Siç po e dini tanimë nga titulli i këtij shkrimi, më kanë rënë popullariteti dhe autoriteti në shoqëri, dhe unë si individ kam filluar të brengosem shumë për këto çështje. Dhe meqë më kanë ndodhur këto gjëra, unë kohëve të fundit po hulumtoj mundësi dhe mënyra se si t'i ringris ato. Një mik i imi, në këtë rast, më thotë: "Pse nuk po tenton të futesh në listën e zezë amerikane?" I thashë: "Ti, o i nderuar, çfarë po thua, a po bën shaka me mua?" Ai më ktheu: "Jo, jo, nuk po bëj shaka." Dhe e pyes: "Pse të futem në atë listë, kur mund të kem shumë pasoja si individ, duke filluar nga ato morale, politike, por edhe juridike?" Ndërsa miku ma kthen: "Më thuaj, të lutem, cili individ i RMV-së që ka qenë dhe është i pranishëm në listën e zezë të Amerikës e ka pësuar me ndonjë të keqe apo ka ndonjë pasojë negative nga prania e tij në të?"
I njëjti vijon të më bindë me këto fjalë: "A e sheh, miku, se lista e zezë e SHBA-ve për disa politikanë problematikë të vendit tonë është bërë si lista e fituesve të çmimit Oskar apo dhe të Grammy-t. Siç më shpjegon ai, prezenca e atyre që janë në të deri tani nuk u ka shkaktuar kurrfarë kokëçarjeje apo dhe telashesh. Sipas mikut, lista e zezë për ata që ndodhen apo për ata që po futen në listën e zezë nga Departamenti i Shtetit Amerikan nuk u bëhet asnjë pengesë, as politike e as juridike, dhe për çështjet morale të mos flasim." Miku më dha edhe shembuj konkretë për këtë. Sipas tij, një lider i një partie politike shqiptare që vepron gjatë kohë këtu në RMV, ja, dy dekada, është në listën e zezë, por sipas të njëjtit ai aspak nuk po humb në asgjë në politikë. Sipas mikut tim, politikanin në fjalë e sheh gjithmonë si pjesë aktive të politikës, bile edhe në pozita të favorshme, si në Qeveri.
Miku vazhdon të më tregon se një kryetar i tanishëm i një komune shqiptare gjithashtu është pjesë e listës së zezë, por sipas tij, çfarë rëndësie ka për të kjo gjë? Ai më rikujton se ky si kryetar komune vazhdon pa kurfarë pengesash dhe kufizimesh të shfrytëzojë të gjitha privilegjet, përparësitë dhe mundësitë që i jepen në atë pozitë politike. Miku gjithashtu u ndal edhe te futja, javët e fundit, në listën e zezë amerikane të ish-zv/kryeministrit të parë nga përbërja e kaluar qeveritare. Sipas mikut, edhe ky nuk e ka aspak dert pse ndodhet aty. Lidhur me të, ai më sqaroi se si duket që i njëjti, me autoritetet kompetente të përndjekjes, ka filluar të sillet si miu me macet. Miku më tej më thotë se ish-zv/kryeministri i listës së zezë herë shihet në Kosovë, herë në Shqipëri, e herë në Maqedoni; shkurt, e thënë shqip, sipas tij, i njëjti po ia del më shumë të shmanget nga organet kompetente të kapjes, me qëllim që të mos dërgohet para drejtësisë. Dhe për fund, miku, si në shaka, më thotë: "A e sheh, se ish-zv/kryeministri i listës së zezë, me këtë rast, është bërë më i popullarizuar se, për shembull, Presidenti i sapozgjedhur i SHBA-ve, Donald Trump, apo edhe shumë më i popullarizuar se miljarderi më i madh në botë, Elon Musk?"
Duke i dëgjuar këto fjalë, sugjerime dhe këshilla të mikut tim, më ka filluar të më shkojë në mendje që ta bëj një kërkesë deri te autoritetet e Departamentit të Shtetit të SHBA-ve, me qëllim që vullnetarisht ata të më fusin në listën e zezë. Nëse jo për diçka tjetër, të paktën që të më rritet pak popullariteti dhe autoriteti im, i rënë përtokë kohëve të fundit. Për fund, sinqerisht e përshëndes përpilimin dhe publikimin e listës së zezë nga autoritetet shtetërore amerikane. Ajo që dua të ndodh me të është që, përfundimisht, ne këtu të çlirohemi nga politikanët e kriminalizuar dhe të korruptuar, pasi numri i tyre nuk është edhe i pakët.