Pse dhunohet gjuha shqipe dhe përqeshet të qenurit shqiptar? Këto janë pyetje që duhen trajtuar urgjentisht, nëse synojmë të kemi një shoqëri të shëndoshë dhe një media profesionale. Në botën e sotme, ku informacioni është kudo dhe gjithçka, mediat kanë një fuqi të jashtëzakonshme. Ato janë ato që formësojnë perceptimet, ndërtojnë narrativat dhe, fatkeqësisht, shpesh shërbejnë si zëdhënëse të interesave të ngushta politike apo komerciale. Dhe ja ku jemi sot: me një sistem mediatik që shpesh e ndot gjuhën shqipe, përbuz kulturën shqiptare dhe përdor standardet etike si lecka për pastrim xhamash.
Çfarë mund të mësojmë nga modelet e huaja? Për të kuptuar sa larg jemi nga një model mediatik funksional, le të hedhim një sy te disa shembuj ndërkombëtarë: Norvegjia, për shembull, është një shtet ku media publike si NRK ka detyrime ligjore të qarta për ruajtjen dhe përforcimin e gjuhës dhe kulturës kombëtare. Në nenin §3.3 të statutit të saj, përcaktohet që media publike duhet të transmetojë së paku 25% programe në gjuhën tradicionale "Nynorsk". Përveç kësaj, 35% e muzikës dhe 75% e prodhimeve televizive duhet të jenë vendore. Ky është një model që jo vetëm kultivon gjuhën dhe kulturën kombëtare, por edhe e mbron atë nga globalizimi agresiv. Në kontrast, në Kosovë dhe Shqipëri, shpesh kemi emisione që nisin me një "hello" dhe mbarojnë me një "bye-bye". Të flasësh shqip duket si një barrë për disa media, ku gazetaria e vërtetë është zëvendësuar nga një përzierje e çuditshme e shprehjeve të huaja dhe servilizmit politik.
Çfarë i mungon medias shqipe?
Pavarësia redaksionale – Mediat duhet të jenë të lira nga ndikimi i politikës dhe interesave të oligarkëve. Fatkeqësisht, shumë prej tyre funksionojnë si degë propagande të partive politike apo si mjete për të mbrojtur interesa të oligarkëve.
Kritika e ndershme dhe konstruktive – Në vend që të jenë qenie "qen roje" për demokracinë, mediat janë bërë "qen të shtëpisë" për ata që paguajnë. Një kritikë cilësore është thelbësore për të ndërtuar një shoqëri të drejtë dhe transparente.
Ruajtja e gjuhës shqipe – Nëse ndonjë udhëheqës i medias sonë do të shikonte standardet e vendeve si Norvegjia apo Franca, do të kuptonte se përdorimi i një gjuhe të pastër kombëtare nuk është vetëm detyrë patriotike, por edhe një standard profesional. A kemi ne ndonjë nen ligjor që detyron RTK-në apo Top Channel-in të ruajnë pastërtinë e shqipes? Nëse po, atëherë është një nen që as lexuesit nuk e respektojnë.
Pse është media shqipe në këtë gjendje?
E thjeshtë: për shkak të politikës dhe mungesës së etikës. Politikanët shqiptarë – ata të vilave luksoze dhe xhipave të zinj – kanë përdorur mediat për të forcuar pushtetin e tyre dhe për të shuar çdo zë kritik. Sot, opozitarët që dikur sundonin me dorë të hekurt mediat, qajnë për "lirinë e fjalës", jo pse janë shqetësuar për popullin, por sepse kanë humbur qasjen në LEK. Mjafton të kujtojmë luksin e politikanëve që dikur shisnin moral në RTK dhe Klan Kosova, ndërkohë që pas kamerave blinin vila në bregdet dhe transferonin miliona jashtë vendit. Kjo është gazetaria që kemi trashëguar: një strukturë e kapur nga elitat që jetojnë në luks ndërsa populli lufton për mbijetesë.
Mediat: zgjedhje apo problem?
Mediat kanë fuqinë të jenë pjesë e zgjidhjes, por vetëm nëse ndodh një transformim i thellë. Ligjet duhet të mbrojnë gazetarët dhe të garantojnë pavarësinë redaksionale. Gjuha shqipe duhet t’i jepet prioritet absolut, si në ligj, ashtu edhe në praktikë. Përndryshe, do të vazhdojmë të kemi një media që më shumë na poshtëron se sa na përfaqëson. Dhe për fund, një pyetje e thjeshtë, por e rëndësishme: A mundet një gazetar që nuk di të flasë shqip të raportojë për hallet dhe shqetësimet e shqiptarëve? Nëse përgjigjja është "jo", atëherë është koha për të rishikuar sistemin që kemi ndërtuar.