Mbi 100 mijë shtetas të Kosovës që jetojnë jashtë vendit do të mund të votojnë me postë për zgjedhjet parlamentare të Kosovës më 9 shkurt.
Procesi, i cili ka nisur sot (9 janar) do të zgjas deri më 8 shkurt, ndërsa më 8 shkurt, ata do të mund të votojnë fizikisht në përfaqësi diplomatike të Kosovës në 22 vende të botës.
Diaspora me kontributin e saj të paçmushëm, vazhdon të mbetet një nga motorët thelbësor të zhvillimit të shtetit të Kosovës.
Andaj, procesi i votimit përmes postës është i rëndësishëm veçanërisht për të mundësuar pjesëmarrjen e barabartë edhe të shtetasve të Kosovës që jetojnë jashtë vendit, në zgjedhje.
Ky proces ofron mundësinë që bashkatdhetarët tanë të ushtrojnë të drejtën e tyre të votës pa pasur nevojë të udhëtojnë deri në Kosovë.
Kjo mundëson një pjesëmarrje më të gjerë dhe më të drejtë në jetën politike të vendit krahasuar me proceset zgjedhore të mëparshme.
Diaspora ka një ndikim të rëndësishëm në zhvillimin ekonomik, kulturor dhe politik të Kosovës.
Prandaj, është e rëndësishme që ata të kenë mundësi të kontribuojnë në zgjedhjet e vendit.
Bashkatdhetarët tanë në diasporë, përveç se janë kontribuues të mëdhenj ekonomikë, janë të lidhur shpirtërisht me Kosovën.
Ata janë gëzuar kur Kosova ka triumfuar në arenën ndërkombëtare, sikurse që janë bërë edhe zëri kryesor i luftës kundër të keqes.
Diaspora është e interesuar për zhvillimet politike dhe sociale të Kosovës dhe kjo është vërejtur më së shumti viteve të fundit, përkatësisht në proceset zgjedhore ku vota e tyre ishte gati vendimtare për ndërrimin e pushtetit.
Andaj, gjithë ky përkushtim i diasporës duhet të përkthehet e shpërblehet në atë mënyrë, që ata të sigurohen se interesat e tyre janë të përfaqësuara në qeverisjen e Kosovës.
Ky proces mund të forcojë lidhjet ndërmjet Kosovës dhe diasporës, duke kontribuar në një bashkëpunim më të ngushtë për zhvillimin e vendit dhe për të adresuar çështjet që prekin diasporën, si lehtësimi i jetës nëpërmjet ligjeve të mira, mbështetja sociale dhe arsimimi.
Ndër vite, është folur e premtuar se diasporës do t’i jepet vendi i merituar në përfaqësimin institucional, qoftë në Kuvend apo qeveri, por mund të themi lehtësimi i mënyrës së votimit po e bën të mundur qasjen e barabartë në zgjedhje edhe për ata.
Konsiderohet se është i mjaftueshëm përfaqësimi përmes kandidaturave që janë paraqitur nga diaspora përmes sistemit aktual të zgjedhjeve.
Partitë politike tashmë kanë futur në lista të tyre kuadro mjaft të arrita që vijnë nga diaspora.
Ata mund të kontribuojnë në zhvillimin e vendit dhe të sjellin perspektiva të reja.
Në fund, mund të konsiderohet që përfaqësimi i diasporës në Kuvend mund të jetë i dobishëm për të siguruar që ata të kenë një ndikim më të drejtpërdrejtë në jetën politike të Kosovës, por gjithashtu duhet të sigurohet që të ruhet balanci dhe të mos krijohet një ndarje artificiale mes atyre që jetojnë brenda dhe jashtë vendit.