Një shtet pa hero

Opinione

Një shtet pa hero

Nga: Delvina Kërluku Më: 17 janar 2025 Në ora: 10:50
Delvina Kërluku

Një shtet pa hero është si një trup pa shpirt, me një shoqëri që ka humbur rrugën dhe që e vështirëson identifikimin me vlerat më të thella të ekzistencës së saj. Heronjtë nuk janë thjesht individë që janë shquar për guxim dhe sakrificë. Janë ata që me veprimet e tyre të shenjta, frymëzojnë dhe udhëheqin brezat përpara, ata që shpesh janë të gatshëm të sakrifikojnë gjithçka për një kauzë më të madhe se vetvetja e tyre.

Për kombet, heronjtë janë lidhja e fuqishme me historinë, me të kaluarën dhe me kulturën. Ata janë simbol i mundësisë për të kaluar përtej pengesave dhe për të arritur më të mirën. Pa prijës, një shtet mund të humbasë orientimin, dhe mundësia për t'u ngritur dhe për të përballuar sfidat e kohës bëhet më e vështirë. Pa individë që mbajnë flamurin e ndershmërisë dhe drejtësisë, shoqëria mund të kalojë në një periudhë të pasigurisë morale dhe politike. Kuptohet që përmes gjuhës që po shkruaj jam shqiptare. Dhe për ne shqiptarët Gjergj Kastriot Skënderbeu është figura më e madhe në historinë e kombit shqiptar. Heroi i kombit është cilësuar si shqiptari më i njohur në botë ndër shekuj, ai nderohet si prijësi ushtarak dhe strateg i fortë i mbrojtjes së interesave të popullit shqiptar. Por çfarë ndodh me Maqedoninë (RMV), dhe me ne shqiptarët brenda saj? Maqedonia ekzistenca e së cilës është 34 vjeçare, çfarë ka arritur në këto dekada? E vërteta na përgjigjet dhe dëshmitarët janë gjallë! Por, në gjithë këtë histori që mbart mbi vete ky shtet, a e kanë atë njeriun më të shquar? Populli i Maqedonisë, i cili “pëlqehet” të quhen maqedonas, pra cilin kanë hero? Ose, për maqedonasit (sllav), kë kanë hero kombëtar? Hero të kalibrit të Skënderbeut! Mos vallë për këtë shtet hero quhen luftëtarët që kanë ushtruar funksione (udhëheqës të një institucioni)? Apo kemi hero të heshtur që ka kryer në fshehtësi të madhe vepra trimërie për mbrojtjen e interesave të larta të popullit a shtetit (nëse e quajnë atdhe këtë shtet)?! Unë dhe ata që jemi në të njëjtin mendim, në këtë shtet nuk vërej hero. Sepse, as në palën maqedonase as për shqiptarët nuk ka një arritje madhështore. Shqiptarëve u mohoet identiteti dhe gjuha (qëndron edhe një pjesë e klasës politike shqiptare, që reflektojnë interesa për pushtet e pasuri, duke u distancuar nga interesat kombëtare), që çon në asimilimin gradual të shqiptarëve në maqedonas. Po humbet edhe historia se kujt i përket emri Maqedoni dhe cilët janë maqedonasit e vërtetë në realitet. Të qenit maqedonas, në Republikën e Maqedonisë së Veriut, do të thotë të qenit sllav e gjuhë primare të jetë sllavishtja e a.q. maqedonishtja. Kësaj rruge, ne shqiptarët, po t’i ecim, ku do të na shpije… Atëherë, çdo përpjekje e të parëve hudhet poshtë dhe kjo e zhbën veprimtarinë e tyre, fatkeqësisht.

Ky shtet për të ruajtur ekzistencën e tij duhet të ketë hero, veprues kryesor. Një shtet pa hero nuk është thjesht një vend ku mungon një figurë e shquar, por është një shtet që nuk ka më shembuj të drejtpërdrejtë të ndershmërisë, besnikërisë dhe guximit për të ndryshuar. Pa këta individë të jashtëzakonshëm, populli i Maqedonisë (RMV) ka më shumë vështirësi të besojë në vlerat e shoqërisë që të qëndrojnë të bashkuar dhe të fuqishëm. Ata që i shohin udhëheqësit e shtetit se kanë kryer një vepër të lartë shpesh ndihen të frymëzuar dhe të gatshëm për të kontribuar, sepse i përceptojnë ata si dritë në errësirën e mundësive të pafundme. Por, kjo ndjesi është e cekët dhe nuk hyn në thelb të çështjes.

Një shtet, si ky i yni, pa hero është një shtet që përpiqet të shikojë të ardhmen, por që ka humbur aftësinë për të parë pas, për të kuptuar se çfarë ka dhënë, dhe çfarë mund të japë, për të ecur përpara. Kur heronjtë mungojnë, mund të ndodhë që shoqëria të humbasë ndjeshmërinë për drejtësinë, për barazinë dhe për lirinë.

Në fund, historia e një shteti pa hero mund të jetë një histori e trisht me shoqëri të humbur, ku pasojat janë të thella dhe të shumta fatkeqësisht në të gjitha sferat e jetës…

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat