Ne si punonjës arsimi, si kemi lejuar dhe po vazhdojmë të lejojmë të neglizhohet praktika pozitive e shkollës sonë tradicionale (jo tradicionaliste)?!
-Si lejojmë të anashkalohet përvoja pozitive e shumë mësuesve tanë të traditës?!
-Si e dënojmë me mospërfillje mbarësinë e shkollës sonë të kalitur ndër breza?!
-Si po katandisemi në këtë derexhe duke lejuar që, shkolla (arsimi dhe edukimi i brezave) të shndërrohet në një “burg ndëshkimi” “Tullusum mejtep” për brezat që rriten në duart e papërgjegjshme të disa “burokratëve arsimorë” të shndërruar në instrumente të politikës tekanjoze?!
Kështu, në një rast, kur bën fjalë pë Krizën në Arsimin amerikan, Annah Arend, me të drejtë, do të shprehet: “Arsimi është kthyer në instrument të fortë të politikës, dhe, se, vetë aktiviteti politik, tani konceptohet si një formë e edukimit”, madje, për të vazhduar: ”Një krizë kthehet në katastrofë, kur ne i përgjigjemi asaj me gjykime të parakonceptuara, d.m.th. me paragjykime”. Them këtë kështu, sepse te Ne, po të përmendet për të mirë Shkolla e traditës, beftas, has në disa “zyrtarë arsimor” që i zgurdullojnë sytë nga kapsllëku paragjykimor, që dumaten me gjoba paushalle dhe ua mbyllin gojën “gjyhnaqarëve”...
Sido që të jetë, Ne duhet patjetër që, bashkë me inovacionet e njëmendta në arsim, të kemi në konsideratë edhe trashëgiminë pozitive si vlerë, përkatësisht Shkollën e traditës - me figurat e mpiksura, mbi të gjitha, me cilësi e kualitete, sa profesionale, po aq edhe me ndjenja atdhetare e kombëtare, që meritojnë shumë më tepër se sa një “listë” të stisur me emrat dhe mbiemrat e tyre nëpër monografi të ndryshme të pluhurosura nëpër arkiva e biblioteka.
Prandaj, në mënyrë konsistente të pretendojmë për të mbajtur gjallë këtë shkollë, të cilën, fatkeqësisht, sot, disa "pinjollë të demokracisë", po na e zhveshin gati të tërën nga petku i saj kombëtar, dhe duke e "zhvatur" atë në dërstilat e një sistemi arsimor të ashtuquajtur: arsim “modern” apo arsim “sipas trendeve europiane”, bile-bile edhe arsim “ i integruar", sipas modelit të dikurshëm të "vëllazërim-bashkimit" të famshëm.
Pavarësisht kësaj mospërfilljeje, Ne punonjësit (e tëbanit) të arsimit, duhet, përveç tjerash, të ushtrojmë mirë rolin dhe ndikimin tonë në “çlirimin” e arsimit, edukimit e të shkollës në përgjithësi nga shabllonet, kopjet e gatshme, stereotipet që rëndojnë, jo vetëm nxënësin, por edhe familjen dhe mbarë shoqërinë. Kështu, duhet patur kujdes që, puna e klisheve të gatshme në arsim, të mos i përngjajë asaj kajdes së “Laraskës, e cila, duke dashur të kopjonte të ecurën e thëllënzës, harroi të ecurën e saj”.
Kryetar i shoqatës së pedagogëve shqiptarë.