Oferta e Donald Trump për bashkëpunim me presidentin Xi Jinping!

Opinione

Oferta e Donald Trump për bashkëpunim me presidentin Xi Jinping!

Nga: Prof. Dr. Enver Bytyçi Më: 15 janar 2025 Në ora: 14:45
Autori Prof. Dr. Enver Bytyçi

Presidenti amerikan në ardhje, Donald Trump, deklaroi para disa ditësh se përfaqësuesit e tij dhe të presidentit të Republikës Popullore të Kinës tashmë kishin folur për marrëdhëniet midis të të dy vendeve. “Ne kemi folur tashmë. Ne kemi folur përmes përfaqësuesve,” tha Trump në një intervistë për agjencinë britanike të lajmeve REUJTER. Më pas Trump e përshkroi presidentin kinez si një njeri të fortë dhe të fuqishëm. Ndërkohë që shtoi se kjo “është një marrëdhënie e dyanshme”!

Zëdhënësi i minstrisë së Jashtme të Republikës Popullore të Kinës u shpreh gjithashtu se Kina i kushton “rëndësi të madhe” deklaratave të Trump dhe se ajo synon të promovojë zhvillimin e qëndrueshëm dhe të shëndetshëm të marrëdhënieve ekonomike dhe tregtare Kinë-SHBA.

Se politika e presidentit në ardhje të SHBA-ve, Donald Trump, do të ishte tjetër nga ajo e katër viteve të shkuara të presidencës së tij, kjo u duk në ftesën që ai i bëri presidentit Xi për të marrë pjesë në ceremoninë e marrjes së detyrës më 20 janar, kur nuk kishte ftuar as presidenten e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen. Ndërkohë sekretari aktual i Shtetit, Antony Blinken, artikuloi para pak javësh një të vërtetë të pa përmendur më parë për rolin e Pekinit, presidentit dhe qeverisë kineze për të parandaluar përdorimin e armëve bërthamore nga ana e Vladimir Putin. Në analizat e kohës e kam artikuluar këtë fakt, sepse kisha vënë re që Kina dhe autoritetet e saj punonin fort në këtë drejtim. Natyrshëm ky kontribut i Pekinit duhet konsideruar ndoshta si një akt i jashtëzakonshëm për paqen në botë

Të gjitha këto zhvillime na dëshmojnë se Uashingtoni dhe Pekini duan të sjellin një epokë të re në marrëdhëniet midis tyre. Për herë të parë pas viteve 1970 fryn një erë e ngrohtë në këto marrëdhënie dhe kjo ka të bëjë jo thjesht me vullnetin e dëshirën e njërit apo një tjetri lideri politik. Ka të bëjë me ekulibrat që janë krijuar në botë dhe me zhvillimet e sotme gjeopolitike që shohim. Në politikë dhe në marrëdhëniet midis shteteve ka vetëm interesa. Asgjë nuk i nënshtrohet ndjenjave humane apo “mëshirës” midis palëve. Kjo do të thotë se Kina tashmë është faktor global, të cilin SHBA-të nuk mund ta kapërcejnë e të mos e përfillin. Por dukshëm vihet re edhe vullneti i dy liderëve për bashkëpunim, që natyrshëm vjen në dobi të paqes e sigurisë globale. Nëse dy Fuqitë më të Mëdha të globit nuk bashkëpunojnë, do të tronditej stabiliteti global dhe shtoheshin tragjeditë për njerëzimin.

Por nuk është aq i lehtë një bashkëpunim pa kushte dhe pa kritere e parime midis të të dy Fuqive më të Mëdha të globit. Sfida e bashkëpunimit gjithnjë është e pranishme. Donald Trump përsërit vazhdimisht kërcënimin për vendosjen e rregullave të reja në tregëti dhe bashkëpunimin ekonomik. Dhe kjo do të thotë të cënohen interesat kineze në marrëdhëniet ekonomike e tregtare midis dy vendeve. Kina është në të drejtën e saj të mos e pranojë këtë ndryshim. E nëse presidenti i ri amerikan insiston, do të thotë se marrëdhënia midis dy vendeve nuk mund të shkojë përpara.

Ngritja e Republikës Popullore të Kinës në një superfuqi të globit është ajo që i shtyn amerikanët të kërkojnë bashkëpunimin e saj. Ky bashkëpunim nuk lidhet vetëm me marrëdhëniet ekonomike dhe tregtare midis të dy vendeve, sa lidhet me zhvillimet e vrullshme gjeopolitike të sotme. Rusia ka kryer një akt agresioni për të ndryshuar kufijtë në Europë, sidomos ne Ukrainë. Presidenti Trump ka shpallur platformën e tij të intervenimit paqësor ose ushtarak për të marrë nën kontrollin amerikan Grenlandën dhe Kanalin e Panamasë e ndërkohë kërkon që edhe Kanadaja të bëhet shteti i 51-të i SHBA-ve, si dhe t’i ndërrohet emri Detit të Meksikës, duke e thirrur atë “Deti i Amerikës”! Izraeli nga ana e tij ka hapur një front lufte, që në analizën time synon territoret e Gazas dhe përtej saj.

Po Kina ku qëndron në këtë kostelacion zhvillimesh dhe ndryshimesh në ekuilibrin e botës së sotme. Njerëzimi tashmë e di se Tajvani njihet juridikisht si pjesë e Republikës Popullore të Kinës. Autoritetet e këtij vendi kanë formuluar prej fillimi qëndrimin se ky proces do të duhej kryer në mënyrë paqësore. Por e drejta e Pekinit mbi Tajvanin është e drejtë legjitime. Dhe në kushtet e ndryshimit të rendit të ri botëror, atëherë Kina mund të përfitojë dhe ta realizojë këtë të drejtë të saj. Sepse kur kufijtë bëhen të ndryshueshëm në pjesë të ndryshme të globit, atëherë, ka arsye që edhe Kina të përfitojë nga kjo, madje bazuar në rendin e sotëm në fund të kohës së vet.

Presidenti Trump e di se për të ndryshuar rendin e botëror dhe për të themeluar një rend të ri të tij, do të duhet medoemos dakordësia e Pekinit. Madje kam përshtypjen se ai dëshiron që vendimet për këtë t’i marrë së bashku me presidentin Xi, duke injoruar ose duke bërë presion ndaj Fuqive të tjera të Mëdha. Pritet qeë Rusia të dalë më e dobët nga lufta e saj me Ukrainën. Pritet gjithashtu që Fuqitë Europiane të dalin nga kjo krizë e përgjithshme më të dobëta se më parë. Vetëm Kina është ajo që nuk ka gjasa të dobësohet në raport me vetëveten ose me SHBA-të. Kësisoj Donald Trump e ka interes jetik marrëdhënien e tij të mirë me Republikën Popullore të Kinës. Vetë Kina ka gjithashtu interesin e saj madhor rolin e vendimmarrjes e ardhshme të rendit të ri botëror. Për këtë arsye bashkëpunimi Kinë-SHBA do të jetë në dobi të të dy vendeve. Ndërkaq realizohen nga kjo edhe interesat e tjera si ato ekonomike e tregtare, për të cilat flet zëdhënësi i ministrisë së Punëve të Jashtme të Kinës.

Por jo vetëm kaq. Marrëdhënia e mirë dhe e qëndrueshme midis Kinës dhe SHBA-ve është gjithashtu interes global. Për herë të parë në histori bota dhe ekulibri i saj vendosen nga dy më të fuqishmit e globit të pozicionuar njëri në Perendim dhe tjetri në Lindje. Kurrë në historinë mijëvjeçare nuk ka ndodhur ky zhvillim kaq interesant dhe komplementar. Praninë e Kinës, si një nga dy vendet më të fuqishme të globit, bota e sheh me një perspektivë ndryshe nga kohët e mëparshme të vendimmarrjes për rendin botëror, së paku prej Kongresit të Vjenës më 1815 e deri në Jaltë. Perspektiva ndryshe e botës së ardhshme me pjesmarrjen kineze diktohet për shkak të filozofisë paqësore të shtetit dhe popullit kinez. Një filozofi kjo e trashëguar dhe e respektuar që prej antikitetit kinez e deri më sot.

Për të gjitha arsyet që thamë më lart oferta e Donald Trump për bashkëpunim me Republikën Popullore të Kinës dhe presidentin Xi duket serioze dhe e diktuar nga rrethanat e zhvillimeve politiko-shoqërore dhe jo nga ndonjë intrigë politike e caktuar. Dhe në pikëpamjen time, kjo ofertë duhet marrë seriozisht edhe nga ana e lidershipit kinez dhe vetë presidentit Xi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat