Partitë politike parlamentare të Kosovës shpallën të shtunën e shkuar programet dhe slloganet për fushatën elektorale të zgjedhjeve të 9 shkurtit. Vetëvendosja, Lëvizja “Guxo” dhe Alternativa shpallën si moto “Cep më cep”! Ndërsa partitë e tjera janë fokusuar te slloganet rutinë të së shkuarës për ndryshimin, ose “Kosova mundet më mire” etj. Që në fillim do të thoja se gjetja e koalicionit të VV është disi më original, më tërheqës, i veçantë dhe me një mesazh konkret. Ndërkohë të kesh në fokus ndryshimin e qeverisjes dhe të vendit, po ashtu përmes një qeverisjeje të mirë, sigurisht që prek ndjenja njerëzore. Por, si çdo slogan edhe ai për ndryshimin shoqërohet me një analizë në logjikën njerëzore.
Pyetja e pare që shtrohet lidhet me ndryshimin e atyre që predikojnë ndryshimin. Nëse predikon ndryshimin duhet të kesh ndryshuar vetë. Tashmë është premise e domosdoshme që të ndryshosh botën duhet të ndryshosh vetëveten. Sa ka ndryshuar p.sh PDK pesë vitet e fundit? A ka bërë përpjekje ajo ta ndryshojë veten e saj para se të kërkojë të ndryshojë Kosovën? Bedri Hamza ka shpalosur një program ambicioz, sidomos ekonomik. Por nuk ka thënë asnjë fjalë sa i përket aspekteve të sigurisë, sovranitetit, integritetit territorial dhe forcimit të shtetësisë, si parakushte të rritjes së qëndrueshme ekonomike. Nuk e di, por kjo parti po bën përpjekje të fitojë elektorat me emra të figurave të përmendura për korrupsion, grabitje pronash dhe qeverisje nepotike, si kurrë më parë në Kosovë. Aq sa pretendohet të jetë pjesë e qeverisë edhe Sami Lushtaku! PDK ende nuk ka mundur t’u thotë qytetarëve të Kosovës se si do ta ndryshojë këtë lloj politike.
Sa ka ndryshuar gjithashtu Lidhja Demokratike?! Është një pyetje racionale kjo. A i besohet asaj në lidhjen e koalicioneve pas asaj që ndodhi me rrëzimin e qeverisë Kurti 1? A e ka ndryshuar LDK besimin se nesër nuk bëhet sërishmi patericë e partisë së Thaçit? Çfarë provash ka dhënë ajo se do të përkushtohet për dhjetëra liderë e veprimtarë të saj, të cilët janë eleminuar përmes atentateve nga kundërshtarët politikë apo dikush tjetër?! Janë pyetje që duan përgjigje këto. Këto pyetje nuk gjejnë përgjigje vetëm me slloganin “Kosova mundet më mire”, ose “Kosova ka nevojë për ndryshimin”! E dëgjova Doruntina Malokun te program “Oksigjen” i Besim Dinës. Ishte shumë prekës rrëfimi i saj. Por trishtuese është se as partia ku ajo është deputete nuk ka bërë asgjë për të zbuluar e ndëshkuar autorët e këtyre vrasjeve! Kështu do të vazhdojë Lidhja Demokratike, nëse votohet?!
Ndërsa AAK në koalicion me Nismën ka objektiv vetëm legjitimimin e listës së veteranëve të UÇK-së me besimin se do t’i marrë votat e kësaj kategorie qytetare. Ka edhe katrakteristikë të sulmojë kryeministrin e t’i thotë atij „Albin shko”! Nuk del përtej kësaj logjike e për pasojë ka shumë mundësi ta ketë të diskutueshme pragun e përqindjes së votave për të qenë në parlamentin e ardhshëm.
Tani le të vijmë te sllogani “cep më cep”! Ky sllogan ka një kuptim ndryshe nga slloganet e tjera. Mesa duket Vetëvendosja, Lëvizja GUXO dhe Alternativa kanë vendosur të bëjnë bilanc dhe të shohin se si ta çojnë më përpara ndërtimin përfundimtar të shtetit. Mesa kuptoj unë, “cep më cep” do të thotë më së pari shtirja përfundimtare të sovranitetit dhe integritetit territorial në të gjithë vendin, luftë kundër krimit të organizuar dhe shkuarja e qeverisjes së mire te çdo qytetar. Nuk besoj se ka ndonjë kuptim tjetër
“Cep më cep” është gjithëpërfshirje. Në radhë të pare në pikëpamje territori dhe qytetari. Sepse janë këta dy elementët themelorë të shtetit. Sllogani i Kurtit i dëshmon elektoratit se ai nuk ka ndërmend të heqë dorë nga sovraniteti. Se është i përkushtuar ta mbrojë integritetin territorial të vendit. Ndërkohë opozita i ikën këtij diskursi. Thotë thjesht se kjo çeshtje u përket aleatëve, duke mos bërë diferencimin se në grupin e shteteve aleate ka edhe nga ata që duan ndarjen e Kosovës. Albin Kurti i kundërvihet kësaj strategjie.
“Cep më cep” është njëkohësisht një sllogan në linjën e filozofisë së Vetëvendosjes të barazisë së qytetarëve. Nëse kjo filozofi shtrihet njëmendësisht edhe te pakicat, sidomos pakica serbe, atëherë duket se kryeministri dëshiron të jape një mesazh te aleatët perendimorë; - Se ai do të ndërtojë në mandatin e ardhshëm një shtet të së drejtës, që u jep të gjithë qytetarëve mundësi të barabarta. Këto mundësi në radhë të pare për pakicën serbe dhe pakicat e tjera. Ndoshta këtu ai e sheh edhe çelësin e zgjidhjes së konfliktit shqiptaro-serb në Kosovë. Dhe kjo kërkesë po artikulohet dukshëm nga partnerët e Kosovës.