Pse Granit Xhaka dhe Shkurte Fejza duhej të ishin neutralë?!

Opinione

Pse Granit Xhaka dhe Shkurte Fejza duhej të ishin neutralë?!

Prof. Dr. Enver Bytyçi Nga Prof. Dr. Enver Bytyçi Më 14 janar 2025 Në ora: 16:56
Foto nga takimi

Ragip Xhaka është babai i Granit Xhakës. Graniti shpalli se mbështet PDK-në për zgjedhjet e 9 shkurtit 2025. Ndërkaq djali i Shkurte Fejyës, Arbër Behluli, i është bashkuar po kësaj partie. Ka një lloj inversi në këtë lloj diagrame. I famshëm nuk është Ragipi, por Graniti. Po ashtu i famshëm nuk është Arbëri, por e ëma, Shkurtja. Graniti promovon PDK-në për shkak se babai I tij ishte dënuar nga regjimi serb dhe ai e percepton PDK-në si çlirimtare nga ky regjim. Nuk i ka hy në sy as AAK, as VV, as LDK e Rugovës, nëse ka mbetur diçka nga Rugova te kjo parti, as VV.

Shkurte Fejza ishte e famshme edhe para se të këndonte këngën kushtuar Adem Jasharit “Mora fjalë”! Por ajo pa këtë këngë do mbetej te fama e kolegeve të saj. Ishte “Mora fjalë”, kënga që e veçoi nga koleget e saj. Me këtë këngë Shkurte Fejza u bë hit. Në një farë mënyre hit e bëri akti heroik i Adem Jasharit. Po të mos ishte Adem Jashari dhe vepra e tij unike në botë e vetë sakrificës për kombin dhe atdheun, nuk do të ishte as Shkurte Fejza në podiumin e simpatisë së shqiptarëve. Po t’ia këndonte dikujt tjetër këtë këngë, Shkurta nuk do të nderohej kaq shumë.

Por Shkurta i ra shkurt. E bekoi djalin e saj, se ai iu bashkua Partisë Demokratike të Kosovës. Ndoshta bëri mirë. Askush nuk ka të drejtë të paragjykojë asnjë parti politike dhe asnjë pozicionim të qytetarëve ndaj tyre. Megjithatë është e drejta e gjithkujt ta japë mendimin e tij. PDK dhe Adem Jashari janë larg njëri-tjetrit. Sepse udhëheqësit e PDK-së e përdorën luftën për të grabit pasuritë e Kosovës dhe për t’iu bashkuar projekteve të ndarjes së saj, ndërkohë që Adem Jashari dhe familja e tij derdhën gjakun për themelet e shtetit të Kosovës.

Nuk e di ku qëndron tashmë Shkurte Fejza. Kë vlerëson ajo më shumë?! Gjakun e Adem Jasharit dhe të familjes së tij, pra këngën që i kushtohet heroizmit të tij, apo interesat e fshehta që lidhen me afera të dyshimta?! Nuk ka alternativë tjetër për një emër VIP në Kosovë e kudo gjetkë. Ose je me atë, të cilit i këndon për heroizmin dhe veprën e tij sublime në shërbim të atdheut e kombit, ose je me ata që punuan për zhbërjen e shtetit të Kosovës. Nëse lidershipi i sotëm i PDK-së do ta kishte dënuar aktin e paprecedentë të ish-liderit të saj për ndarjen e Kosovës, do të kishte kuptim ndoshta edhe që djali i Shkurte Fejzës t’i bashkohej kësaj partie. Por kjo nuk ka ndodhur.

Tani të kthehemi te akti i Granit Xhakës. Edhe futbollisti ikonë e shqiptarëve, por që luan për Zvicrën, bën fushatë dhe reklamë për Partinë Demokratike të Kosovës. Sepse në imazhin e vet kjo parti lidhet me Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës. Pra, si Graniti dhe i ati, Ragipi, janë pozicionuar në emër të patriotizmit. Kanë marrë anën e PDK-së për shkak të UÇK-së. Për shkak se Ragipi është persekutuar nga regjimi serb në Kosovë. Deri këtu gjithçka është e natyrshme, e justifikuar. Por ndodh që emigrantët jetojnë më shumë me të kaluarën, sesa me të tashmen. Më duket se edhe Ragip Xhakës i ka ndodhur e njëta gjë. I ka mbetur ora te koha e dhimbjeve të mëdha të kohës së Milosheviçit. Ndaj dhe nuk ka mundur të gjykojë për kohën e mëpasme.

P.sh Ragipi nuk e ka përjetuar keq ose i mungon informacioni për aktet anti-Kosovë të disa krerëve të UÇK-së pas luftës. Nuk ka dijeni për faktin se shumë prej tyre grabitën Kosovën në emër të kontributeve në luftë, pra abuzuan me sakrificat e Ragipit dhe shumë shqiptarëve të tjerë që sakrifikuan për Kosovën. Nuk është i informuar Ragipi e as Graniti për bashkërendimin e përpjekjet midis kreut të PDK-së, Hashim Thaçi dhe presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiq, me koordinim të Edi Ramës, për ndarjen e Kosovës. Pra, për t’ia dhuruar Serbisë territorin më jetik të saj, veriun e Kosovës. Po t’i dinte mirë dhe në thellësi këto fakte, Ragipi e as Graniti nuk do të bëheshin me PDK-në, së paku sa kohë kjo parti nuk distancohet nga Thaçi, Lushtakët, Grabivcët dhe të tjera figura që e kanë dëmtuar atë. Do të qëndronin neutralë.

Dhe për në fund: Granit Xhaka, nëse është aq patriot, e ka mundësinë ta dëshmojë patriotizmin e tij. Të lejë partitë mënjanë dhe të vijë në Kosovë e ta marrë në dorë kombëtaren e saj. Duke e forcuar kombëtaren e Kosovës i bën shërbimin më të madh të mundshëm shtetësisë së saj. Këtë e kam pritur gjithmonë nga Granit Xhaka. Nuk kisha prit që ai të bëhet pjesë e një subjekti politik. Ai është shumë më i madh sesa një subjekt politik, cilido qoftë ai. Gjynah që e uli veten në një rang të tillë! Ai dhe Shkurte Fejza duhej të ishin neutralë!

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat