi si Gjiri Amerikan dhe po ashtu po kërkon që Kanadaja të bëhet shteti i 51 i SHBA.
Këto kërkesa dhe pretendime nuk kanë si të quhen ndryshe përpos, zgjerim territorial të SHBA dhe askush nuk ka njohuri se si do të arrihen, me dëshirë, me intervenim ushtarak, me referendum, me vetë deklarim, me dhunë, në mënyrë paqësore, apo si?
Siç duket këto nuk janë shenja të mira dhe mund të shkohet drejt një konfrontimi të ri. Apo mos është një parapërgatitje që Putinit t´i lehen duart e lira mbi Ukrainën dhe Ballkanin, kurse si kompensim Trumpi t´i realizoi apetitet e tij mbi Kanalin e Panamasë, Groenlandën, Gjirin e Meksikës, pse jo edhe Kanadanë.
Të kësaj fryme janë edhe deklaratat e Elon Musk, i cili haptas po përzihet në zgjedhjet gjermane, të cilat do të mbahen në prill të këtij viti, duke e favorizuar AFD, parti e ekstremit të djathtë (naziste) dhe përkrahëse e Putinit.
Musk po ashtu me deklaratat e tij të fundit ndaj Spanjës, kundër të huajve, po nxit përçarje dhe po kërkon të shkaktoi kaos në EU, në mënyrë që ta përgatis terrenin që ai dhe Trumpi, ta shtrijnë ndikimin, apo ta kenë nën kontroll tërë Unionin Evropian. Zoti Trumpi po ashtu këto ditë doli me kërkesën e re që anëtarët e NATOS ta rrisin buxhetin ndaj aleancës, me pesë përqindje, që do të ishte një sfidë për të gjithë anëtarët e saj, kur dihet se për shumicën do të ishte një ngarkesë e pa përballueshme. Polonia është shteti i vetëm i NATOS, e cili paguan 4 përqindje nga bruto produkti i saj për aleancën.
Si duket Trump dhe Musk, po e plotësojnë njëri tjetrin dhe krijohet përshtypja se cili prej tyre do të inaugurohet si president i SHBA, apo dytë së bashku.
Derisa tashmë po vërtetohet se këto nuk janë shaka të zotit Trump, po reagohet nga shtete, institucione dhe personalitete të ndryshme në drejtim të tij dhe këshilltarit të tij Musk.
Reagime duke i kundërshtuar kërkesat e tij dhe Elon Musk u paraqitën nga Danimarka, Panamaja, Franca, Gjermania, Spanja, Luksemburgu etj.
Bota në katër vitet e ardhshme do të përballet me kërkesat, ndoshta më irracionale gjatë decenieve të fundit, por mbetet të shihet se si do t´u qaset konflikteve dhe problemeve shumë të vështira globale.