Komisionerja e BE-së, Kaja Kallas, ka tashmë në tavolinë dy kandidatura për të zevendësuar ndërmjetësin e bisedimeve Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak. Dy emrat në tavolinën e saj janë Peter Sorensen dhe Pekka Haavisto. I pari vjen nga Danimarka dhe i dyti nga Finlanda. Peter Sorensen aktualisht është ambasador i Danimarkës në OKB, Gjenevë. Ndërkohë që ai ka një eksperiencë shumëvjeçare në shërbimet diplomatike që ka kryer në vendet e Ballkanit Perendimor, sidomos në Bosnjë-Hercegovinë. Në këtë vend ai ka kryer edhe detyrën e ambasadorit dhe në një fazë tjetër ka qenë përfaqësues i Bashkimit Europian. Ka shërbyer si ambasador edhe në Maqedoninë e Veriut.
Ndërsa finlandezi Pekka Haavisto vjen nga vendi i Martti Ahtisaarit, kryenegociatorit për statusin e Kosovës dhe kombaro i pavarësisë dhe shtetësisë së Kosovës. Ai ka një karrierë politike e diplomatike të admirueshme. Ka qenë gjithashtu ministër i Punëve të Jashtme të Finlandës. Trashëgimia e nobelistit Ahtisaari duhet ta ketë ndikuar atë në rastin e Kosovës. Pra, është e besueshme se personalisht Haavisto mbështet lirinë, pavarësinë dhe shtetësinë e Kosovës, si dhe sovranitetin e integritetin territorial të saj.
Përshkrova karrierën dhe origjinën e dy kandidatëve për kryenegociatorë të dialogut Kosovë-Serbi, për të përforcuar idenë se të dy këta janë mbështetës të së drejtës së Kosovës për shtetësi. Ata vijnë nga dy vende mike që e kanë njohur shtetin e Kosovës dhe kanë njohuri të shumta për të drejtën ndërkombëtare. Personalisht natyrshëm duhet që ata ta kenë bindje të drejtën e shtetësisë së Kosovës dhe respektimin e sovranitetit të saj. Emërimi i çdonjërit prej tyre është avantazh për normalizimin përfundimtar të marrëdhënieve midis Kosovës dhe Serbisë. Që do të thotë se epoka e qokave për Aleksandër Vuçiq ka përfunduar. Tashmë kemi një ish-kryeministre të Estonisë, një vendi që e njeh mirë Rusinë e për pasojë edhe Serbinë. Kemi dhe dy diplomatë që vijnë nga vendet skandinave dhe që jo pak raste janë ballafaquar me rrezikun rus. Të tri këto vende njohin edhe pavarësinë e Kosovës.
Megjithatë emërimi i njërit prej dy kandidatëve të lartpërmendur duhet parë edhe në planin e rrethanave gjeopilitike të kohës. Nga njëra anë kemi liderë si Trump dhe Putin, të cilët duan të vizatojnë një hartë të re me ndryshim kufijsh. Nga ana tjetër kemi vendet kryesore të Bashkimit Europian, të cilat kërkojnë me insistim ruajten e hartës politike të sotme, sidomos në kontinentin europian. A do të thotë se ideja e Trump dhe Putin për ndryshime kufijsh do të prekë edhe Kosovën, territorin ose kaakterin unitar e multietnik të saj?! Më së shumti anoj nga mendimi se përkundrazi, Kosova do të përdoret si monedhë e këmbimit të interesave midis SHBA-ve dhe Rusisë. Që do të thotë se ndryshimi i kufijve në favor të Rusisë do të çojë në njohjen prej saj të shtetit të Kosovës.
Ndërkohë ideja e mosndryshimit të kufijve e europianëve për Groenlandën, Kanadanë, Kanalin e Panamsë etj, ose Ukrainën, së paku për momentin jep garanci se ky lloj operacioni nuk do të lejohet të zbatohet në Ballkan. Një raport i një fondacioni gjerman fliste për faktin se Serbia e fiksuar për zgjerimin e territoreve shkaktoi tragjedi të shumta në Ballkan. Në këtë aspekt, nuk besohet se dikush në Europë do të vijojë të mbështesë orekset serbe për territore të reja. Edhe zhvillimet në Serbi dhe protestat e fuqishme kundër Aleksandër Vuçiq janë një pengesë për realizimin e planeve serbe të zgjerimit të territorit. Në këto kushte Kaja Kallas dhe cilido që emrohet për negocime midis Kosovës dhe Serbisë e kanë të lehtë të harmonizojnë qëndrimin europian me bindjet që natyrshëm duhet të kenë për një zgjidhje përfundimtare e të drejtë të konfliktit shqiptaro-serb në Kosovë. E përsëris në Kosovë, sepse Shqipëria nuk ka ndonjë konflikt me Serbinë, përkundrazi, ajo ka konflikt të kotë me Kosovën!
Askush nuk mund të bëjë kasandrën. Por mund të pretendojmë se ekip europian më të mirë, të aftë dhe më të përkushtuar se ky i sotmi nuk ka patur ndonjëherë. Dhe pozicion më të keq në raportet me Europën Serbia ka patur vetëm në kohën e Milosheviçit dhe luftërave që ai shkaktoi në ish-Jugosllavi. Mund të besojmë se tani është një momentum i dobishëm. Por vetëm kjo nuk mjafton. Autoritetet dhe institucionet e Kosovës duhet të ndihëmojnë veten përmes ndihmës për zhvillimin e dialogut. Duhet pozicionuar gjithnjë bazuar në logjikën e realdiplomacisë. Duhen projekte konkrete, ide dhe propozime racionale për zgjidhjen e çdo çeshtjeje që diskutohet. Kjo është dhe duhet të jetë përparësia e Kosovës!