Dje (e shtunë 11 janar) ka nisur zyrtarisht fushata zgjedhore për zgjedhjet e parlamentare që do të mbahen me 9 shkurt në Kosovë.
Kjo fushatë, shënon një moment kyç për formësimin e ardhmërisë politike të vendit.
Pas më pak se një muaji qytetarët do të shprehin vullnetin e tyre përmes votës dhe të zgjedhin udhëheqësit e ardhshëm, që do të kenë përgjegjësi të madhe për zhvillimin ekonomik, forcimin e institucioneve dhe përmirësimin e kushteve të jetesës.
LDK e PDK e nisën në një mënyrë paksa euforike fushatën zgjedhore qysh ditën e parë, derisa Lëvizja Vetëvendosje u duk të ishte paksa më modeste.
LVV përfaqëson të parën qeveri në Kosovë që nuk u rrëzua para kohe. Ky subjekt politik synon edhe një mandat për vazhdimin e punës aty ku ka mbetur.
Gjasat janë të mëdha që LVV të udhëheqë përsëri me Qeverinë e Kosovës, madje krejtësisht e vetme nëse arrin t’i fitojë mbi 500 mijë vota nga qytetarët.
Por, tubimi në Gjakovë siç e cekëm edhe më lart u duk të ishte paksa më “modest”.
Mund të themi se, Gjakova ishte një zgjedhje e mirë e LVV-së për ta nisur fushatën e saj elektorale, duke u përshtatur edhe me sloganin e saj zgjedhor “Cep më cep”.
Mbase, kjo mënyrë është një strategji e departamentit të Marrëdhënieve me Publikun të këtij subjekti, me atë idenë që numri i qytetarëve pjesëmarrës në tubime do të rritet nga qytet në qytet dhe gjithçka do të përmbyllet ndoshta në Prishtinë, me një tubim masiv siç kjo parti ka vepruar kur i ka fituar zgjedhjet në të kaluarën.
Ndryshe nga Vetëvendosje, PDK e LDK dolën para elektoratit të tyre me një entuziazëm më të theksuar dhe qytetarë të shumtë mbushën sallat ku u mbajtën tubimet e tyre.
Megjithatë, nuk duhet të harrojmë që sado që numri i simpatizantëve ka qenë i madh nëpër tubime zgjedhore, kur ka ardhur puna tek votimi llogaritë kanë ndryshuar.
Gjithsesi, është e rëndësishme që fushata të zhvillohet në një atmosferë të qetë dhe të drejtë, siç edhe ka nisur.
Në këtë fushatë, çështje si reforma ekonomike, zhvillimi i infrastrukturës, arsimi dhe përmirësimi i sistemit shëndetësor janë pikat për të cilat qytetari don të dëgjojë premtime konkrete.
Po ashtu, siguria, stabiliteti dhe integrimi i Kosovës në strukturat ndërkombëtare duhet të mbeten tema kyçe në diskursin politik të secilës parti politike.
Kur jemi te kjo pikë, uniteti ndërmjet partive politike është i domosdoshëm dhe në vend të akuzave ndaj qeverisë, në këtë rast, partitë opozitare duhet të ofrojnë plane e ide konkrete në mbrojtje të shtetit dhe sovranitetit në gjithë territorin.
Për fund, është e rëndësishme që përfaqësuesit e partive politike të mos shfaqin vetëbesim të tepruar përball qytetarëve me bindjen e se mund të fitojnë me “duar në xhepa”, sepse kjo mund t’iu kthehet keq.
E dimë nga e kaluara se tog fjalëshi “me duar në xhepa”, dikur nuk ka rezultuar fort i këndshëm për ish-kryetarin e LDK-së Isa Mustafa që e humbi kryeqytetin në balotazh me Vetëvendosjen.
Pjesa tjetër është histori dhe historia e mirë nuk shkruhet me “duar në xhepa”, por me punë!.