Më bie ndërmend shpesh një plak i urtë dhe i mirë i zonës sime, të cilit sa herë i thoje: - A mujte or lalë…? (për etikë nuk po ia përmend emrin), ai do të përgjigjej standart: - Zhagj, or lalë! Për ata që s’e njohin dialektin e Mirditës e për më tepër të zonës sime të mrekullueshme, me shumë veçanti të të foluri edhe brenda trevës saj, jam i detyruar t’u shpjegoj shkurtimisht zhargonin kuptimorë të fjalës së mësipërme. - A mujte?, nënkupton fjalën “mirëmëngjesi”, me anë të së cilës përshendeteshin malësorët e asaj zone, shkurtim i shprehjes: - A mund u zgjove?, ekuivalente me fjalën: - Si ke njeh?, që e përdor Shkodra jonë e veçantë, apo: - Si u gdhine?, që përdoret gjerësisht në Shqipërinë e Mesme. Duke shkruar këto radhë nuk mund të mos bëj një ndërprerje të shkurtër të rrjedhës logjike të arësyetimit tim, për të shprehur dashurinë e pafundme ndaj gjuhës së bukur shqipe, e cila edhe në një teritor kaq të vogël e të detyruar të “hyje në ujë” nga historia e vet e trishtë, ka kaq variante gjuhësore, kaq shumë fjalë, e me kaq shumë kuptime e fuqi shprehëse aqsa, sa herë të “gërmosh”, do të bindesh se ajo që njeh është krejt pak me atë që ekziston si pasuri, ndonëse moderniteti e qytetërimi, hapja me botën, po bën që shumë prej xhevahireve të saj të mbeten thellë në “nëntokë”, si një pasuri “jo minerare”, që iu shtohet shumësisë së pasurive minerare, e që kanë nevojë të njihen, të dokumentohen në vijimësi, të shfrytëzohen si të tilla në dobi të dokumentimit të autencitetit të tyre e të origjinës së këtij populli, ndoshta më i lashti në rajon, e të gjuhës së tij, besoj fort, një gjuhë “rrënjë” e shumë gjuhëve të prejardhura në evoluimin e jetës. Natyrisht që unë s’jam ai që mund të jap ndonjë kontribut qënësor në këtë drejtim, thjesht shpreh impresionet që më japin fjalët e shprehjet tradicionale, kryesisht të zonës sime, dhe shpreh adhurimin ndaj tyre.
Për të vijuar më tej me shprehjen e cituar në fillim të këtij shkrimi, me përgjigjen e “lalë …”, që thuajse gjithnjë ishte standarte: - …Zhagj, or lalë!, lexuesi duhet të dije se fjala “zhagj” është shqiptim zonal i fjalës “zhag”, që nënkupton “…me zvarritje”, apo siç thuhet “rrëshqanas”. Plaku i urtë ishte atëherë në këmbë, shëndosh e mirë, lëshonte bagëtitë apo bënte punët e tjera të nevojshme për jetesën e familjes, por shprehja e tij vinte më së shumti si një pakënaqësi nga vetja, apo nga vështirësitë që takonte me ritmin e jetës, krahasuar me nevojat që paraqiteshin shumë më të larta se arritjet e realizuara apo ato të pritshme, i pakënaqur me ritmin e përditshmërisë së tij e jo vetëm. Ky është kontesti i asaj që më ngacmoi të shkruaj këto radhë!
Shqipëria, vendi ku na ka falë Zoti, e që na ka dhuruar gjënë më të shtrenjtë që kemi, identitetin shqiptar, natyrisht që “zgjohet” çdo mëngjes, sepse drita e diellit rrezaton edhe këtu çdo ditë, bile edhe më bujarisht se në disa vende të tjera të afërta e të largëta, por ecuria e saj ngjason më së shumti me një zvarritje, me atë “zhagj - in” e atij lalës tim, e ritmi i saj i çdo dite nuk “të zgjon” me entuziazmin e një hopi cilësorë e të madh drejt objektivave të arësyeshme, për t’u barazuar me shtete e kombe të tjerë, me të cilat duhej të kishim të njëjtin start e kemi kushte e mundësi të përafërta, në mos më favorizuese. Komuniteti evropian, të cilit natyralisht e kulturalisht i përkasim e ku duam të integrohemi edhe në aspektin politiko - ekonomik, është shumë hapa përpara nesh e, për të mbërritur aty ku ata janë sot si një organizëm në lëvizje e evoluim të shpejtë, ritmet tona duhet të jenë shumë herë më të larta se kaq, dhe më të larta edhe se ritmet e tyre aktuale të zhvillimit. Ne mund t’a rritim ekonominë e mirëqënien tonë me 3 ose 4 përqind në vit, por pika ku ndodhemi është shumë larg pikës ku ndodhet Evropa politiko - ekonomike, për më tepër se edhe ajo lëviz në të njejtin kah me ne (në rritje) dhe se kështu, me ecjen “zhagj” apo me zvarritje, zor se mund t’i mbërrinë ndonjëherë, veç në se ndodh me ta si me lepurin, që u vu në garën me breshkën…
Sëmundja jonë e matjes me hijen e perëndimit, tashmë nuk është e re, por një sëmundje e gjatë, që po na bën të vuajmë mungesat tona evidente në të gjitha fushat, mjafton të kënaqim ndjesitë, apo iluzionet tona se “jemi endë gjallë”, e se “po lëvizim”, ndonëse… zhagj. Kjo mendësi, thuajse popullore, i shkon për shtat sidomos klasës tonë politike, e cila tamam “si gjeli n’majë t’plehut” krenohet me të qënit e parë, duke na thënë ne: - Rrini rehat, se ne jemi shpëtimtarët tuaj!, e botës i demostrojnë, jo rrallë, edhe “leksione” mbi mënyrat e duhura të ecjes përpara. Të ngjan kjo njëlloj me atë që kishte hipur mbi një gomar (ndjesë kësaj qënie të përulur e të nënvleftësuar kaq shumë!) dhe i thoshte pilotit në avion: - Mos të qofsha falë, ec ti, ec dhe unë. Të dy njëlloj kalorës jemi! Prapë një shprehje popullore mjaft e bukur më vjen në kujtesë për t’a tipizuar situatën si më sipër: “Kaluer n’ukut, tu u vikat qenve!”, thuhej në anët tona për ata që ishin euforikë, ose fluturonin me presh…, e nuk e shihnin me sy realitetin ku ndodheshin dhe që ua “gërryente” dheun nën këmbë çdo ditë.
Shifrat janë shpesh gënjeshtare, ndonëse në pamje të parë ato duken si shprehja e vetme e besueshme e matjes së rezultatit. Mund të rritesh me 3 - 4 përqind, por kush është baza ku nisesh, apo etaloni me të cilin krahasohesh? Gjatë viteve të të ashtuquajturit pushtet popullor, apo diktaturës pesëdhjetëvjeçare në Shqipëri, të gjitha krahasimet bëheshin me vitin 1938 (mirë që s’na krahasonin me kohën e shtetit shqiptar të kohës së Gjergj Kastriotit!), ku evidentoheshin rritje në të gjitha fushat e me disa herë, por populli jetonte i varfër në lumturiné e shifrave e bollëkun e propagandës helmuese. Natyrisht që shifrat e rritjes në vetvete, në shumicën e tyre, ishin reale, por arritja e realizuar prej tyre, e pasqyruar në nivelin e jetesës së masave, më shumë se e tillë rezultoi një iluzion kolektiv, një kalâ prej kashte që u shkërmoq e tëra sapo u gërvish nga një heqje e perdes së izolimit gjysëmshekullor dhe mbërritëm në ballafaqimin e shumëpritur me realitetin. Rritja nuk ishte edhe arritje! Njejtë vazhdojmë edhe në demokracinë tonë pa demokraci, tash tri dekada e gjysëm: shifra rritjeje, kreni tipike ballkanase, më shumé fodullëk e shitje mend të gjithëve, krahasime me nëntëdhjetën apo pak më vonë, por gjendja e niveli i jetesës së shumicës së njerëzve mbeten larg nevojave normale të tyre, pa le po ta krahasojmë veten me objektivin ku duam të shkojmë, me evropën si demokraci funksionale qeverisëse e prosperuese ekonomike.
Jemi në stinën e vjeshtës së premtimeve elektorale dhe të gjithë do të nxitojnë të shpallin në programet e tyre rritje të mëdha, shumica pa asnjë bazë reale, krahasime me të kaluarën e hershme e të vonë, ndonjë subjekt politik mund të premtojë edhe “qilima fluturues” drejt së ardhmes kozmike, por pak prej tyre objektiva reale, të arritshme, që rritin nivelin e jetesës për masat e gjera e që ngushtojnë realisht distancën me objektivin strategjik,Bashkimin Evropian, ku duam të integrohemi. Partitë tona politike, jo vetëm duhet të shpallin rritje, por do të duhet që çdo shpallje e tyre të shoqërohet me programim të udhës e të hapave konkrete drejt bërjes realitet, drejt arritjeve thelbësore, të kapshme e të ndjeshme për të gjithë, duke mos rrezikuar që “turravrap - i” ynë, në vend të Evropës si nocion politiko - ekonomiko - qeverisës, të përfundojë në humnerën e radhës, siç na ka ndodhur jo pak herë në historinë tonë të vjetër e të re. Rritje pa arritje, nuk i vlejnë askujt! Duartrokitjet pa mend kanë destinacion diktaturat e neodiktaturat, apo demokraturat. Pesëdhjetë vite duartrokitëm sistemin e kaluar dhe jetuam “të lumtur”, por kur na doli jermi, u gjendem në pikën ku rrezikonim ekzistencën; përkrahëm zhvillimet demokratizuese (që s’rezultuan aspak të tilla në substancë, përveçse formalisht!), nën premtimet e “Çekut të Bardhë” e “Lugës së forinjtë” dhe përfunduam në dyert e ’97 - ’98 - s ku besoj, për herë të parë realisht e masivisht, gropa ekonomike jo vetëm u shemb e gati na zuri brenda të gjithëve, por prodhoi rrezikun e një lufte civile brenda nesh, e para në histori në përmasa të tilla të mëdha e reale, që kishte si protogonist shtetin (elemente të saj ka patur edhe lufta nacionalçlirimtare 1939 - 1944!), pasojat e së cilës duan kohë të hidhen pas krahëve.
I solla këta dy shembuj relativisht të vonë kur me “hap revolucionar” e krenar në grumbullin e plehut tonë marshuam kolektivisht drejt humnerës, për t’u rikthyer përsëri aty ku ishim: tek fushata zgjedhore e gjendja aktuale. Ekonomia është “thembra e Akilit”, por edhe “Kali i Trojes” i kësaj fushate për të gjithë. “Thembra e Akikit”, sepse më në fund partitë politike, së paku formalisht, kanë kuptuar se në Evropë nuk shkohet me “trokun e gomarit” edhe pse ai është përsëri në “lëvizje”, por edhe për arsye se shqiptarët, tashmë evropian syzgjuar, nuk mund të kënaqen më me thërrime, as të ngopen me lugën bosh të propogandës; “Kali i Trojës”, sepse të gjithë kanë marr përsipër të na e “injektojnë” fabulën e tij brenda nesh, si një hirushe mashtruese, që me siguri do të rezultojë si një “minë me sahat” të kurdisur për të shpërthyer në të ardhmen postzgjedhore, minë nga e cila ai që dëmtohet pakthyeshmërisht është zgjedhësi, ndërsa “elitat” (e përdor me dhimbtë këtë fjalë!), maksimumi shtojnë shpresat të hipin në fron… Më afër realitetit duket qeveria aktuale, ndoshta për shkak të njohjes reale të gjendjes më mirë se partitë e opozitës, ndoshta për shkak të përvojës së gjatë qeverisëse, mbase për shkak të resurseve intelektuale që zotërojnë apo të këshillimit e rezistencës së çertifikimit nga organizmat ekonomiko - financiare evropiane, por edhe ata, të yshtur nga nevojat reale, apo nga presioni i premtimeve elektorale të opozitës, dyshoj se nuk po i matin sa e si duhet hapat e tyre. Në shtet janë rritur dukshëm pagat këto vitet e fundit. Ato gjithsesi janë poshtë përballimit të nevojave reale të të punësuarëve dhe hapjes së perspektivave të së ardhmes, por shoqëruar me hapje apo shqyerje të dyerve të administratës, duke e rritur atë në numër e në emërtesa në kahjen e kundërt me trendin e popullsisë e zhvillimit teknologjik nga njëra anë, mospërputhja e kësaj rritje me cilësinë e produktit që merret prej tyre, nga ana tjetër, shkapërderdhja e saj vend e pa vend e eksperimentimi i vazhdueshëm me të, krijojnë shijen e hidhur të përgatitjes së gropës së ardhshme buxhetore dhe ekonomike. Besoj të gjithëve u ka bërë përshtypje hapja e “konkursit” për qindra vende të lira puna në administratë këto ditë. Mua më la shije të hidhur si një “deja vu” e situatave të tranzicionit shqiptar në të gjitha periudhat parazgjedhore. Përtej administratës, sektorët e tjerë buxhetorë po angazhojnë shumë resurse njerëzore, materiale e financiare, por s’po i justifikojnë ato me produktin e tyre. Arsimi nuk po ecën cilësisht, ndërkohë që ruan trendin e të qenit masiv edhe jashtë arsimit nëntvjeçar, pra në arsimin e mesëm e të lartë, duke prodhuar edhe të diplomuar analfabetë funksionalë, jo pak shkolla kanë më shumë rrogëtarë se nxënës e jo pak katedra universitetesh kanë pedagogë me nota 6 - 7, në mos me diploma të blera, ndërkohë perspektiva e kontigjenteve të arsimtarëve të mirëfilltë, sidomos të lëndëve bazë, është e zymtë. E njejta gjë shihet edhe në shëndetësi, ku perspektiva nuk është orientuar drejt, ndonëse janë bërë investime “tulla e llaç” në të dy sektorët, ku gjasat janë që ndërtesat të mbeten bosh, sidomos në zonat rurale. Bujqësia e veterinaria “marshojnë suksesshëm” drejt 1938 - s, krahasuar me perspektivën e zhvillimit evropian.
Le të vijmë tek një çeshtje tjetër fort e ndjeshme sociale dhe ekonomike, pensionet e pensionistët. Është e ditur tashmë se kjo shtresë është shtresa dominante në shoqërinë rezidente shqiptare dhe pesha relative e saj në raport me popullsinë banuese ka gjasa të rritet ndjeshëm edhe në të ardhmen e afërt, për shkak të largimit të rinisë e uljes së lindshmërisë në nivele kritike, qoftë edhe për shkakun fatlum të rritjes së jetëgjatësisë, por ky raport i deformuar sjell (në mos i ka sjell që tani), deformime të dukshme e reale në gjendjen e tyre e në mundësitë e përballimit të jetesës. Thënë shkurt, pensionet janë akoma në nivele qesharake, gjë që kërkon ndërhyrje emergjente, por dhe skema që duhet t’i mbajë në këmbë ato, është në pikë kritike dhe aspak efektive. E kam fjalën për raportin e të punësuarve që kontribojnë në skemën e sigurimeve shoqërore, me atë të pensionistëve që përfitojnë prej saj. Shteti duhet të rregullojë këtë raport sasiorë e cilësorë dhe jo të përdorë paratë e taksave të biznesit për të mbajtur gjallë frymën e skemës së sigurimeve shoqërore. Fjalë ka shumë, por veprime konkrete pak e aspak. Perspektiva…? Ruajna Zot! Rrofshin bijtë tanë emigrantë që akoma e ruajnë solidearitetin, respektin e detyrimin ndaj prindërve. Shteti ndanë “bonuse” si të ishte babagjyshi i Vitit të Ri apo lajmëtari i Pashkëve, para që shërbejnë si aspirina për të sëmurët (pensionistët), por akoma nuk po e qartëson as diagnozën as skemën e ilaçin e mjekimit të sëmundjes, sa kohë që nuk ka marrë masa për t’a ndalur përhapjen e rrezikun e një pandemie që dëmton jo vetëm ekonominë e gjithë vendit, por prish edhe ekulibrat e brishta shoqërore, ndërkohë që opozita, “me frymën e shenjtë” përsëri na premton “lugën e floririt”. Siç dëgjojmë nga ekranet televizive, kush përmes buxhetit, e kush përmes marrjes së pasurisë “oligarkëve” e shpërndarjes së saj masave popullore, opozita e vjetër dhe e re ka mbetur gjithsesi në nivelin e neomarksistëve, fuqia e të cilëve buron nga të konsideruarit e vetes si pronarë të gjithshkaje e jo si administrator që duhet të injektojnë e përkrahin pilitika ekonomike të zhvillimit të qëndrueshëm.
Ne duam dhe meritojmë të jemi pjesë integrale e Europës në të gjithë kuptimin e pasojat e kësaj fjale, por realisht të tillë, e jo të marshojmë si revolucionarë drejt saj. Ajo e ka tejkaluar prej kohësh konceptin tonë të revolucioneve shoqërore, duke e injektuar atë si nocion në konceptet e zgjidhjeve ekonomike e teknologjike për të përballuar sfidat e kohës. Shqiptarët kanë lindur fizikisht në europë, shumica e tyre qoftë edhe me këmbë, me gomone, me anije e me avionë, edhe e kanë “kapur” tashmë Europën, por problemi qëndron që Shqipëria si realitet politiko - ekonomiko - shoqërorë të mos eksperimentojë të ecurit zhagj (me zvarritje) drejt saj si kërmilli, as të mos vrapoje me iluzione, por të hedhë hapa të sigurtë e të qëndrueshëm. Ne si zgjedhës, jemi në momentin e duhur për t’i gjykuar ofertat politiko - elektorale të partive politike, jo nga oratoria e pompoziteti i liderëve të tyre, nga nxirja e realitetit, as nga “hirushja” që na tregohet në letra, por nga serioziteti i tyre, nga bazueshmëria e premtimeve në punë e masa konkrete të besueshme, nga përvoja e resurset njerëzore që ato aktivizojnë.
Në përmbyllje, një rikthim virtual tek skemat piramidale. Më thotë një ish - mësues i vjetër e njeri shumë i mirë, në vitin tashmë të largët 1997:
- Si më thua Llesh, i kam pak lek e po mendoj t’i investoj tek një nga këto fondacionet? U zura ngushtë, jo se nuk isha i bindur e se nuk e kisha përgjigjen, por druaja se si do t’ma merrte shoku mendimin tim. U përtypa një copë herë dhe i them:
- Është e thjeshtë përgjigja! A di ndonjë bujk këndej nga anët tona që e ka korr arën tri herë, apo ndonjërin që i ka pjellë lopa tri herë, brenda një viti? Nuk mora përgjigje… U mirëkuptuam me dashamirësin tim në heshtje, sepse të dy njëlloj me gjithë bujqërit e blegtorët e zonës, e jo vetëm ata, luteshim të merrnim një korë nga toka e pakët e një viç nga lopa brenda vitit, se të tjerat ishin ëndërra në kohë vjeshte…!