Në komunizëm nuk dua të frymoj as si i gjallë, apo në të nuk dua të figuroj as si i vdekur

Opinione

Në komunizëm nuk dua të frymoj as si i gjallë, apo në të nuk dua të figuroj as si i vdekur

Nga: Ejup Berisha Më: 13 janar 2025 Në ora: 17:42
Autori Ejup Berisha

Të gjithë njerëzit anë e mbanë botës duan të kenë një jetë më të mirë. Ata duan të jetojnë të qetë, të pasur, të lumtur dhe pa kurrfarë brengash. Gjithashtu, të gjithë njerëzit e botës duan të jenë të lirë dhe të barabartë në shtetin ku jetojnë. Kjo do të thotë pa përzierje apo pa tentim që dikush tjetër përveç tyre t’u diktojë kushtet dhe mënyrat e jetesës së tyre. Shkurt e shqip, të gjithë njerëzit duan të jetojnë në një shtet me sistem demokratik të qeverisjes. Kjo për faktin se këtu supozohet se shteti është më i kontrolluar dhe forca fizike e tij më e kufizuar, gjë që nuk është rasti në shtetet me sistem autokratik të qeverisjes. Në këtë sistem të fundit, qeveris vetëm një individ, ose grupe të caktuara individësh, dhe ata shpesh e imponojnë kryesisht vetëm vullnetin e tyre në shtet dhe në shoqëri, duke e pamundësuar zbatimin e vullnetit të të gjithëve. Me këtë rast, ata i përjashtojnë nga procesi i vendimmarrjes të gjithë individët e tjerë, duke faktorizuar vetëm veten e tyre.

Te ne, këtu në shtetin tonë, edhe pse në vitin 1991 u shpall se sistemi i qeverisjes shtetërore u ndryshua nga ai autokratik në atë demokratik, ne nuk e kemi ndjerë aspak shumë gjatë këtë ndryshim të promovuar. Pra, këtu te ne, deri para 6 muajsh, dominoi sistemi autokratik me emërtim të rremë, kinse bëhej fjalë për dominim demokracie. Një sistem i paraqitur me të pavërteta dhe me gënjeshtra gjatë gjithë kohës do të prodhojë vetëm të pavërteta dhe gënjeshtra, e jo realitet. Kjo ka ndodhur gjatë gjithë kohës këtu te ne. Ne këtu kemi jetuar shumë gjatë me këto të pavërteta dhe fjalë të kota.

Kështu, ata në pushtet na gënjyen ne, shumicën e qytetarëve, duke na thënë se jemi bartës të sovranitetit shtetëror dhe se pushteti gjatë gjithë kohës është në shërbimin tonë, por kjo asnjëherë nuk ndodhi. Akoma më kujtohen fjalët e politikanëve të provincave të ndryshme politike se ne gjithmonë jemi të lirë dhe të barabartë. Dhe ripërsëris se këto fjalë të tyre gjithmonë ishin të pavërteta. Apo të njëjtat ishin gënjeshtra të ripërsëritura shpesh nga politikanë gënjeshtarë, të cilët këtë e kishin vesin kryesor të tyre. Do të them se ka kaluar pothuajse 34 vjet te ne dhe këtu askush nuk ka tentuar që komunizmin ta zëvendësojë me demokracinë.

Apo, me këtë rast, njëmendësinë politike ta zëvendësojë me pluralizmin politik. Unë kam më shumë se 50 vjet dhe askund nuk kam parë dhe nuk e kam ndjerë se ndonjëherë këtu në RMV ka dominuar demokracia. Dhe, meqë jeta ime po kalon shumë shpejt, dua të them se nuk dua ta përfundoj atë në një shtet komunist. Në një shtet të tillë nuk dua të rri as pas përfundimit të jetës sime. Besoj dhe shpresoj se koalicioni VLEN, krahas ndryshimit fillestar politik që e bëri, gjithashtu do ta bëjë edhe revolucionin real dhe përfundimtar kundër komunizmit në vendin tonë, një veprim i premtuar dhe i parealizuar më shumë se tre dekada këtu në RMV.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat