Konflikti midis Kosovës dhe Serbisë për sovranitetin territorial dhe shtetëror mbetet një nga sfidat më komplekse në Ballkan. Kosova përpiqet të konsolidojë shtetësinë dhe kontrollin e saj mbi gjithë territorin, ndërsa Serbia kërkon të mbrojë interesat e saj politike dhe kombëtare. Zgjidhja e këtij konflikti kërkon angazhim ndërkombëtar dhe një kompromis që do të sigurojë paqe dhe stabilitet në rajon, duke respektuar të dyja konceptet e sovranitetit.
Konflikti midis Kosovës dhe Serbisë është një çështje komplekse që përfshin dy dimensione kryesore të sovranitetit: territorial dhe shtetëror. Këto dy koncepte janë kyçe për të kuptuar sfidat dhe pengesat politike, juridike dhe ndërkombëtare që kanë ndikuar marrëdhëniet mes këtyre dy vendeve.
Pas shpalljes së pavarësisë më 17 shkurt 2008, Kosova pretendon sovranitet të plotë territorial mbi gjithë territorin që përfshinte më parë Krahinën Autonome të Kosovës në kuadër të Jugosllavisë dhe më pas Serbisë. Kosova ka kontroll të plotë mbi shumicën e territorit të saj, por veriu i Kosovës, ku shumica e popullsisë është serbe, mbetet një pikë e tensionuar, pasi Serbia dhe strukturat e mbetura okupuese serbe te cilat veprojnë legalisht edhe si parti e regjistruar politike nën siglën LS, e cila pretendon të jetë dorë e zgjatur e pushtetit okupues serbë nën hije, duke sfiduar autoritetin e Qeverisë qendore të Kosovës. Ndërsa prania e KFOR-it dhe e Misionit të EULEX-it (të udhëhequr nga BE-ja) është një tregues që sovraniteti territorial i Kosovës është ende i mbështetur dhe mbikëqyrur nga ndërkombëtarët.
Derisa Serbia e konsideron Kosovën si pjesë të territorit të saj, duke iu referuar Kushtetutës së saj (2006), ku Kosova figuron si “pjesë integrale” e Serbisë, është një arsye shtesë që Serbia vazhdon të kundërshtojë njohjen e Kosovës si shtet i pavarur dhe mbështet mbetjet e pushtetit okupues serbë përmes LS dhe strukturavee ilegale me karakter shtetërorë në veri të Kosovës për të sfiduar kontrollin e Qeverisë së Kosovës mbi atë rajon. Konflikti mbi sovranitetin territorial ka përfshirë mosmarrëveshje për integritetin territorial të Kosovës. Derisa Kosova pretendon ta ketë autoritet të plotë mbi veriun dhe gjithë territorin brenda kufijve të saj aktualë. Serbia si “mbrojtëse” e serbëve në veri: përmes strukturave të mbetura okupuese serbe përkrah autonominë ose ndarjen faktike të veriut përmes Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe.
Sovraniteti Shtetëror i Kosovës dhe Serbia
Shpallja e pavarësisë së Kosovës në 2008 u bazua në argumentin e sovranitetit shtetëror, ku Kosova kërkon të njihet si shtet i pavarur dhe i barabartë në sistemin ndërkombëtar. Kosova është njohur nga mbi 100 shtete, përfshirë shumicën e vendeve perëndimore dhe fuqitë kryesore si SHBA dhe shumica e vendeve të BE-së.
Megjithatë, mospjesëmarrja në OKB dhe mungesa e njohjes nga pesë vende të BE-së (Spanja, Rumania, Greqia, Sllovakia dhe Qiproja), si dhe nga Rusia dhe Kina, sfidon sovranitetin shtetëror të Kosovës në arenën ndërkombëtare. Përkundruall këtij fakti Serbia e konsideron refuzimin e njohjes së Kosovës si çështje të mbrojtjes së sovranitetit shtetëror të saj, duke e lidhur atë me Kushtetutën dhe interesat kombëtare. Në planin ndërkombëtar, Serbia ka përdorur aleancat e saj me shtete si Rusia dhe Kina për të bllokuar anëtarësimin e Kosovës në organizata ndërkombëtare, si OKB. Ndërkohë, Serbia po përpiqet të mbajë një balancë mes dialogut me Kosovën (të mbështetur nga BE) dhe mbrojtjes së qëndrimeve të saj në rajon.
Dialogu për Normalizimin
Dialogu Kosovë-Serbi, i ndërmjetësuar nga BE, synon të adresojë çështjet e sovranitetit territorial dhe shtetëror përmes një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse. Kosova insiston për njohje të ndërsjellë si shtet i pavarur, ndërsa Serbia kërkon zgjidhje që do të ruante ndikimin e saj mbi veriun dhe mbi popullatën serbe brenda Kosovës. Tani për tani Qeveria e kryeministrit Kurti ka arritur të ketë kontroll mbi territorin e saj, por sfidohet në veri dhe nga mungesa e njohjes ndërkombëtare nga disa shtete.
Për këtë arsye Kosova nuk është ende plotësisht e integruar në rendin ndërkombëtar, ndërsa Serbia vazhdon të pengojë anëtarësimin e saj në organizata si OKB. Andaj një marrëveshje për normalizim e nënshkruar nga të dyja palët me garancë të HBA dhe BE-së mund të adresojë këto çështje përmes njohjes reciproke, por pa prekur kufijtë e Kosovës siç janë përcaktuar aktualisht. Se a mund të shihet Asociacioni i komunave me shumicë serbe si kompromis që ruan sovranitetin territorial të Kosovës, por krijon një super komunë për veriun, për të kënaqur shqetësimet e Serbisë mbetet të shihet, pas ardhjes në presidencën e SHBA e presidentit Trump.