PDK, sa për qind do t’i fitojë me 9 shkurt?

Opinione

PDK, sa për qind do t’i fitojë me 9 shkurt?

Nga: Faton Mehmeti Më: 14 janar 2025 Në ora: 09:23
Faton Mehmeti

Në këto zgjedhje, PDK, si partia e dytë në vend i futet garës për zgjedhjet e 9 shkurtit me kandidatin e saj Bedri Hamza. Ish ministër i financave në qeverinë Thaçi, Hamza nuk shquhet për ndonjë arritje përveç mashtrimeve oratorike.

Dikur partia e parë në vend, PDK, sot ndodhet në një gjendje të rëndë të besimit. Besimi për këtë forcë politike është në nivel shumë të ulët, përkundër që kjo parti ka qëndruar në opozitë që nga 6 tetori i 2019 deri më tani.

Përkundër që gjashtë vite në opozitë, PDK ende nuk është reformuar. PDK ka qenë në pushtet që nga vitit 2007 e deri në vitin 2019, 12 vite të qëndrimit të saj në pushtet prodhuan: krim, korrupsion, nepotizëm, kapje të shtetit, shitje të aseteve të vendit për shuma qesharake, zhvatje, dhe të gjitha dëmet që janë të panumërta.

Për këto 12 vite të qëndrimit të PDK në pushtet, janë mbi 200.000 qytetarë që kanë lëshuar vendin, si pasojë e keqqeverisjes së PDK-së, herë vet e herë me të tjerët, kryesisht me LDK.

Rasti “Pronto” që identifikon këtë parti, është ligjërimi më i shëmtuar që u paraqitet qytetarëve të Kosovës. Ndonëse sondazhet nuk e paraqesin mirë këtë forcë politike, propaganda e saj për gjoja rritje mbetet vetëm dëshirë, pavarësisht qëndrimit në opozitë PDK nuk ka ndryshuar mendësi, ajo mbetet po e njëjta, pothuajse në kryesi me të njëjtit njerëz që kanë zhvatur këtë vend për vite të tëra.

Pavarësisht se flitet se ka rritje, edhe mund të jetë shumë e vogël, PDK do të jetë përsëri forca e dytë në vend. Sa përqind do të marr ajo, mendimi im është diku 21% jo më shumë. Në fakt nuk meriton as kaq, nuk është reformuar, ajo vazhdon të jetë po e njëjta në mendësi dhe në njerëz që i kanë shkaktuar shumë dëme vendit.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat