PDK, LDK, AAK-NISMA me kopje, me premtime, por pa zemra të kuqe si LVV dhe koalicioni GUXO dhe Alternativa

Opinione

PDK, LDK, AAK-NISMA me kopje, me premtime, por pa zemra të kuqe si LVV dhe koalicioni GUXO dhe Alternativa

Nga: Zejnullah Jakupi Më: 13 janar 2025 Në ora: 15:47
Foto ilustrim

Po e filloj me PDK-në. Ndarja mes deputetëve, kandidatëve dhe masës ishte e përzier, me një ndarje - si me gardh, nga pamja dukej si një binë e pandarë. Normalisht duhet të bëhet një ndarje, sepse këtë e bëjnë të gjitha partitë në fushatat zgjedhore. Modeli i prezantimit ishte një përzgjedhje e modelit të ringut në boks, ku dy boksierët ishin Memli Krasniqi dhe kandidati Bedri Hamza. Ndeshja (match) dihet, fiton ai që kundërkandidatit ia thyen hundën.

Për ta vlerësuar secilin kandidat, duhet të fillohet me premtimet, kështu u bë. Derisa fliste kryetari i PDK-së, në hije, detyrimisht duhet të dalin përpara të bëmat e tyre, edhe pse folësi e ngriti zërin, nuk të bindi. Duhet program, besim dhe realizim.

Prandaj mirë thuhet në popull: "Mos u ngut se bjen në zhgënjim." Pra, vekshi i thyer nuk riparohet më, siç ka qenë, pra është thyer imazhi, është humbur besimi, tani është vështirë përmirësimi i tij pa e blerë një veksh të ri. Memli është i aftë për fjalime me oratori dhe ka zë, se këtë e ka nga të qenurit dikur këngëtar, por shtrohet pyetja te besimi: A mund të ndryshojnë gjërat, sepse ky është kryetar vetëm përderisa t’i kthehet shefi? Prandaj, këta janë vetëm të zgjedhur teknikë. Ndërsa Endrit Thaçi po pozon se është gati t’ia rrëmbej trofeun Memlit dhe Bedriut. E përmendi në fjalim djalin e Hashimit, si të ishte partia monarki.

Domethënë, nëse është i nxënë baba - vjen djalë. E ku mbeti familja legjendare dhe komandanti legjendar Adem Jashari? Edhe për deputet, nuk shkojnë shumë larg – aty afër familjes, se marrja me politikë të mundëson pasurimin e shpejtë, më mirë se me çdo biznes!!!

Disi, sa herë ta shikoj Memlin, më del përpara fotografia kur këndonte në grupin "Ritmin e Rrugës". Masë, na mbajti fjalim më të mirë, e qenka më i mirë, pse po ia lëshon vendin Bedriut? Nëse fiton Bedriu, mund t’ia marrë postin. Ose nëse i kthehet shefi, i cili pati deklaruar se nuk ka interes të ndikojë në zgjedhje elektorale, si do të bëhet? Do shohim, gjithsesi nuk ka shanca minimale që PDK-ja të del e para. Se çfarë ka bërë PDK, si ka keqqeverisur, na e dëshmon afera "Pronto", e njohur për korrupsion dhe krim të organizuar - dhe më e keqja tani, Gjykata Speciale në Hagë dhe akuzat e ngritura, janë bërë emblema e kësaj partie.

Nëse po rikthehet PDK pas 24 vitesh, çfarë ofron? Na thotë ndjenja - sigurisht vetëm premtime dhe një elitë politike të njëjtë, struktura e saj ka mbetur e amballazhuar, me pak ndryshime. Veriu dhe marrëveshjet nga 2013 me Serbinë i kanë nxjerrë nga liga. E Albin Kurti e ndryshoi gjendjen në terren, si ndëshkim nga BE, i mori masat. Ani de...

Na kujtohet Memli kur i thoshte Albinit: "Shko në Mitrovicë, nëse guxon." "Çu Albin, hajde shkojmë." Albini nuk bëri populizëm me fjalë, por veproi dhe e ktheu suveritetin e shtetit. Këtë nuk e bëri asnjë subjekt politik deri tani, dhe kjo e la opozitën në ankth.

Paketa ekonomike dhe sociale ishte e njëjtë, siç e ka LVV, por Vetëvendosja atë që premton e realizon. Pra, mbase po thonë se janë parti të djathta, te LDK nuk u vrejt asnjë dallim mes tyre dhe LVV-së. Vetëm një e kishin mësuar: mos e përmend shtetin, por as veriun dhe suverenitetin. Këtu Albini nuk ju ka lënë hapësirë. Ua ka marrë kompetencat.

Ku t’i besohet opozitës? Nga euforizmi nisin fushatat në të njëjtën kohë dhe shikuesi nuk pati mundësi t’i përcjellë të gjitha njëkohësisht LIVE. Kjo tregon se kanë pasur dhe kanë eufori. Kishte shumë foto. Më ra në sy pamja e Shkurte Fejzes. Albin Kurti e ka çmuar shumë, por Shkurtja ishte në fushatën e PDK-së, por nuk jepte çehre. Kjo flet shumë. PDK-ja, të gjithë përkrahjen e ka me zor e më pak hatër.

Oligarkët, u pa, i mbështetën PDK-në dhe LDK. Sa për të fituar lekë milionat, nëse fitojnë. Biznesi që përzgjedh politikanë dhe subjekte korruptuese nuk ka ardhmëri. Sepse kështu bëhet bashkë me korrupsionin dhe mashtrimin.

Pra, siç thash në fillim, mostra e fushatës së LDK-së dhe PDK-së ishte e LVV-së, kur e filloi e para para tre javësh. Emrat e kandidatëve të PDK-së u lexuan nga moderatorja, dhe gjatë leximit kishte heshtje… As Lumiri, as Bedriu nuk mundën, si Albin Kurti, t’i lexojnë emrat e kandidatëve. Kjo thotë kush ka hesap të lodhet e t’i lexojë emrat e 110 kandidatëve, ndërsa Albin Kurti e bëri, madje duke ia bashkëngjitur një biografi minore secilit. E vërtetë, nuk do të kishte mundësi ta bënte asnjëri kandidat tjetër - e bën vetëm një Supermen si Albin Kurti.

Na thanë disa banalista, të cilët Albin Kurti i injoron në media, me të drejtë. Mediat e oligarkëve ju dhanë hapësirë për fushatën, që të dalin dy partitë më mirë. Fjalimet i lexuan në kamera ideotike. OK. Gazetaria dhe politikanët e blogerët i përdorin. Fjalime e premtime, akuza e fajësime. Kishte mjaft. E brohoritma, me kaq u kry ndeshja (meçi). Se LDK, PDK, AAK dhe NISMA janë parti autoritare, nuk janë vetëkritike, dhe tregon se ata dhe hibridat anlistë po e kritikojnë pse Albin Kurti po përdor humor dhe metafora për t’ia transmetuar mesazhin popullit - votuesit. E kështu, tashmë e dëshmuar edhe shkencërisht se humori dhe komedia në komunikimin politik funksionon. Për këtë ka shkruar shkencëtari gjerman Andreas Dörner. Një mënyrë e mirë për të paraqitur kandidatin duhet të përdoren, thotë ai, formatet e satirës dhe komedisë, sepse ato krijojnë një skenë ku aktorët politikë mund të jenë me humor, të bazuar dhe edhe me një distancë autoironike që sinjalizon që të mos i kushtoni shumë rëndësi vetes. E pse PDK nuk bën humor, as nuk guxon të përdorë humorin në kampanjë, ka të bëjë me panikun, sepse frikësohet, i frikësohet realitetit. Ata realitetin e maskojnë, trumbetojnë se janë "jashtëtokësor". Nuk e kuptojnë humorin. Duhet të dalin sa më seriozë, se frikësohen mos po "zbulohen".

Përdorimi i kulturës krijon emocion, është si ajri që thithim. Montazhi nga aktivitetet politike gjatë viteve ishte në të njëjtin stil. Derisa LDK paraqiste situatën si do të duhej të ishte, Albin Kurti para tre javëve, por as në fushatën në Gjakovë e Mitrovicë, nuk u treguan të arriturat që janë të shumta, dhe do të duhej të bëheshin. Ato videot e famshme nga LVV që kanë një kohë nuk janë emituar. Gjithsesi, ato janë mesazhe politike, të cilat tregojnë anët negative të qeverive të mëparshme. Por LVV duhet t’i tregojë rezultatet e punëve që janë bërë.

LDK - Lumiri i paska mësuar vargjet "përmendësh."

Edhe fushata e LDK-së, hyrjen e kryeministrit e bëri si hyrjen e boksiereve në ring, por kjo fushatë ishte një model si i LVV-së para tre javësh. Me ndallime, natyrisht, ngjyrat dhe fjalimi i kryeministrit Kurti ishte i zjarrtë, në dallim prej Lumir Abdixhikut. Edhe Lumiri e kish mësuar si Albini me u shty gjatë hyrjes. I kanë elektrizuar militantët, por po duket ky ishte emitim. Kopje.

Skenografia e fushatës së LDK-së u duk më mirë se e PDK-së, pra më mirë e kopjuar. Intonimi i himnit të Dardanisë, të propozuar nga Ibrahim Rugova, ishte risi, që e bëri dallimin me fushatat tjera. Videospoti për ndryshimin gjithashtu ishte i mirërealizuar, pra siç thash, duhet të jetë kyçja e kulturës në fushata. Orkestri i himnit ishte interesant. Edhe spoti i këngës dhe videospoti për të kaluarën e LDK-së, gjithsesi i mirë. Kjo ishte ajo që mungoi te LVV. LDK vetëm e përmirësoi me disa nuanca, por kopja bazike mbetet.

Por pyetja mbetet: A mundesh me videospotin për Ibrahim Rugovën ta mbash elektoratin, kur e ke nisur një rrugë të re dhe i ke diferencuar aktivistët e tu? Nuk!

Ja një shembull: Ku janë z. Murtezaj, z. Bislimi? Këtij të fundit i ka shkruar letër faleminderimi Joe Biden, presidenti i SHBA-së. Ndërsa LDK nuk i bëri vend në kryesi. Rruga e Re e LDK-së pa Faton Bislimin është rrugë e bishtëruar… më e dobët dhe e çuditshme, madje tregon se kryesia nuk i përfill njerëzit e zotë, por e sheh vetëm liderin Lumir Abdixhikun.

Po, e them se z. Abdixhiku, edhe me u bë ndonjëherë kryeministër, nuk e arrin vëmendjen e SHBA-së, administratës amerikane dhe as të botës shkencore, përfshirë këtu në krye me universitetin më prestigjioz në botë, Universitetin e Harvardit.

Fushata e LDK-së ishte e organizuar mirë, madje kandidat për kryeministër z. Abdixhiku e lexoi nga teleprompteri, diçka që nuk e bëri Albin Kurti asnjëherë deri tani. Albini i lexoi nga letrat e shtypura.

Athu a nuk po kanë buxhet? Natyrisht, edhe kjo kushton. Por për opozitën nuk është problem se kanë, i kanë mbushur hambarët për 20 vite rresht. Tani publiku që nuk i kupton këto trika do të thotë: "Sa i aftë Lumiri!!! Si i lexonte me shpejtësi fjalitë që kishte shkruar apo ja kishin shkruar." Prandaj e kishte një siguri, i lexonte në fytyrë. Fryhej, mburrej… Bravo.

Ndërsa fushata e LVV-së dhe koalicionit, si në Gjakovë, po ashtu në Mitrovicë, ishte me aq numër sa ajo kryesore e LDK-së dhe e PDK-së në Prishtinë bashkë.

Hibridat e komentuan shumë PSE kryeministri Kurti vizitoi nënën Ferdonije, për të cilën kryeministri tha: "E duam si Nënë, e admirojmë si Heroinë, i falënderohemi përjetë dhe i kemi borxh secili." Sa keq, që disa këtë vizitë e turpërojnë vetën dhe nënën Ferdonije. Kaq. TURPI KA Emër!

Kjo fushatë me zemra, e LVV-së dhe koalicionit, është fushata për 500.000 zemra. Pa teleprompter, pa ndriçim blu dhe pa të verdhë si LDK, LVV me ngjyrë të kuqe e cila të ndez gjakun ndër deje. Ngjyra e kuqe është ngjyra e gjakut, e patriotizmit dhe e dashurisë. Mitrovica, zemra e Kosovës. Është zëri i arsyes.

Fushatën e AAK-Nisma nuk arrita ta analizoj. Askund nuk gjendej në YouTube. I pashë disa sekuenca kur akuzonin, "MASHTUES, MASHTRUES" !!! SHKO ALBIN. E kush po i thotë? Po e akuzojnë Rambon si "Rojtarin e dyerve të diskotekave në Zvicër", shokët e tij. E ky cak e ka Albin Kurtin. Duke fyer e bërtitur, u përjarg. He he he... Mashqit nuk po i thonë ngadalë Rambo, mos u nxeh..! E kërkoja tutje fushatën dhe nuk e gjeta, për koincidencë.

Më doli fushata nga 2017 kur ishin bërë bashkë dhe mezi fituan, mezi arritën ta formonin qeverinë. PDK, LDK, AAK dhe Nisma. Ishte qeverisja e fundit e tyre. Edhe tani, qenkan bërë bashkë për ta kaluar pragun AAK-Nisma. Inshallah e kalojnë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat