Një fjalë popullore thotë: "Mos e dëgjo çka po thotë, por kush po thotë". Kjo më së miri e përshkruan tipin e Berat Buzhalës. Pavarësisht se bëri një deklaratë skandaloze, që askush nuk beson, gjithsesi duhet ndalur pak tek ky rast. Berati shkoi aq larg sa tha se Albin Kurti ka bërë lista të vrasjes. Pavarësisht se e demanton vetë brenda fjalisë, pasi Kurti na paska thënë se “pa u derdhur gjaku s’ka sen”.
Por, askund nuk përmend listë të vrasjeve, pasi qenka Berati ai që s’ka frikë as të përballet në gjyq, pasi "kam me i thirrë edhe ata dy të tjerët, kush janë dhe kush kanë qenë në listat e tij të vrasjes". Duhet që prokuroria, ende pa u mbyllur emisioni, të thërriste për këto akuza. Akuza më e rëndë që e parashikon edhe ligji është vrasja, për të cilën Buzhala duhet të japë dëshmi, fakte e jo akuza në ajër.
E kuptoj hallin e tij, se fitorja e VV i prish punë, por kjo nuk është arsye për akuza të tilla. Pavarësisht se Berat Buzhala njihet si njeri që s’ka parime, ka qenë me të gjithë ata që ka pasur interesa, me Hashimin, Isën, Ramushin dhe Albinin që tani e akuzon për vrasje. Berati thotë se në 2015 dhe 2016 Albini ka bërë "listën e vrasjeve", por si shpjegohet që Berati e ka mbështetur Kurtin në zgjedhjet e vitit 2019, kur në veturë bënte intervistë pas fitores duke e mbështetur?
Si e ka mbështetur një njeri që ka bërë "listë të vrasjeve"? Mjafton kjo për të shpjeguar se kush është Berati, njeri pa parime, por servil i pushteteve prej të cilave ka përfituar. Tani që s’ka interes, ka dalë prej "tefteri".